Marrëdhënie

November 16, 2015 | 11:21

Liliana Hoxha: Pse më përçmonte vjehrra ime

liliNjë nuse dhe një vjehrrë… mund të krijojnë marrëdhënie të ndryshme mes njëra-tjetrës. Mund të ketë luftë të shpallur ose jo, mund të ketë mirëkuptim të distancuar, por mund të ketë edhe miqësi. Në rastin e Liliana dhe Nexhmie Hoxhës, mesa duket ka pasur luftë. Kështu së paku deklaron nusja, e cila nuk harron të thotë se fasada ishte tjetërçka. Ka të ngjarë që të jetë pikërisht ky rasti kur nusja nuk i përmbush pritshmëritë e vjehrrës. Pse? Sepse, së paku teorikisht duhet të ketë një arsye… Liliana Hoxha vinte nga një familje e thjeshtë, jashtë Bllokut? Po, kjo është e vërtetë. Përtej kësaj, Liliana Hoxha këmbëngul se ky fakt ka pasur një ndikim të fortë, në mospranimin, edhe pse të pashpallur më zë të lartë, të vjehrrës. Teorikisht ky duhet të jetë fillimi i një marrëdhënieje që nuk duket premtuese. Më tej? Sigurisht, historia vazhdon. Liliana Hoxha rrëfen shumë detaje mbi bashkëjetesën 18-vjeçare me vjehrrën e saj të pushtetshme. Që nga njohja, dita e martesës, lindja e fëmijës së parë… e deri në ditën kur Blloku u shpërbë dhe gratë nuk jetonin më në të njëjtën shtëpi e për më tepër fi lloi faza e deklarimit hapur të shkëputjes tërësore…

“Konflikti nuse-vjehrrë” është diçka që ka ekzistuar në rastin tuaj. Dhe kjo dihet tashmë, ju e keni deklaruar, por duke e pare problemin në një aspekt të gjerë, kryesisht politikisht e duke dale “jashtë shtëpisë”… A mund ta shihni Nexhmie Hoxhën thjesht dhe vetëm si vjehrrën tuaj të shkëputur nga konteksti i gjerë, pjesë e të cilit ishte?

Sforcohem për t’i dhënë sadopak aspect vërtetësie profilit të saj si nënë, gjyshe, vjehrrë, por fatkeqësisht nuk ekziston për sytë e mi. Brenda shtetit të Enver Hoxhës ajo ishte institucion programor pushteti personal e sot ashtu mbetet, kryesisht në fshehje të këtij fakti.

Cili ishte takimi juaj i parë me vjehrrën tuaj të ardhshme? A vutë re (pavarësisht moshës suaj) një mospranim nga ana e saj (shumëçka ndihet, rrezatohet edhe nëse nuk thuhet me fjalë)? A ishit ju nusja e papërshtatshme, që nuk lidhej me imazhin që ajo kishte në kokë?

Takimi zyrtar ka qenë në K.Q. të PPSH. Pra, më priti në zyrën e saj e jo në shtëpi, ku kisha qenë disa vjet me radhë për Vitin e Ri. Pritja në zyrë, pra pranimi im si personi që mund të ishte nusja e djalit të saj në të ardhmen, ishte një ceremoni ngjethëse. Aty më përcakton pa asnjë motiv që të ndërprisja studimet për fizikë bërdhamore dhe ëndrrën time si studiuese në Institutin Bërthamor, për të vazhduar 4 vjet fakultet të thjeshtë fizike për mësuese. Po aty, më pyet në formë kritike se si është e mundur nga dy prindër komunistë të thirrem “Liliana” e jo Iliriana, siç figuronte vetëm në certifikatën e lindjes. Më dhuroi një fjalim kongresi të Enver Hoxhës, adresuar: Ilirianës.

Parë prej kohës së sotme: pse nuk ishit nusja e duhur? Si duhej të ishte një nuse e duhur për Nexhmie Hoxhën? Si ishit ju?

