Radiografi

May 21, 2020 | 8:04

Luis Medical Center: Profesionistët e vërtetë!

Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj

Askush nuk ka bërë dot pakt me Zotin dhe as me djallin nëse do mundej padyshim, që në këtë jetë dramatike ku asnjëherë se di ç’të sjell e nesërmja, të mos ketë asnjëherë të vetme në jetë probleme me shëndetin. E nëse shqetësimi vjen papritur apo si ka trokitur disa herë në portën tënde: një tumor në gjendrrat e pështymës apo një problem kronik në bajame. Në këtë klinikë janë jo të pakta rastet ku dështimet në rimodelimin e hundës gjejnë zgjidhje përfundimtare.

E mira është të kesh informacionin e duhur se ku duhet të drejtohesh, sidomos për probleme specifike dhe jo thjesht për kirurgji të përgjithshme. “Luis Medical Center”, ky gjigant mjekësor me diapazon të gjerë trajtimesh, nuk të zhgënjen. Edhe do ndihesh në ambientet e tij si në shtëpinë tënde, edhe nëse ke një rekomandim nga miq e të afërm që kanë të njëjtën përvojë, apo dhe nëse ke trokitur në derën e tij krejt rastësisht. Mjeku me përvojë shumëvjeçare Dr.Besim Boçi është aty, për t’i treguar kujtdo pacienti të shqetësuar, se falë duarve të arta të ekipit mjekësor dhe teknikës më të fundit diagnostikuese e trajtuese ardhur në Shqipëri, gjithkush do të gjejë qetësinë e shprishur.

Si lindi ideja për hapjen e “Luis Medical Center”, në një kohë kur konkurenca ishte shumë e madhe në fushën e mjekësisë dhe veçanërisht në specialitetin tuaj?

Është e vërtetë që klinika “Luis Medical Center” u hap në një kohë kur në Tiranë, por jo vetëm, kishte me dhjetëra struktura të tjera private që ofronin shërbime mjekësore në specialitetin tonë dhe konkurrenca ishte shumë e madhe, po të kemi parasysh këtu që në këto struktura private punonin dhe shumë mjekë të huaj. Klinika u hap në sajë të iniciativës së kolegëve të mi dhe timin, me të cilët unë aktualisht punoj në këtë klinikë. Që në fillim nuk kishim asnjë dyshim në mbarëvajtjen dhe suksesin e klinikës, pasi besonim në profesionalizmin tonë, dhe ky fakt nuk na trembte nga konkurrenca. Në sajë të këtij profesionalizmi dhe korrektësisë me pacientët, puna jonë ka njohur vetëm rritje, duke u bërë kështu si pikë reference për trajtimin e sëmundjeve të hundës, veshit dhe fytit.

Cilat janë shërbimet e veçanta dhe teknikat e reja që ju ofroni në klinikën “Luis Medical Center?

Në klinikën tonë fokusi kryesor është në kirurgjinë plastike të fytyrës, ku pjesën më të madhe të ndërhyrjve e zë, rimodelimi i hundës dhe veshëve, blefaroplastika, dhe trajtohen me sukses të gjitha sëmundjet e hundës, sinuseve, veshit dhe fytit. Një pjesë e mirë e ndërhyrjeve kryhen për korrigjimin e rinoplastikave të dështuara, raste të cilat janë jo të pakta, me rezultat të mirë si përsa i përket anës funksionale, ashtu dhe asaj estetike. Falë aftësive të stafit të klinikës, për trajtimin e patologjive përdoren teknikat më bashkëkohore si: kirurgjia endoskopike funksionale e sinuseve (FESS), heqja e masave tumorale dhe polipeve në laring me shaver, parotidektomia me monitorim të nervit facial, heqja e bajameve me teknikën më të fundit ligashur, etj.

Si një klinikë e fokusuar në kirurgjinë plastike të fytyrës, më lejoni ta nisim me rimodelimin e hundës. Cilët janë shkaktarët që çojnë në deformimin e hundës, dhe a ka ndikim ky deformim në gjendjen shëndetësore të pacientit?

