Në fokus

August 8, 2018 | 10:00

Kur frika dominon jetën tonë

“Kush ka frikë, nuk bën gjë tjetër, veçse dëgjon zhurma”     Sofokliu

Frika është një ndjesi e natyrshme që zë vend te ne për të na lajmëruar mbi situata të rrezikshme, përgjithësisht kur duhet të përballemi me diçka të panjohur. Për fat të keq, shumë shpesh kjo ndjesi e natyrshme ndërhyn në jetën tonë. E gjitha kjo mund të na detyrojë të bëhemi njerëz të pasigurt, duke na paralizuar pothuajse plotësisht.

Gjëja më e mirë është të mësojmë të kuptojmë vlerën e frikës, ku duhet ta mposhtim, që ajo të mos marrë kontrollin e jetës sonë. Askush nuk është i sigurt nga fuqia shkatërruese e frikës, por gjithsesi është e mundur që ta dallojmë dhe të minimizojmë ndikimin e saj negativ. Është mirë ta bëjmë këtë gjë në kohë, para se të jetë shumë vonë.

Një shoqëri si e jona na detyron të jemi gjithnjë në garë me të tjerët. Jemi të vendosur përballë një nevoje të vazhdueshme për sukses dhe, kush nuk mund të ketë sukses, është i destinuar të dështojë, të përjashtohet nga grupi i njerëzve që ia kanë dalë të jenë aty ku donin të shkonin.

Në rrethana si kjo, frika nga dështimi mund të na pengojë të lëvizim qoftë edhe një hap të vetëm. Na bllokon në atë pikë sa nuk kemi fuqi as të tentojmë. Dhe kur dëgjojmë një frazë si: “sukses kanë vetëm ata që rrezikojnë”, vuajmë shumë, sepse e dimë që është frika ajo që na pengon të rrezikojmë. Në ato momente harrojmë se aftësia për të arritur objektivat është në dorën tonë, gjithmonë.

 

Frika se mos nuk ju vlerësojnë

Veproni gjithmonë me shpresën që puna juaj të vlerësohet dhe të tjerët t’ju vënë re. Por frika se mos ju refuzojnë ju bën të ktheheni pas të dështuar në atë farë pike sa vetëbesimi juaj arrin në nivele minimale. Miratimi shoqëror është si një fantazmë që ju përndjek, një makth që ju shoqëron çdo natë.

Duket se asgjë nuk është në favorin tuaj. Jeni të bindur se keni lindur fatkeq dhe që jeni të destinuar të vuani gjatë gjithë jetës. Keni gjithmonë përshtypjen që të tjerët jua bëjnë me gisht, vënë në diskutim punën tuaj, ju kritikojnë derisa ju detyroheni të largoheni. Sado që mundoheni, nuk ia dilni dot as të ndërtoni marrëdhënie të bazuara mbi besimin e vërtetë. Nuk e kuptoni që, në të vërtetë, jeni ju që largoheni nga të tjerët.

I përdorni rrjetet sociale për t’u krahasuar me të tjerët, dhe nuk arrini të kuptoni se si ata mund të jenë të lumtur dhe ju jo. Të gjithë buzëqeshin në foto, nxjerrin në statuse triumfet e tyre të shumta, gjërat që kanë arritur në jetë, shfaqin gjithmonë jetën e tyre të shkëlqyer. Por a e keni pyetur ndonjëherë veten nëse gjithçka që shihni është e vërtetë apo jo?

Krahasimi me të tjerët na pengon të fokusojmë vëmendjen te sfidat tona. Duke qenë qenie njerëzore, të gjithë kemi të njëjtat mundësi, dhe pavarësisht që secili prej nesh është një univers më vete, jetojmë në një komunitet dhe për këtë arsye duhet të mësojmë ta pranojmë veten pikërisht për atë që jemi.

 

Frika se mos dalim jashtë zonës së rehatisë

Zona e rehatisë është një gjendje mendore që na pengon të ecim përpara. Kjo do të thotë që mësohemi me atë që bëjmë në atë pikë sa jemi të terrorizuar nga ideja se mos e humbasim. Nuk arrijmë të shohim ndryshimet si një mundësi: nga ana tjetër, kush përfshihet nga frika beson se të ndryshojë do të thotë të dalë nga gjendja e vet e mirëqenies.

Ndoshta nuk jeni të kënaqur nga puna juaj, e megjithatë e dini që niveli i papunësisë është në rritje të vazhdueshme dhe mendoni se nuk mund t’ia lejoni vetes largimin nga puna. Edhe pse rroga juaj është e ulët, ju shfrytëzojnë, nuk keni asnjë mundësi të bëni karrierë dhe, për më tepër, nuk gjeni një ndjenjë stabiliteti, nuk keni kurajë të ndryshoni. Madje as nuk e kuptoni që jeta juaj udhëhiqet nga frika, por duke bërë kështu i mohoni vetes mundësinë e një ndryshimi, i cili me siguri ju sjell përfitime, vetëm sepse ju terrorizon ideja se mos dilni nga zona e rehatisë. Duke bërë kështu, i mohoni vetes edhe mundësinë që të përmirësoheni. Të qenit kokëfortë dhe rezistentë ndaj ndryshimit, tregon se frika udhëheq jetën tuaj.

Na kanë mësuar se të ëndërrosh është një gjë vetëm e idealistëve. Shumë njerëz kanë bindjen se të heqësh dorë nga ëndrrat është një dëshmi e pjekurisë. Në të vërtetë, kjo filozofi konformiste është e besueshme vetëm nga ata që kanë frikë nga gabimet dhe dështimet. Nuk kuptojnë që, ndoshta, një nga dështimet më të mëdha në jetë, është pikërisht të heqësh dorë nga një jetë më e mirë, pikërisht sepse kanë frikë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top