Parë edhe në kohën përkatëse, unë isha vajzë populli, e dalluar në Tiranë, me prindër thjesht idealistë. Pastërtinë e idealit të tyre unë e manifestoja në çdo qelizë. Nuk pajtohesha me asgjë pa e diskutuar, edhe nëse do të nënshtrohesha e detyruar. Kjo e frikësonte tepër Nexhmie Hoxhën përveç shkeljes së ligjit të pashprehur, që Blloku duhej të ishte i mblesëruar përbrendëshmi, në mënyrë që sekreti të mbetej i mbyllur si në sektet misterioze.

Ndodh që vjehrrat bëjnë haptas diferencime: nusja “numër 1” dhe nusja “tjetër”. Ju padyshim nuk keni qenë “njëshi”…

Unë nuk perceptoja dot të tilla gjëra. Në vitin ‘67 kur kam hyrë në shtëpi të Sokolit, barazia midis njerëzve (përjashto luftën e klasave) ishte tipari kryesor i shoqërisë. Unë isha vetëm 16 vjeç, shumë e lexuar dhe me origjinë kristiane, që më nxiste idealizmin. Kështu isha rritur, e lumtur me këdo që më rethonte brenda e jashtë shtëpisë. Fakti që në shtëpi të Sokolit, përveç dashurisë dhe vlerësimit të Enver Hoxhës, ndjeja diskriminim ndaj tërë familjes sime prindërore, ndaj meje, por edhe ndaj Sokolit vetë dhe fëmijëve të mi, më çonte në pikëpyetje më të mëdha sesa nusja numër 1 apo nusja numër 2.

Sharmi femëror, feminiliteti, shpesh është një arsye e fortë provokuese xhelozie në raporte femërore. Mandej, xhelozia mund të rezultojë një ndjenjë shkatërrimtare. A e keni menduar ju se pavetëdijshëm keni provokuar xhelozi me rrezatimin tuaj femëror?

Jo. Por e di mirë që N.Hoxha nuk e duronte bukurinë dhe inteligjencën e grave si persona publikë të kohës. Ndërsa gjithmonë kam pasur bindjen që gjatë një jete të tërë edhe xhelozitë sfumohen apo shuhen një ditë. Intuitivisht, atëherë dhe sot, kam bindjen që ishte diçka shumë më e egër që dirigjonte gjithçka. Ishte një force shumë më e errët e padeshifrueshme bizantinizmi që programonte bojkotin ndaj nesh, në çdo plan, në Bllok e në nomenklaturë.

A mund të na e ilustroni çfarë thatë për vjehrrën tuaj?

Mesa kam marrë vesh, të gjitha gratë në Komitet Qendror i ka luftuar. Megjithatë do të dal jashtë këtij rrethi për ta ilustruar: Më vjen ndërmend Parashqevi Simaku, në kohën e kulmit të saj. E shikoja me kënaqësi në klipet, mund të them e magjepsur. E në një rast të tillë, tek unë ndiqja nga ekrani këngëtaren, dëgjoj zërin e N.Hoxhës që thotë: sa inat e kam…

Fasada dhe e brendshmja, në ç’raport kanë qëndruar në rastin tuaj? Cila ka qenë figura së jashtmi e vjehrrës suaj? Gjithnjë brenda familjes.

Nëna e Sokolit vuante nga kompleksi i sindromës së të gjithëpushtetshmes mbrapa krahëve të Enver Hoxhës, ndërkaq që përpara tij luante gruan e vetësakrifikuar vetëm ndaj shëndetit të tij. Me personalitet të dyfishtë… ishte e zorshme t’i shihje të brendshmen, të ndrydhur e të vetëkontrolluar mjeshtërisht.

A e kujtoni ditën tuaj të dasmës… e kam fjalën gjithnjë në raport me vjehrrën e ardhshme…

Jo më kot Sokoli u martua më parë nga Iliri me kërkesën e Enver Hoxhës… Dita e dasmës mbetet më e bukura e jetës, krahas ditës kur lindën fëmijët e mi. Helmi që lëshonte nëna diktaturë pse u martua i pari Sokoli, ishte me të tepërt. Urimi “special”, kokë më kokë, më buçet akoma në vesh: “Qofsh e lumtur, por më e lumtur nga unë nuk do të jesh!”.