Rimodelimi i hundës në ditët e sotme është kthyer në tendencë në moshat e reja, por jo vetëm, pasi kanë filluar ta kërkojnë edhe moshat mesatare dhe mbi mesatare. Në “Luis Medical Center” rimodelimi i hundës zë pjesën më të madhe të ndërhyrjeve dhe nga viti në vit numri i pacientëve që kërkon këtë nderhyrje sa vjen e rritet, kjo falë rezultateve shumë të mira estetike. Shkaqet e deformimit të hundës në pjesën më të madhe të rasteve janë të lindura, por nuk përjashtohen edhe traumat e ndryshme në fëmijërinë e hershme apo më vonë. Në një pjesë të rasteve, deformimi i hundës shoqërohet edhe me çrregullime të frymëmarrjes me hundë, dhe në këto raste është i domosdoshëm korrigjimi funksional dhe estetik në të njëjtën kohë. Ndikimi i një hunde të deformuar te pacienti ndikon në gjendjen psikologjike të tij, pasi nuk ndjehet mirë me veten. Korrigjimi në këto raste është i domosdoshëm, pasi një hundë estetikisht e bukur ndryshon gjendjen psikologjike dhe emocionale të pacientit, duke e bërë atë të ketë më shumë besim dhe vetëvlerësim për veten.

A keni raste të rimodelimit të hundës të cilat kanë dështuar nga ndërhyrje të mëparshme?

Revizionimi i rasteve të dështuara zë një përqindje të konsiderueshme në klinikën tonë. Rindërhyrja përfshin korrigjimin e anës funksionale dhe estetike, pasi shpesh pacientët ankohen për të dyja këto shqetësime. Revizionimi natyrisht është një procedurë jo e lehtë dhe kërkon një eksperiencë kirurgjikale të madhe për të arritur atë që kërkon pacienti. Shkalla e rezultatit përfundimtar varet nga strukturat anatomike të dëmtuara nga kirurgjia e mëparshme dhe në raste kur këto dëmtime janë të mëdha, si material zëvendësues mund të merret kërc nga veshi.

luisRimodelimi i veshëve ose aurikuloplastika bëhet vetëm për qëllime estetike apo edhe për arsye të tjera shëndetësore?

Rimodelimi i veshëve llapush është një tjetër ndërhyrje estetike që kryhet në klinikën tonë dhe është i shpeshtë ndër operacionet plastike të fytyrës. Është një deformim që shkakton probleme sociale dhe ndrojtje, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Kryesisht bëhet për qëllime estetike, dhe në raste të rralla shoqërohet me anomali të tjera të veshit. Është ndërhyrje që duhet të kryhet që në moshë të vogël, (pas moshës 5 vjeç) për të shmangur pasojat sociale të fëmijës me fillimin e shkollës.

Çfarë janë shtrembërimet e perdes së hundës dhe a kanë ato pasoja?

Shtrembërimi i perdes së hundës është një çrregullim i shpeshtë në specialitetin ORL dhe në shumë raste ndikon edhe në formën e jashtme të hundës. Teorikisht, hunda ndahet në dy zgavra të barabarta nga perdja e hundës, por në praktikë, rrallë ndodh që kjo perde të jetë në qendër. Shkaqet në pjesën më të madhe janë të lindura, si pasojë e rritjes jo të njëjtë të kockave të fytyrës; kocka që rritet më shumë, shtrembëron tjetrën dhe për pasojë, rezultati është një perde e devijuar. Edhe traumat e ndryshme njihen si shkaqe të shtrembërimit. Pasojat janë kryesisht në prishjen e cilësisë së jetës, pasi këta të sëmurë marrin frymë me gojë; infeksionet e herë pas hershme në sinuse, duke i predispozuar për sinuzite akute dhe kronike; çrregullime të ajrosjes së veshit të mesëm. Në pjesën më të madhe të rasteve, shtrembërimi i perdes së hundës ndikon edhe në formën e saj nga pamja e jashtme.

Infeksionet kronike të bajameve janë të shpeshta, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Kur duhet të hiqen ato? A ka vlerë trajtimi i herë pas hershëm i tyre me antibiotikë për të parandaluar heqjen e tyre?

