FB

December 1, 2021 | 10:03

Kur fjala e fundit thuhet e para!

 

Më erdhi ndërmend një plak i mençur prej moshës dhe përvojës, i cili u shpreh nga shpirti i trazuar prej dhimbjes se: “fjala të fut 7 (shtatë) pashë nën tokë, ose fjala të ngre 7 (shtatë) pashë mbi tokë”. Kjo nuk ishte rastësi, por përjetim, pasi shpirti i tij ishte pezmatuar përjetësisht nga e fundit fjalë që iu tha e para duke e prekur aty ku nuk duhej!

Nga Besmir Guri, psikolog

Leksioni i jetës së plakut ishte domethënës, ku tregonte se me fjalën mund të vrasim ose mund të shërojmë. Njerëzit që flasin pa menduar, që u flet inati, nervozizmi, xhelozia, mllefi, hakmarrja, dashakeqësia, negativiteti, cinizmi, krenaria, injoranca apo të ngjashmet me to, rriskojnë që të zvogëlohen shpirtërisht aq sa për të mos u njohur! Nuk mund të pretendohet në përditshmëri komunikimi i nivelit të katedrave universitare, por i detyrohemi nivelit bazik sa për të mos e lënduar tjetrin.

Njerëzit që e thonë fjalën e fundit të parën, por më pas pendohen në reflektim, krijojnë shansin që t’i rikthehen statusit të mëparshëm, ndërsa të tjerët që refuzojnë të pendohen duke i qëndruar me insistim gabimit, humbasin përfundimisht edhe vlerat që pretendohej të kishin!

Fjala e gabuar edhe pse vjen si përgjegjësi e jona, jo gjithmonë detyrimisht përfaqëson identitetin tonë, pasi mund të jetë e nxitur prej faktorëve momental, por që ky distancim të ndodh, duhet të shoqërohet nga reflektimi, pranimi dhe falja e kërkuar. Shumë marrëdhënie midis njerëzve mbeten të ngrira, jo vetëm pse thuhet fjala e gabuar, por se nuk pranohet gabimi i fjalës.

Veçanërisht krenaria e sëmurë që ekziston me shumicë mes nesh, nuk lejon që pendesa t’i zërë vend gabimit, duke e trashur akoma dhe më tej të fundit! Më duket cinizëm i niveleve të larta ideja e disa personave që pretendojnë shfaqësim të plotë për faktin se i thonë gjërat troç, ndërkohë që këto gjëra që ata thonë mund të jenë një lum fyerjesh dhe injorancash drejtuar personit tënd!

Pse të ma thoshte atë fjalë, le të më flasë vetë para, mirë që e bëri por përse të thoshte, duhej të më kërkonte falje për fjalët… janë vetëm disa nga pritshmëritë që mund të shkaktojë fjala e tjetrit përdorur gabim prej tij.

Kur fjala e gabuar vjen me vetëdije, e ka të vështirë të justifikohet, ndaj pranimi i gabimit duhet të burojë nga ndërgjegjja. Sa e sa njerëz që nuk flasin prej vitesh, për shkak se një ditë u tha fjala e fundit duke mos u korrigjuar më kurrë! Nuk është krenari kur injoranca nuk të lejon të pranosh gabimin, por krenari është kur ndërgjegjja jote arrin t’i falet gabimit. Kërkoje faljen sa herë ta gjesh fjalën tënde në gabim, vetëm fjala mundet të shërojë plagët që po ajo ka hapur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top