A ju vijnë ndërmend detajet e këtij momenti?

S’është diçka që harrohet lehtë. Ishte 24 marsi i vitit 1974. Unë isha e veshur nuse, N.Hoxha më thërret në dhomën time të gjumit. Nuk mund ta mohoj, gjërat e bukura janë mikluese. U ndjeva e mrekulluar nga një detaj i kujdesshëm: mbi jastëkun e shtratit martesor ishte një kuti me çokollata, vendosur posaçërisht nga ajo. U mallëngjeva nga një intimitet i tillë, nga gjesti… Por, pas kësaj… N.Hoxha foli shkurt dhe doli nga dhoma. Nuk mund ta përshkruaj çfarë ndjeva. Fjalët janë të pamjaftueshme në një rast si ky. Është shumë e madhe dhembja dhe e pakuptueshmja, për t’u thënë me fjalë.

E keni thirrur vjehrrën tuaj “mama”?

Jo. Nuk ishte e domosdoshme, por sidomos nuk do të guxoja. Me një akullnajë permanente në mes tonë, ajo nuk të jepte asnjë mundësi komunikimi në vetë të parë. I jam drejtuar me “Ju” vetëm për domosdoshmëri komunikimi të drejtpërdrejtë.

Të flasësh me “ju” në një familje… duhet të jetë e mundimshme… Kjo ishte mënyra e komunikimit në familjen e Enver Hoxhës? A i drejtoheshit atij gjithashtu me “ju”?

Po, është e lodhshme, por pikërisht kështu mund t’i drejtohesha N.Hoxhës, me distancën që donte ajo nga njëra-tjetra. Duhet të them se në të njëjtën mënyrë i drejtohesha Enver Hoxhës. Por krijohej me të një lidhje e brendshme. Ëmbëlsia e tij në komunikim e sfumonte atë “ju”-në me të cilën i drejtohesha edhe atij…

Një nuse e re (nuk e kam fjalën për raste atipike si i juaji, por edhe situatat atipike nuk i kanë krejt inekzistente elementet tipike) dëshiron të jetojë në një shtëpi të sajën, të re, me bashkëshortin. Ju, në të vërtetë preferuat (ishte zgjedha juaj) të jetonit në vilën e numrit një të shtetit të asaj kohe. Në fund të fundit pse jetuat në një shtëpi me vjehrrën, kur besoj fort se i kishit gjitha mundësitë për të pasur hapësirën tuaj tërësisht vetjake?

Ndonëse ëndërroja të jetoja më vete, nuk do të kisha guxuar ta kërkoja, pikërisht prej “vigjilencës” së saj, siç e kuptoja unë gjithmonë në përkujdesje për të mos shqetësuar Enver Hoxhën, i cili ndërkaq nuk jetonte dot pa Valbonën. Por në vitin ‘80 çuditërisht ishte personalisht gruaja e Enver Hoxhës që më propozoi befas më vete, që unë e Sokoli të jetojmë jashtë Bllokut. Sokoli u befasua nga propozimi, por nuk iu largua të atit, sepse pikërisht kjo ishte dëshira e shumëshprehur e babait të tij. Në ‘89-‘90 unë propozoj me ngulm që e gjithë familja e Enver Hoxhës të largohej në banesa të zakonshme. Çuditërisht këtë radhë Nexhmie Hoxha m’u lut të mos i prishja planin e premtimit prej Ramiz Alisë, se do të na linte të jetonim secili në apartamentet tona. I thashë qartazi që nuk ishte e drejtë të qëndronim më tej, por edhe që po iludohej. Kështu, largohem e para me Sokolin dhe fëmijët nga shtëpia.

