Radiografi

September 9, 2019 | 8:50

Ledi Smile, e vetmja Klinikë Dentare që shndërron buzëqeshjen brenda ditës, pa gërryer dhëmbët!

Pikërisht, të qenit profesionist apo të punuarit me profesionalizëm, është një nga sfidat më të mëdha të jetës. Ashtu si në një marrëdhënie argate, ku tokës nga e cila kërkon prodhim të mbarë, do të duhet t’i shërbesh me gjithçka. Fillimisht përvishen mëngët, do të duhet ta gërmosh me duar e dhëmbë nëse mundesh, e të përpiqesh ta njohësh atë nga një prekje e thjeshtë a duke i ndjerë aromën që lëshon humusi. Dhe vetëm atëherë do të kesh atë që ke kërkuar prej saj.

Prej Zanafillës, ashtu si marrëdhënia e bujkut me tokën, po të njëjtën marrëdhënie kanë dhe profesionet e tjera, me të njëjtin Njeri. E padyshim, do të duhet shumë punë për të arritur aty ku ambicia ka shkuar më parë se ti. Jo pa qëllim i dhashë këto nuanca përshkrimit tim, ngase takimi me personazhin e kopertinës së muajit shkurt, më la mbresa për përkushtimin dhe devotshmërinë në punë. E nëse bisedës do të përpiqesha t’i jepja ngjyra të tjera, padyshim peneli do të përqendrohej vetëm në dy Korridore të Jetës, aty ku dhe përkushtimi është në maksimalen e tij: stomatologjia si profesion dhe mëmësia ndaj një djali 8 vjeçar.

Ajo quhet Enkelejda Spahiu. Sipërmarrja e saj, një poliklinikë stomatologjike, mban emrin domethënës “Ledi Smile”. Ka investuar pa reshtur 15 vite nga jeta për ta bërë poliklinikën një model. E në këtë përvjetor unik, e qetë dhe plot nerv, e paqtë dhe po aq e stresuar në thellësinë e saj, na rrëfen vështirësitë, arritjet, përkushtimin, investimet dhe ambiciet e pareshtura për të qenë në perfeksion. Këto janë ato që e karakterizojnë si grua në karrierë dhe jo vetëm. Udhëtim që nisi pas një studimi akademik në një prej universiteteve më të mira të Bukureshtit, tanimë vijon në profile të reja, me zbulime të vazhdueshme.

Ju gjejmë në një kohë me ngarkesë, ndërsa ju pohoni se kjo është një ditë e zakonshme e juaja në çdo periudhë të vitit. Si është të ndash jetën me stomatologjinë?

Është impenjative, duke nisur që nga fakulteti shtetëror 200-vjeçar ku kam kryer studimet 6-vjeçare, në gjuhë të huaj. Jam shumë krenare që kam mbaruar studimet me mesatare 9.36 në gjuhën rumune. Të ndash jetën me stomatologjinë hollë-hollë është aq impenjative, sepse ti i jep të gjitha energjitë për profesionin. Fakulteti ishte i gjatë si në vite, por edhe gjatë një dite, sepse ne kemi bërë stilin rus, domethënë kemi bërë të gjithë mjekësinë e përgjithshme me një interval të shkurtuar kohor. Këto gjëra të bëjnë që ti të mësohesh me durimin, impenjimin, dhe në fakt, t’ia japësh jetën stomatologjisë në një pjesë shumë të madhe të kohës, duke qenë e tëra për të. Kjo të bën të mësohesh me faktin që ky profesion të do kështu përgjithmonë. Dhe jo vetëm kaq, por të bën të japësh maksimumin tënd, të tejkalosh sfidat.

A të ka shërbyer?