Infeksionet e bajameve janë shumë të shpeshta te fëmijët e vegjël dhe zënë një pjesë të konsiderueshme të vizitave në kabinetet ORL. Nga praktika jonë, shpesh prindërit refuzojnë t’i heqin bajamet te fëmijët e tyre. Ky refuzim lidhet me frikën sipas tyre që kanë, pasi fëmija i tyre mund të vuajë shpesh nga “infeksione të shpeshta në rrugët e poshtme të frymëmarrjes”. Ky pohim nuk është aspak i vërtetë pasi bajamet është e vërtetë që kanë një rol shumë të vogël mbrojtjës, por ky funksion i tyre pas moshës 8-9 vjeç zbehet plotësisht. Në rastet kur ato infektohen disa herë në vit, i vetmi trajtim është heqja e tyre. Heqja e tyre ka dy indikacione kryesore: i pari lidhet me infeksionet e tyre disa herë në vit (7 herë vitin e parë, 5 herë për dy vjet rresht dhe 3 herë për tre vjet rresht) për të parandaluar ndërlikimet në organet e tjera si: infeksionet urinare, ethet reumatizmale dhe ndërlikimet në zemër; indikacioni i dytë është kur bajamet nuk infektohen, por janë shumë të zmadhuara dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje te fëmija dhe apne nokturne apo mbytje në gjumë.

A ka vlerë mjekimi me antibiotikë nëse mbjellja rezulton streptokok? Si realizohet pranë klinikës “Luis Medical Center” heqja e tyre?

Mjekimi me antibiotikë është i justifikuar vetëm nëse i sëmuri ka temperaturë si pasojë e infeksionit bakterial të bajameve dhe nuk duhet të përdoren antibiotikë në asnjë situatë tjetër. Nuk duhet të jepen antibiotikë edhe kur mbjellja rezulton streptokok nëse pacienti është klinikisht shëndoshë, pa asnjë shenjë klinike. Dhënia e antibiotikut për të parandaluar një infeksion në bajame, të cilin nuk e dimë se kur do të ndodhë, nuk këshillohet. Në klinikën tonë heqja e bajameve kryhet me metodën më të fundit që quhet ligashur. Heqja me këtë metodë pakëson dhembjet dhe hemoragjinë gjatë dhe pas ndërhyrjes tek i sëmuri, krahasuar me metodat e tjera.

Nga eksplorimet në rrjetet sociale dhe në youtube kam vënë re që në klinikën tuaj në mënyrë ekskluzive trajtohen tumoret e gjëndrrave të pështymës me ekspozim dhe ruajtje të nervit facial. A mund të na informoni lidhur me këtë patologji, pasi kemi pak informacion?

Tumoret e gjëndrave të pështymës dhe veçanërisht tumoret e gjëndrës parotis (gjëndrës përreth veshit) janë të shpeshta dhe në pjesën më të madhe të rasteve (80% e tyre) janë tumore beninje dhe lokalizohen në pjesën e sipërme të gjëndrës. Heqja e tyre është jo e thjeshtë dhe shpesh këta të sëmurë refuzojnë heqjen e tyre për shkak të dëmtimit të nervit të fytyrës me pasojë paralizën faciale. Nervi i fytyrës përshkon gjëndrën mespërmes me pesë degët e tij, dhe më pas shpërndahet në të gjithë fytyrën. Në klinikën “Luis Medical Center”, kjo ndërhyrje kryhet me monitorim të nervit facial, duke shmangurpothuaj plotësisht dëmtimin e tij.

A trajtohen në klinikën tuaj sinuzitet dhe sëmundje të tjera që i shkaktojnë ato?

Sinuzitet kronike kanë një sërë shkaqesh, ku ndër të tjera përmendim polipet e hundës, rinitet alergjike, shtrembërimet e perdes së hundës, mykozat, tumoret, etj. Shenjat klinike të tyre janë të shumta dhe prishin ndjeshëm cilësinë e jetës. Trajtimi i tyre është kompleks dhe përfshin atë kirurgjikal dhe medikamentoz. Trajtimi kirurgjikal i tyre kryhet me anë të endoskopisë dhe në klinikën tonë kryhet me rezultate shumë të mira. Tashmë klinika jonë ka një përvojë të madhe në trajtimin endoskopik të sinuziteve dhe rastet e rikthimeve janë shumë të rralla.

Në vendin tonë sëmundjet e gjëndrës tiroide janë të shpeshta, veçanërisht zmadhimi i tyre apo siç njihet ndryshe struma. Të ndalemi te kirurgjia e gjëndrës tiroide e cila hiqet pa dëmtim të kordave të zërit në klinikën tuaj. Si kryhet kjo ndërhyrje dhe sa është koha e rehabilitimit?