Gjatë bashkëjetesës rreth 18-vjeçare, cili ishte vendi juaj në familjen e madhe? A e kishit vendinqë duhej të kishit? Konkretisht…

Vendin në protokollin familjar s’ma cenonin dot, aq sa unë të shqetësohesha, edhe pse kanë provuar ta bëjnë. Para Enver Hoxhës ishte e pamundur. Pas tij s’kishte më rëndësi. Kanë provuar ta bëjnë! Kanë provuar. Pas vdekjes së Enver Hoxhës qe planifikuar një vizitë e familjes në shtëpinë e Ramiz Alisë. Do të shkonin të gjithë, siç ndodhi, me përjashtimin tim. Pak para nisjes, Nexhmia më thotë: ti Liliana mos eja, meqë Sokoli nuk është këtu. Nuk reagova, por u ndjeva keq nga diferencimi, apo përjashtimi…

Çfarë dhurate kujtoni të keni marrë nga vjehrra juaj? A ju bënte? A i keni bërë ju asaj?

Dhurata protokolli për të dyja nuset njëherësh apo për përvjetorë të mëdhenj. Asgjë për t’u shënuar si kujdes i posaçëm për mua. Madje, asnjë fustan për Valbonën e dashur të gjyshit. Ishte ndërkaq një spilë e artë që ma dhuroi në prani të Enver Hoxhës (ndaj e konsideroj me të drejtë dhuratë të tijën) ditët e para kur premtova të jetoj në shtëpinë e tyre me kërkesën e këtij të fundit, por me kushtin tim: pa asnjë status, thjesht një vajzë që po njihet me Sokolin. Ishte viti ‘72. Unë gëzohem vetë kur i bëj dhurata kujtdo, madje spontanisht, jo më gruas së Enver Hoxhës, aq më tepër nënës së burrit tim. Ajo i refuzonte.

Një rast?

Një herë shprehu dëshirën për një pallto gri, si timen. Unë kisha akoma nga ai stof. U ngrita nga tryeza dhe ia solla. Ajo nuk e pranoi, as në sytë e Enver Hoxhës. I vrenjtur, ai iu drejtua: ‘‘Merre, vajza po ta bën dhuratë!’’ Ndryshe ishte me dhuratat që i bëja babait të Sokolit me iniciativën time prej kalamani, se jetës së tij prej asketi nuk i duhej gjë. Çuditërisht vogëlsirat që i sillja e gëzonin shumë. Ishte një zinxhir me një delfin të madh, si relike burrash, për t’u mbajtur në dorë, të cilin e pëlqeu dhe e përdori me kënaqësi. Më vonë më tha: ‘‘Edhe pse nuk e mbaj në dorë, shih ku e kam’’, dhe hapi sirtarin e parë të skrivanisë. Delfini ishte aty. Enver Hoxha do të vishte, qoftë edhe vetëm një here në mënyrë demonstrative, për të më bërë qejfin, çdo këmishë apo pulovër që i bëja dhuratë, gjë që është e filmuar.

Mbërritja e bebit, shpesh është një arsye ridimensionimi në marrëdhënien nuse-vjehrrë. Konfliktet, nëse kanë ekzistuar, edhe mund të fashiten. Ardhja e Valbonës në shtëpi çfarë ndryshoi në marrëdhënien tuaj me vjehrrën… kam parasysh edhe faktin që ishte mbesa e parë, për më tepër e preferuara e gjyshit…

Besoja se ardhja e Valbonës do të na afronte. Ajo, grua shteti e nënë me eksperiencë, unë, nënë e re që desha të rrisja fëmijën siç do të më orientonte gruaja e Enver Hoxhës. Duke u rritur vajza, u pa qartazi që i përkiste vetëm gjyshit.

Doni të thoni se do të kishit mirëpritur imponimin e saj prej vjehrre? Do t’ia kishit “dorëzuar” vajzën asaj, nëse do të ishte shprehur një kërkesë e tillë?!

N.Hoxhën e idealizoja apriori, mjaft që ishte gruaja e Enver Hoxhës. Do të bëja gjithçka që do të diktonte ajo në mirëbesim për mbarëvajtjen e fëmijës, siç i besova trajtimin tim shëndetësor që, me kohë, rezultoi invadim kriminal. Ndaj fëmijëve të mi ishte mizorisht shpërfillëse, deri në përbuzje, si për të gjithë njerëzit e thjeshtë.