Kur i bënim ato lëndët e mjekësisë së përgjithshme, anatominë e trupit, qafës, kokës, shumë të thelluar dhe të rëndë, me gjithë atë stres dhe ngarkesë mendore… ja ku jam sot, që me gjithë trajnimet, specializimet e mëtejshme, jam shumë e aftë të bëj të tjera gjëra, që kanë lidhje fiks me atë anatominë, me ato lëndë që kam mësuar në fakultet. Dhe po më shërbejnë sot edhe për estetikën faciale. Unë i kam dhënë atij fakulteti çdo gjë dhe ma kthen mbrapsht gjithmonë, sepse janë baza solide. Kjo gjë më pëlqen te vetja, sepse gjithmonë dija është shpërblyese.

Cilat janë vështirësitë e punës dhe bukuritë e saj?

Të gjithë ata që praktikojnë si profesion kryesor stomatologjinë, është shumë impenjativ dhe mund të jetë një nga gjërat jo fort të mira që të lë pak kohë për të gjetur ekuilibrat, madje është një sfidë aktuale në të gjithë botën mjekësore. Veçanërisht femrat po përpiqen të gjejnë një shkëputje për të vënë një ekuilibër midis jetës personale, asaj si femër dhe jetës në profesion. Po edhe kjo i ka frytet e veta. Duke iu përkushtuar diçkaje me shumë dëshirë, ti do shkëlqesh, do të kesh një rezultat mbi mesataren dhe kjo është një kënaqësi që jo të gjitha profesionet ta japin. Duke qenë se kam edhe biznesin prej 15 vitesh, më janë ndërthurur thuajse mbi 5 profesione. Kjo më ka bërë të aftë të sfidoj gjithë këtë PAKETË me vështirësitë që ka, ndërkohë që është po kaq e bukur dhe ta ngre lart adrenalinën.

Ky është viti i 15 i një sipërmarrjeje të konsiderueshme, si ju gjen ky përvjetor?

“Ledi Smile” është diçka që ka të bëjë me estetikën dentare, me buzëqeshjet ideale, me buzëqeshjen në modë, e cila lidhet me trendin e një zonje të kuruar, që kujdeset për veten dhe sidomos për detajet. “Ledi Smile” njihet për detajet që bëjnë diferencën e tanimë është shndërruar në një markë për të arritur një buzëqeshje ideale, madje të vetmit që e bëjnë brenda ditës. Shndërrimet e buzëqeshjeve që kemi realizuar, janë aq të pabesueshme sa një pjesë e mirë e pacientëve që na kanë provuar kanë pritur deri në momentin e fundit të punës për të thënë që “nuk e kemi besuar, por ju qenkeni vërtetë realë, vërtet të mirë”.

Ke mirënjohje në këtë përvjetor?

Sinqerisht, kam një super faleminderit, në radhë të parë për të gjithë pacientët e mi, për të gjithë ata që më kanë ndihmuar, stafin, me njerëz që përgjatë 15 viteve kanë kontribuuar në klinikën time, bashkëpunëtorë dhe kolegë. Nuk kam ecur vetëm, sepse kam pasur njerëzit e duhur për të ecur larg. Kam gjetur një ekuilibër në gjetjen e burimeve njerëzore, por mbi të gjitha, jam shumë e kënaqur që do të mund t’i shpërblej pacientët në këtë 15-vjetor. Është shumë e rëndësishme që ti të kthesh, të jesh mirënjohës.

Këtë 15-vjetor, cilat do të jenë format e shpërblimit?

Bëj shpesh konkurse në faqen e Instagramit dhe jap çmime, ndërsa këtë vit do të jetë më tërheqëse. Në këto 15 vjet kam klientë familjarë, fëmijët kanë vendin e tyre. Këtë vit përvjetori ofertat do të zgjasin përgjatë gjithë vitit. Është një ndërmarrje serioze për mua, për t’ua kthyer mirënjohjen. Ofertat do të jenë nga -15% deri në -20% zbritje si dhe një kartë besnikërie, tek e cila mund të përfitojnë edhe anëtarët e familjes, me të njëjtat ulje. Unë nuk bëj vetëm ulje, por bëj edhe dhurata. E kam kënaqësi ta bëj në momentin kur pacienti nuk e pret, që mund të jetë një zbardhim profesional, një mbrojtës për natën. Nuk e shoh biznesin me shifra, sepse është një profesion human.