Zmadhimi i gjëndrës tiroide është sëmundje e shpeshtë në vendin tonë, veçanërisht në disa zona, që quhen edhe zona endemike. Zmadhimi tyre apo struma, janë indikacione për heqjen e tyre. Heqja e tiroides është ndërhyrje që nëse nuk kryhet nga kirurgë me përvojë, ka jo pak pasoja. Kjo ndërhyrje mund të shoqërohet me dëmtim të njërës kordë të zërit dhe në këtë rast, i sëmuri ka ngjirje të zërit; ndërsa në rastet kur dëmtohen të dyja kordat, i sëmuri ka vështirësi në frymëmarrje dhe shpesh sigurimi i frymëmarrjes arrihet nëpërmjet hapjes në pjesën e përparme të qafës (trakeotomi). Kjo dikton që kjo kirurgji duhet të kryhet nga kirurgë me shumë përvojë. Falë stafit tonë të specializuar vetëm në këtë nënspecialitet, heqja e tiroides në “Luis Medical Center” kryhet pa asnjë ndërlikim, duke ruajtur plotësisht zërin tek i sëmuri dhe me një kohë rehabilitimi që shkon jo më shumë se 24 orë. I sëmuri mund të flasë menjëherë pasi del nga salla dhe nuk ka asnjë shqetësim.

Trajtimi i variçeve me lazer është i vështirë, por falë stafit tuaj po gjen zgjidhje në klinikën tuaj dhe me rezultate shumë të mira. Sa kohë zgjat si procedurë dhe sa është rehabilitimi pas ndërhyrjes?

Trajtimi i variçeve në klinikën tonë kryhet me lazer dhe jo me kirurgji të hapur me rezultate shumë të mira. Teknika konsiston në futjen e sondës së lazerit në venën e zgjeruar dhe tërheqja e saj mbrapsht për të mbyllur plotësisht venën. Futja e sondës së lazerit kryhet nën kontrollin e EKOS guidance nga kirurgu, për të shmangur çdo gabim gjatë ndërhyrjes (saktësi dhe precizion). Hapja për të futur sondën bëhet në lëkurë dhe është 1 mm. Procedura në sallën e operacionit zgjat mesatarisht 1 orë, por kjo është në varësi të përparimit të sëmundjes. I sëmuri pas 2-3 orësh është në gjendje të lëvizë, nuk ka dhimbje, dhe brenda ditës shkon në shtëpi.

I kthehemi kirurgjisë plastike, për të folur për kirurgjinë plastike të barkut dhe gjoksit. A janë të shpeshta rastet në klinikën tuaj?

E përmenda dhe më sipër, në ditët e sotme kirurgjia plastike është kthyer në tendencë, që do të thotë që, edhe për këto ndërhyrje rastet janë të shumta. E bukura pëlqehet nga të gjithë, dhe ne jemi vazhdimisht në kërkim të saj. Kjo kirurgji kryhet me shumë sukses në klinikën tonë, ku rastet për zmadhimin e gjoksit me anë të protezave apo ngritja e tij, heqja e dhjamit në bark me metodën e thithjes apo ndërhyrjes së hapur, janë tashmë rutinë. Falë rezultateve të mira, numri i pacienteve sa vjen dhe rritet.

Një shërbim tjetër shumë i veçantë dhe ndoshta i vetëm në vendin tonë është edhe ndërhyrja endoskopike minivazive për trajtimin e hernies diskale dhe dhimbjeve të kolonës. Çfarë do të thotë kjo për të sëmurët që kanë këto shqetësime dhe që duan t’i zgjidhin këto probleme?

Ndërhyrja konsiston në korrigjimin e hernies së shtyllës kurrizore me teknikat endoskopike mini invazive. Procedura është shumë e shkurtër dhe i sëmuri mund të largohet në shtëpi pas 3 orësh. Një tjetër risi është trajtimi i dhimbjes së kolonës, duke injektuar lënde mbushëse, duke shmangur kështu shtypjen e nervave, të cilët shkaktojnë dhembje. Rehabilitimi me këto teknika është i menjëhershëm me një rezultat të shkëlqyer.

 

Luis Medical Center – Rruga “Gjikë Kuqali”, ish-Shushica, pranë stadiumit Dinamo, Tiranë
+355 (0) 44520431 | +355 67 408 8725 | luismedical | luis_medical_center
[email protected] | 
[email protected] | www.luismedicalcenter.com

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top