Kujtoni t’ju kenë ardhur lule në maternitet? Nga kush?

Padyshim, ishte lindja e parë. Kujdesi protokollar i N.Hoxhës s’më ka munguar. Ajo çfarë më ka munguar ishte kujdesi shpirtëror. Dashuria është ajo që s’e kam ndjerë. Përkundër kësaj kam ndjerë përçmimin dhe luftën prapa shpine.

Vjehrra juaj ishte një gjyshe që i “trembej” fjalës gjyshe – siç ka raste me gra të pushtetshme, të famshme apo të bukura, të cilave fjala gjyshe u sjell ndërmend kalimin e moshës, pleqërinë – apo thjesht nuk kishte përzemër vajzën e Liljanës?

Nexhmia s’donte asgjë prej Liliane. As vajzën e Lilianës, deri edhe Sokolin…

Tashmë, ju jeni vetë vjehrrë. Në të vërtetë vjehrrat e sotme, bashkëkohore, janë shumë mendjehapura. Krijojnë marrëdhënie barazie me nuset. Ndaj, nuk do t’ju pyes se si është marrëdhënia juaj me nusen. Por: si ishte takimi juaj i pare me nusen e djalit. Impakti që patët?

Përveçse shumë e bukur, tërësia e saj më dha ndjesinë e freskisë dhe transparencës së një pike vese.

E nëse nuk do të ishte kështu? Fundja çdo nënë ka një model në nënvetëdijen e saj për atë që djali i saj “meriton”, e mes asaj që nëna përfytyron dhe vjehrra përjeton në takimin me nusen (sidomos në të parin) mund të mos ketë përputhje. Kjo është një pyetje hipotetike, por sidoqoftë më intereson të di se si e mendonit ju nusen e djalit, çfarë prisnit paraprakisht?

Besjana i përmbush të gjitha përfytyrimet e një nëne për lumturinë e djalit të saj. Përputhet pikërisht me imazhin tim dhe të çdo nëne për nusen e djalit. Në kompleksitetin e saj është thjesht një mrekulli që më mrekullon. Kjo është e rëndësishme, se është fakt, realitet. Tjetër gjë është që unë do ta desha cilëndo vajzë, po të ishte e zgjedhura e djalit tim.

A i bëni dhurata nuses suaj?

Marrim rast special: Spilën e artë, dhuratën e parë dhe të vetme të posaçme për mua nga Nexhmia e Enver Hoxhës sa u futa në shtëpi të tyre, e kam ruajtur me xhelozi si kujtim të çmuar, pa e vendosur kurrë mbi vete, pikërisht për nusen e Shpatit. Kështu që sa futi këmbët Besi në shtëpinë tonë,(edhe ajo ende pa status), ia dhurova duke i thënë: “Ndryshe nga unë, ti do të jesh e lumtur!”

Pse pikërisht këtë dhuratë të vjehrrës suaj? A kishte një domethënie?

Domethënia është historike. Nexhmie Hoxha për mua mbetet gruaja e Enver Hoxhës dhe për këtë ka vlerë historike. Në këtë rast arrij të ndaj ndjesitë që ajo më përçonte nga fakti që ishte gruaja e tij. Atë spilë ma dhuroi në sy të Enverit, dhe pa asnjë rast. Gjithmonë e kam ndjerë atë dhuratë edhe të tij. Në vetvete ishte një gjë e bukur. Nuses sime i dhurova një gjë të çmuar me historinë që përmbante, por me një tjetër urim.

Jetoni në shtëpi të veçanta: e megjithatë, a ndodh që t’i imponoheni? T’u jepni një mendim të pakërkuar…?

Nuk më pëlqen të jem e kontrolluar me djalin e nusen. Flasim lirisht për alternative zgjidhjesh pa lënë hatërmbetje të kota pezull.

Si e përfytyroni veten si gjyshe e fëmijëve të djalit tuaj? Deri më tash a ju ka ndodhur t’u tregoni se ç’duhet të bëjnë në këtë rast? Fundja, a i keni pyetur se cilat janë planet e tyre në lidhje me një bebe?