Cilat janë ambiciet e radhës?

Ambiciet e radhës janë estetika faciale dhe turizmi dentar. Duke qenë se aktualisht kam krijuar një brend të një estetike dentare të kuruar në detaje, në perfeksionizëm, do të doja që syrin tim estetik ta shpalosja edhe përtej sferës orale. Rregullimi i formës dhe pozicionimit të buzëve me acid hialuronik dhe botoks, rregullimi i rrudhave nazolabiale, (rrudhat që krijohen nga hunda përreth gojës), rregullimi i formës, pozicionimit të mjekrës me acidi hialuronik, rregullimi i konturit të nofullës së poshtme dhe të këndit të nofullës së poshtme me acid hialuronik, rregullimi i volumit, formës së mollëzave dhe të kurrizit të hundës. Ky është një shërbim që mund t’i besohet dentistit, sepse ai e njeh anatominë e fytyrës po aq mirë sa edhe një mjek dermatolog, duke qenë se baza teorike, specializimet dhe trajnimet e shpeshta ma lejojnë ta ushtroj si pasionin e radhës.

Si i keni të organizuara shërbimet në klinikë?

Shërbimet janë: Profilaksi orale; Trajtimi i higjienës orale; Mirëmbajtje e dhëmbëve dhe e gingivave (mishrave të dhëmbëve); periodontologji, Trajtimi i erës së keqe të gojës (halitoza); Zbardhje e dhëmbëve mesatare dhe profesionale; Heqje gurëzash, mjekim mishrash; Parandalimin e prishjes së dhëmbëve të sapodalë me anë të sixhilimit; Terapia, mbushja e dhëmbëve; Endodoncia, trajtimi i kanaleve të dhëmbëve; Kirurgjia me mjekë specialistë; ekstraksionet (heqjet e dhëmbëve); rezeksionet apikale (operacionet e rrënjëve); impiante me markat më të njohura gjermane, si Bredent; Ortodoncia, drejtimi i dhëmbëve me mjekë specialistë; Ortopedi = Protetike, vendosja e dhëmbëve të të gjitha llojeve, kurora zirkoni tek e tek, kurora full zirkoni mbi implante, rehabilitime totale me punime fikse mbi implante, proteza të të gjitha llojeve.

Cili është suksesi i klinikës “Ledi Smile”?

Një nga gjërat që pëlqej te vetja, është fryma perëndimore që kam marrë. Suksesi i një poliklinike: sa më shumë rreth i zgjeruar bashkëpunëtorësh që funksionojnë, ku mbi të gjitha ka bashkëpunim njerëzor dhe frytdhënës. Kjo ka sjellë mosbërjen e gabimeve, ruajtjen e etikës mjekësore, suksesin e garantuar, përgjegjësinë dhe besnikërinë e pacientëve, të cilët e kanë parë seriozitetin e shërbimeve të ofruara nga specialistë të mirëfilltë përgjatë këtyre 15 viteve.

Zotëroni teknologjinë më të mirë. Sa rëndësi kanë në implementimin e risive dhe fitimit në kohë të shërbimeve ndaj klientëve?

Nga viti në vit vetëm blihen aparatura dhe risi teknologjike, të gjitha perëndimore, por duke qenë se “Ledi Smile” është zgjeruar, ndërrohen herë pas here se kanë konsumim dhe përveç kësaj duhet të jesh gjatë gjithë kohës në një hap me teknologjinë, përveç specializimeve, kurseve, trajnimeve. Para katër-pesë vitesh kam përqafuar një risi në teknologji, që ishin U-veneers, është një teknologji e re për të bërë faceta dentare, në një të pestën e kohës së mëparshme. E veçanta është që përveç fitimit të kohës, risitë në teknologji të japin mundësi të bësh një punë mini invazive me indet, me pak fjalë, pa gërryer dhëmbët sot mund të kesh buzëqeshjen që dëshiron brenda ditës dhe kjo është vërtet fantastike. Mund të them me krenari që jam spikatur dhe në rangjet ndërkombëtare të estetikës dentare dhe kam qenë e ftuar nderi në një event të organizuar në Amerikë me 130 dentistet më të mira femra në SHBA, ku kam trajtuar një workshop lidhur me estetikën dentare dhe rehabilitimet totale të buzëqeshjes të bëra brenda ditës. Surprizimi më i madh ishte që të gjithë u habitën që unë realizoja mrekulli në shndërrimin total të buzëqeshjes, madje dhe të fytyrës, në çmime që për atë treg ishin të paimagjinueshme. Dhe për këtë, më vlerësuan dyfish si një vlerë që unë ia kthej shoqërisë shqiptare.

