Marrëdhënie

November 7, 2020 | 8:10

Kriza e çiftit kur fëmijët janë në adoleshencë

Adoleshenca e shumicës së fëmijëve të kohës së interneti dhe rrjeteve sociale nuk kalon lehtë, dhe në të shumtën e rasteve shkakton kriza dhe në çift. Ata bëhen shkak për grindjetë forta dhe shpesh shkojnë edhe deri në divorc për arsye se njëri prind mund të mbajë anën e adoleshentit dhe gabimeve që ai mund të përsërisë në mënyrë të vazhdueshme.

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Xhoi Jakaj, Doktore Shkencash, autore librash për adoleshentët

Në bashkëbisedim me prindër të ndryshëm gjatë punës për librin tim “Adoleshenca në filtrin e dashurisë” jo pak prindër më kanë rrëfyer me lot në sy që problemet më fëmijën në adoleshencë i kanë shkaktuar tërmet të madh në çift, aq sa kanë qenë në prag divorci. Por nëse në këtë periudhë nuk do të qëndronin të bashkuar, ata do ta humbnin njëri-tjetrin dhe kontrollin ndaj fëmijës. Kjo ishte përgjigjja ime.

Nëse ju prindërit do të dëgjoni shprehje të tilla nga adoleshenti që “Ti babi nuk kupton asgjë” nga kërkesat e mia ndërsa mami është më e kuptueshme me mua, ose “Babi është më i zoti se ti mami, se ai e kupton mirë moshën time ndërsa ti aspak”, janë shprehje që do ju shoqërojnë vazhdimisht në kapërcimin e adoleshencës së fëmijës tuaj, sepse ata ju vënë para një sfide të tipit provokues për të nxitur dyshime te ju, që nuk jeni në lartësinë e duhur për të marrë vendime kundërshtuese ndaj dëshirave të atij/asaj dhe të përfitojë nga situata të tilla.

Pra, në këtë periudhë ju duhet të ndërtoni një ekuilibër të ri dhe të ndërmerrni vendime që kanë të bëjnë me lirinë, pavarësinë dhe mbrojtjen e fëmijës tuaj nga rebelimi në moshën e adoleshencës, duke përdorur edhe diplomaci në marrëdhënien në çift, të ndani përgjegjësitë, të përdorni tolerancën ndaj njëri-tjetrit në çift, por jo ndaj gabimeve të fëmijës në adoleshencë, dhe të alternoni vëmendjen e kujdesin ndaj tyre, pasi në adoleshencë shpesh fëmijës, prindi i duket armiku më i keq, dhe një e keqe e domosdoshme qëndrimi me të në një shtëpi. Dhe, familja në tërësi hyn në krizë, e përfshin mardhënien prind-fëmijë dhe shpesh mardhënien burrë-grua aq sa kundërshtitë për plotësimin e kërkesave të fëmijëve në adoleshencë përkeqësohen në grindje të përhershme. Nëse nuk i kushtoni vëmendjen e duhur, ata përfitojnë nga këto situata të pazakonta me parë.

Adoleshenca e fëmijës ndodh ndonjëherë të vijë si uragan, si rrebesh, si stuhi, në disa raste britma për plotësim kërkesash, lot dhe kërcënime që “unë do iki nga shtëpia” apo dhe deri aty sa kërcënojnë me jetën e tyre si e si të fitojnë terren para prindërve të lodhur nga kjo gjendje që krijohet në mënyrë të përsëritur. Fëmijën kur hyn në adoleshencë, jeta e përball me një realitet krejt tjetër, nevojën e tij për besnikëri, idealin që ai ushqen, dëshirën për të kundërshtuar dhe rregulluar çdo gjë që nuk i pëlqen.

Shpesh ata duan t’i çjerrin maskën e hipokrizisë më të rriturve, nevojën për të vënë para përgjegjesisë prindërve nëse në jetët e tyre nuk shkojnë vaj gjërat, e të gjithë këto elementë janë barrë e shtuar te prindërit, ku mund të ndodhë që ata të ndikohen së tepërmi e të humbin durimin përballë këtij fakti, të ashpërsohet komunikimi dhe për pasojë të mos jetë fare e lehtë mardhënia në çift, aq sa raporti mes bashkëshortëve është i pariparueshëm.

Por, edhe nëse situata është e tillë dhe e acaruar në pikën maksimale, është e pajustifikueshme nëse ju do lini pas dore kujdesin ndaj fëmijëve në adoleshencë, madje edhe nëse jeni në prag të një divorci të pashmangshëm, përsëri prioriteti duhet të jetë adoleshenti, ndryshe ai/ajo mund të ndjekë rrugë të gabuar që ta riktheni në gjendjen e mëparshme do ketë kosto të paimagjinueshme.

Cilat janë disa gjëra të vlefshme për marrëdhënien tuaj kur fëmijët janë në adoleshencë dhe krizat e tyre shkaktojnë mosmarrëveshje në çift?

1.Në fundjavë së bashku pa fëmijët.

2.Mbrëmjeve të së shtunës nëse ai/ajo del me shoqërinë dhe ju do prisni zgjuar për ta shoqëruar se ka akoma nevojën tuaj, konsumoni një gotë verë së bashku dhe flisni gjatë me njëri-tjetrin.

3.Mundohuni të gjeni emërues të përbashkët dhe të mos fajësoni njëri-tjetrin nëse fëmija juaj në adoleshencë ka rënie në mësime, mungesë dëshire për veprimtari të ndryshme, apo dhe mungesë oreksi e fjalë fyese jashtë fjalorit të së zakonshmes.

4.Kthehuni në kohë e kujtoni gjëra të bukura që bënit me njëri-tjetrin kur fëmija juaj ishte i vogël, sepse me siguri do qeshni dhe do harroni problemet e momentit që po ju shkakton fëmija juaj në adoleshencë.

5.Mos lejoni në asnjë mënyrë që problemet e krizat e fëmijës në adoleshencë t’i transferoni në probleme mes jush.

6.Përsëritini njëri-tjetrit që problemi i fëmijës është një gjë që patjetër do kalojë.

7.Bëhuni unikë në çdo vendim që merrni për të ndërtuar një marrëdhënie të re me fëmijën në adoleshencë.

8.Arratisuni nga shtëpia duke ia besuar për një fundjavë një familjari fëmijën që ai ta ndjejë nevojën tuaj.

9.Përqafohuni në sy të fëmijës tuaj nësë keni kaluar një grindje apo ngritje zëri për shkakun e atij/asaj.

10.Kapuni fort pas njëri-tjetrit nëse fëmija juaj në adoleshencë po kalon peripeci.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top