Mirëqenie

June 12, 2018 | 14:45

Kristi Bejko / Bukuria si personalitet, pasioni që më mbush shpirtin

Është vetëm 20 vjeçe, studente e shkëlqyer për “Menaxhim Biznesi”, ndërsa përtej profilit akademik ku po investon dijet, ka kohë për t’i dhënë jetë pasionit të saj për të bukurën. Ndjekur modelin e nënës së saj, Anilës, Kristi Bejko thotë se falë përfshirjes në një botë krejt ndryshe nga ajo e të rinjve të sotëm, koha e saj e lirë është përkushtimi pas pasionit për të bukurën.

Në qendrën Papion, e cila është themeluar 15 vite më parë në zemër të rrugës “Myslym Shyri”, ajo kujdeset për menaxhimin, make up-in dhe procese të tjera estetike. Kristi di ta gërshetojë mjaft mirë shkollimin me pasionin, ndërsa ky i fundit, siç ia thekson çdo herë nëna e saj, do të jetë si një byzylyk xhevahiri në dorë, që do ta shoqërojë gjithë jetën sido që të shkojnë gjërat.

SA KE MËSUAR NGA KJO PËRVOJË?

Kur isha e vogël, rreth moshës 13-vjeçare, mami më mbante gjithmonë pas vetes, e me këdo që fliste, më përfshinte dashje pa dashje në fushën kur flitej për kurimin e imazhit e jo vetëm. Tani që jam bërë pjesë e këtij angazhimi, gati 2 vite më parë, merrem vetë me klientët, furnizuesit, si të thuash bëj rolin e dytë pas mamit.

PSE ANILA TA BESOI TY PJESËN E TË PËRÇUARIT TË MODELIT TË SAJ?

Faktikisht asnjëherë nuk ma ka thënë, madje edhe pas të bërit me sukses të gjërave, ajo i ka të kursyera lëvdatat. Mami mendoi se përveç profesionit, këtë profil mund ta kisha si një byzylyk për të ardhmen. Për shembull, nëse një ditë profesioni do të heshtë, do të më vijë në ndihmë angazhimi në sallon. Pastaj është mirë të komunikosh me njerëzit, të merresh e t’u vish në ndihmë, kjo ndihmon në formim dhe në rritje.

SA TË KA NXITUR PËR TË KRIJUAR AMBICIET PERSONALE?

Mua kjo gjë më ka nxitur shumë në çdo aspekt. Nëna ime nuk ka bërë asnjëherë si prindërit e tjerë që të më mburrë në sytë e të tjerëve apo të ma bëjë qejfin kot. Përkundrazi, më ka ndihmuar me modelin e saj të aftësoj dhe perfeksionoj veten time.

SI NDIHESH SOT, KU BESOJ SE KE ARRITUR DIÇKA?

Akoma nuk ndihem e formuar plotësisht, megjithatë, në të vërtetë kuptoj se si të mos ndihem më si në ajër. Jam me këmbë në tokë.

SI IA KE DALË ME ANGAZHIMIN TËND BRENDA “PAPION CENTER”?

Unë jam Make Up Artist, menaxhere me klientët, bëj dhe punë të ndryshme si, zgjedhjen e produkteve cilësore. Në lëmin e shumë burimeve që ka tregu i kozmetikës, arrij të bëj përzgjedhjet e duhura nga emri që ato kanë, por edhe falë përvojës dhe ndihmës së mamit, e cila më rri mbi kokë.

SI I TESTONI PRODUKTET, CILËSINË PËR LLOJE TË NDRYSHME LËKURE?

Make Up-i dallohet direkt, sepse dihet që jo çdo produkt është i mirë për lëkurën, por ndjek edhe pak feed back-un që kanë njerëzit kur e përdorin. Fillimisht e përdor te vetja. Duke qenë se jam natyrë pak alergjike nga produktet kozmetike, më ndihmon të ndalem në produktin më të mirë.

NGA TË GJITHË KLIENTËT, SA PREJ TYRE UA KE RRËMBYER ZEMRËN?

Të gjithë më vlerësojnë. I kam bërë për vete në pjesën kur më kërkojnë për shembull t’u bëj Make Up-in, apo t’u vë qerpikë extensions dhe, kanë besim. Ka një miksim grupmoshash që i pëlqejnë duart e mia, por janë të rejat ato që vijnë më shpejt, pasi njohin teknikën time të grimit, trendin e ri të dritëhijeve dhe jo vetëm.

SA I RËNDËSISHËM ËSHTË KOMUNIKIMI ME KLIENTËT? SI IA DEL?

Ajo është baza. Në fillim lë klientin të flasë, kuptoj botën dhe personalitetin që ka, e vendos se cili grim i vjen për shtat. Për këtë pjesë më ka ndihmuar një internship në një bankë private, ku nga një sektor në ambient të mbyllur, më nxorën te shërbimi me klientët për aftësinë që kisha në komunikim. Nuk mërzitesha, përkundrazi flisja me qetësi. Dhe i bindja.

CILAT JANË TRENDET E GRIMIT KËTË SEZON?

Unë personalisht jam për grimin që ndryshon, por që të jetë natyral, pa të humbur personalitetin.

KJO ËSHTË NJË ARMË SHUMË E MIRË E JUAJA PËR T’IA DALË?

Besoj se arma më e mirë është puna. Pas 15 vitesh në “Papion Center”, mami të gjitha këto gjëra që po i bëj unë tani, m’i ka kaluar mua si proces.

CILA ËSHTË RËNDËSIA E ESTETIKËS?

Pastërtia, cilësia e produktit, e cila duhet të jetë shumë e lartë, pasi ke të bësh me lëkurën, por edhe taktika e të ushtruarit si profesion. Te pjesët intime dhe të fytyrës, ne i qëndrojmë besnikë metodës me gisht. Ka qenë mami e para që e ka sjellë në Shqipëri, pas një kursi në Itali, ndërsa pjesa tjetër e përgjithshme bëhet me letër. Estetika kujdeset dhe për trajtimet manikyr e pedikyr, sidomos për këmbët, ku përveç pastërtisë, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që mos lejojnë kallot që krijohen nga ecja pa çorape apo veshja e këpucëve të ngushta. Këmbët duhet të jenë të lirshme e jo të ngushtohen, si dhe të pastrohen rregullisht nga kutikulat. Ky është shëndet për to dhe gjithë trupin. Ndërsa për sa i përket thonjve, pavarësisht se trendi është të zgjatur, në përditshmëri është mirë të kemi thonj të shkurtër e me ngjyra të lehta sezoni.

PO SA I TAKON PJESËS SË TRAJTIMIT ME KREMRA?

Në sallon bëhen trajtime fytyre nga pjesa e bustit e sipër. Pikat e zeza, antirudhë, masazhe relaksuese. Kemi edhe aparatura, por klientët kërkojnë teknikën e duarve, pasi mami i ka duart shumë kurative.

PO SA I TAKON KOZMETIKËS?

Make Up-i ka një veçanti. Falë mjeshtërisë së profesorit ku kemi mbaruar kursin në Amsterdam unë edhe mami, teknika ishte e vjetër, por e përmirësuar. Që do të thotë, vetulla perfekte, dritëhijes e syve dhe peneli përdoreshin për aktorët e teatrove. Duke qenë live me publikun, duke të ndjeheshin mimika e fytyrës së aktorit. Make Up-i e thekson mimikën e fytyrës dhe emocioni përcillet. Dhe pikërisht, kjo teknikë që ndiqej për aktorët dhe modelet, u njehsua edhe në përditshmëri. Tanimë ne dimë si t’i bëjmë të gjitha.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top