Sa jetojnë këto faceta?

Duke qenë se kanë ngjitje kimike në smalt, pa dëmtuar, jetëgjatësia e tyre është 12-15 vjet. Ama pacienti që vë faceta kompoziti duhet të ketë me patjetër një kulturë të ngrëni, ushqyerje. Kam 15 vjet që merrem dhe kam jashtëzakonisht shumë sukses me to. Materialet kanë evoluar, cilësia kromatike e ngjyrës, kontraktimi i materialit sa vjen e përmirësohen. Mund të bëhen deri në 15 faceta brenda ditës në gojë, në një danturë. Kjo procedurë ka zgjatur 7 deri në 8 orë. Zakonisht duhen vetëm katër ose gjashtë dhëmbët e parë sipër për të ndryshuar realisht dhe tërësisht buzëqeshjen brenda dy-tri orëve, pa i gërryer dhëmbët.

Cili është trendi sa i takon dentistrisë, e më shumë se kaq, i aspektit estetik?

Trendi aktual në të gjithë botën është sa më pak invazivë në inde. Për moshat e reja janë të parapëlqyera këto lloj ndërhyrjesh, pa cenuar smaltin dhe dhëmbin. Të gjithë duam të kemi sa më shumë material dentar dhëmbor. Trendi tjetër është të shikosh si një të tërë tablonë dhe të mos ndërhysh vetëm në një apo dy probleme të çfarëdo lloji. Rehabilitimet totale me rregullimin e problemeve funksionale mjekësore dhe estetike janë trendi aktual më i kërkuar dhe e veçanta jonë është se i realizojmë brenda ditës. Përveç kësaj, jemi në gjendje të ofrojmë një shndërrim edhe të fytyrës.

Ndalemi në aspektin shoqëror, ajo që e karakterizon një grua shqiptare është këmbëngulja, përkushtimi, të ecurit një hap me problematikat dhe vështirësitë e një shoqërie si e jona. Sa të fortë të ka bërë jeta dhe profesioni?

Titan. E ndiej veten të aftë të përballoj çdo gjë në jetë. Jam një femër e fortë. Por, një femër që të funksionojë mirë, duhet të japë maksimumin e vet në të gjitha fushat, në dije, në këmbëngulje, në vetëdisiplinim, në punë. Ky është një profesion human dhe përpara se të jesh një profesioniste e mirë, duhet të jesh NJERI. Ndërgjegjja personale lidhet ngushtë me atë profesionale nëse ti e sheh çdo pacient sikur të ishte ti aty, në vendin e tij. Unë kam dhënë maksimumin dhe kam marrë maksimumin.

Jeni nënë e një djali 8-vjeçar. Si e gjeni kohën mes profesionit dhe birit tuaj?

Uroj të mos gjej më shfajësime, të mos fshihem vetëm pas punës. Më është dashur të punoj fort, për shkak të profilit si mjeke dhe si biznesmene, e kjo dashur pa dashur më ka marrë kohë nga qëndrimi me familjarët e mi. Pa dyshim, duhet të gjeja më shumë kohë për birin tim, por kjo besoj u ndodh shumë nënave si unë, që shumë herët, në ditën e 21-të të lindjes më është dashur të dalë në punë. Një nga planet e mia të këtij viti është të kaloj më shumë kohë me Engjëllin. Ai është shumë i lumtur, që edhe për aq sa më sheh, merr gjithçka nga unë, por mbështetjen dhe rolin e munguar timin e ka marrë ndërkohë nga gjyshja. Ai është i rrethuar nga dashuria.