Jam dy herë gjyshe nga Valbona me të dëlirën Ines e çamarrokun Kevin. Nuk besoj se ka grua që ngopet së qeni gjyshe. Por di të pres lumturinë tjetër. U kam ofruar ndihmën time, pa asnjë domethënie të veçantë, përveçse: unë në funksion të nevojave të Besjanës.

Më në detaje, cila jeni si gjyshe me nipërit që keni? A jeni marrë me fëmijët e Valbonës? A i ndërhyni asaj?A kërkoni t’i tregoni se ç’duhet të bëjë?

Valbona është nënë e jashtëzakonshme. Ndërsa unë, gjithmonë e dobët nga shëndeti. Vetësiguria e Valbonës si nënë më ka lënë gjithmonë në poltronën e gjyshes që pret përditë mbesën e nipin, për të luajtur si të duan ata, e aty-këtu lodra më edukative të propozuara nga gjyshja. Nuk më është dashur t’i ndërhyj. Do ta bëja pa hezitim pa e konsideruar ndërhyrje, por thjesht një mendim, e vetëdijshme që zgjidhja i takon Valbonës e Gencit.

A ju ndodh, tek jeni përballë nuses suaj, të kujtoni kohën kur keni qenë si ajo e re, përballë vjehrrës suaj. Ç’ju vjen në mendje? Si e sheh një nuse vjehrrën e saj në momentin që bëhet vjehrrë vetë?

S’ka asnjë paralelizëm, se unë isha nuse e ekzemplarit N.Hoxha të diktaturës, kurse Besjana është nuse në degëzimin më të ëmbël të Enver Hoxhës. Ajo që më mungoi mua, nuk do t’i mungojë kurrë Besjanës. Enver Hoxha më emancipoi e më bëri të barabartë me veten e tij. Besjana erdhi e emancipuar dhe e barabartë midis nesh.

Në distancën e viteve, si e shihni vjehrrën tuaj? A mund të përfytyrohet mundësia e rivënies së një marrëdhënieje kortezie? Tek e fundit: a ekziston falja?

Sot është një grua që duhet respektuar, së paku prej moshës, edhe së largu. Marrëdhënia e kortezisë do të ishte një hipokrizi nga ana ime, më fajtore nga hipokrizia e saj gjatë diktaturës. Por mbetet ana njerëzore. Ia kam thënë asaj vetë: po të mbetet (larg qoftë!) e vetme pa dy të dashurit e saj, do të jetojë me mua për lidhjen e gjakut, ndonëse nuk e ndjemë kurrë. Sa për “faljen” është një temë apo më shumë një proces zhvillues shumë i komplikuar, që duhet trajtuar më vehte. Së pari, s’më takon mua ta fal në emër të shqiptarëve. Së dyti, në emër të Enver Hoxhës e lidhjes së gjakut do të ishte kapërcyer çdo gjë, po të mos pozicionohej në fshehje të krimit ndaj të shoqit, duke u vetëndjerë e akuzuar për vdekjen e tij. Apo të kish treguar shenjën më të vogël të afrimit e të keqardhjes për “budallallëkun” tonë, në vend të presioneve e kërcënimeve në vazhdim. Shpesh një nuse sakrifikon, e “pranon” vjehrrën për hir të bashkëshortit.

Ju më thatë se nuk keni ikur nga shtëpia e përbashkët për të jetuar më vete, për të plotësuar një dëshirë të bashkëshortit tuaj: a jeni shpërblyer në këtë sacrifice tuajën?

Prej Sokolit jam e shpërblyer në gjithçka. Jeta ime nuk mbeti fatalitet. Ne e ruajtëm dashurinë të përjetshme, kompletuam cilësisht familjen tonë të rrezikuar keq këto 20 vjet revanshi politik, por sidomos nga ai i luftës brënda llojit. Rezistenca e heshtur e Tolit tim përkrah meje, është heroizmi më i madh që mund të bëjë një burrë i matur në kushtet e jashtëzakonshme të tij.

Arta Marku

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top