Nënë autoritare apo bashkëpunuese?

Të dyja, sepse duhet të jesh gjithmonë para-mbrapa. Jam autoritare kur duhet, dhe në përgjithësi, duhet të jem, sepse jam nënë e vetme. Duhet të luaj edhe rolin e babait, dhe nuk duhet të thyhem. Jam bashkëpunuese më shumë seç duhet atëherë kur e shikoj se po i biem të dy të njëjtës gjëje.

Keni të përbashkëta?

Jemi të dy shumë entuziastë, hiperaktivë, energjikë, të dashuruar me muzikën, tingujt, gjërat e reja, librat, pikturën, artin në përgjithësi. Jam shumë artiste tek ajo që bëj, sepse na pëlqen e bukura.

Prej sa kohësh ushtrohet djali në pikturë? Është kjo rruga e tij apo do të pëlqenit të bëhej pasardhësi juaj?

Djali ka dy vjet që ushtrohet me pikturë. Nuk ndikoj në zgjedhjet e jetës. Djalin tim nuk do e bëja kurrë diçka që ai nuk do. Jo të bëhet ai që do, por a ka mundësi të ndryshojë dhe profesion? Është gjë e bukur. Jeta është e larmishme. Të dojë të punojë dhe ta dojë atë që bën. Ushtrohet në pikturë me mësuesin Vangjel Nikolla, të cilin e falënderoj, sepse e ka mbajtur afër si djalin e vet, sepse ka gjetur elemente tek ai dhe i ka përmirësuar. Ka pasur besim dhe i përkushtohet. Kam respekt për të dy bashkëshortët, Vangjelin dhe Anilën. Çfarë ka arritur djali është meritë e profesorit.

Cila është piktura më e bukur që ju tërheq prej tij?

Të gjitha më pëlqejnë. Në pranverën që shkoi, u bë një ekspozitë për 1 qershor te kryeministria, ndërsa aktualisht kemi vendosur që t’i grumbullojmë pikturat dhe Engjëlli do të hapë një ekspozitë, e premtuar nga unë dhe profesori. Në çdo punë duhet të ketë një synim dhe i është thënë që duhet të ketë një sasi pikturash që të arrihet kjo gjë, që të hapet ekspozita. Po i shtojmë numrin dhe do të shohim brenda vitit.

Sa emocionuese është të dëgjosh fjalë të mira dhe përgëzime për talentin e tij?

Në princip, nuk jam një nënë që ekzaltohet kollaj. Jeta më ka bërë të thjeshtë në atë që dua, shumë pak kërkuese ndaj Zotit lidhur me fëmijën tim, sepse dua që të jetë thjesht i shëndetshëm psiqikisht, fizikisht, të jetë i lumtur me veten e vet dhe nuk më interesojnë fare as ndonjë 4 që mund të marrë, as ndonjë përshtypje jo të mirë nga profesorët, madje do luftoja dhëmbë për dhëmbë me dikë që gjykon dhe flet pa u thelluar, sepse fëmijën unë e dua edhe sikur të ishte jo i mbarë apo me rezultate jo të mira, edhe sikur mos të dinte të lidhte dy fjalë apo mos të bënte pikturë. E dua se është fëmija im dhe të gjithë duhet t’i duan fëmijët e tyre.

Si e ndani kohën e lirë me djalin, çfarë preferoni të bëni kur jeni me njëri-tjetrin?

Lexojmë enciklopedi, ai që më bën pyetje pa fund dhe unë ndonjëherë nuk di t’i përgjigjem. Më vjen shumë mirë që ai ka lindur në një kohë që shoqëria është më e hapur, më e zhvilluar, një vit i bukur si 2010, sepse u hapën dhe vizat për shqiptarët. Engjëlli është fëmijë që globalizimi do i japë më në fund frytet tek ne, dhe hapja sjell gjithmonë të mira.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top