Marrëdhënie

April 9, 2020 | 8:07

Manula Kotini: Ikona e dashurisë së parë… përjetimi i ndjenjës si zgjidhje në çifte edhe pse të martuar

 

 

E njoh si rast të përgjithshëm, me pak ose shumë të fshehta brenda saj. Fillon me dëshirën e brendshme për t’u zhvendosur nga guri i rëndë i mospërfilljes reciproke, në lehtësimin e përfilljes reciproke. Nuk njeh as paragjykime se çfarë do të ndodhë më tej. Dashuria e parë, e cila ka në brendësinë e saj të bukurën, xhelozinë, shenjtërimin, puritanizmin, lirinë e mohuar dhe lirinë e fituar.

Manula Kotini Avokate

Manula Kotini
Avokate

Në të vërtetë, sa dashuri të para përjetojnë njerëzit dhe ku jemi sot me përcaktimin e dashurive të para. Të jesh vetëm për sytë e tij, ose të jesh vetëm për sytë e saj. Ky është kuptimi postmodern i dashurive të para. Ndryshe nga kohet e kohëve të mëparshme, kohë në të cilat dashuria e parë ishte një dhe e vetme, në ditët e sotme do të doja ta përcaktoja si dashuri të dukshme dhe dashuri të padukshme në sytë e xhentëllmenëve dhe xhentëllmensave në sallonet mondane. Apo edhe e kundërta, dashuri e dukshme ose e padukshme në sytë e matmazelave dhe madamave në sallonet me burra dhe bashkëshortë. Çfarë fshehin në të vërtetë dashuritë e para kur krahasohen me njëra-tjetrën?

Dashuria e parë dhe kuptimi i saj në dimensione të ndryshme ndodhet në brendësinë dhe sipërfaqen e asaj që njerëzit shohin te vetja dhe të tjerët. Të dashurosh për herë të parë në kuptimin se po provon për herë të parë një ndjenjë, edhe kjo është e shpjegueshme, por kundërshtueshmërisht. Kjo për vetë idenë konceptuale se, njeriu qysh në lindjen e tij ka provuar të ndjejë për nënën dhe babanë. Kjo është kubatura e ndjenjës së dashurisë në suazën familjare. Ndërkohë që kompleksi i Edipit nis nga elasticiteti i thyeshmërisë së tij, njeriu nis të ndjejë një ndjenjë të re gjithnjë brenda idesë së konceptit dashuri e parë. Pa u larguar nga dashuria e parë si togfjalësh, njeriu ndjen po me largimin e tij nga Edipi mëmësor i dashurisë së parë. Djemtë e ndjejnë veten të larguar nga Edipi mëmësor në çastin që krijojnë indet e para të ndjenjave të jashtme për një femër tjetër, e cila nuk është mamaja. Vajzat krijojnë vetë mburojën e tyre të parë të mbrojtjes së moscenimit të privatësisë së tyre të parë për një djalë. Por në të vërtetë, gjithnjë qëndrohet te dashuria e parë, si në konceptin familjar, dhe në atë shoqëror, e më vonë në një koncept tjetër, atë të dashnorellëkut të fshehtë, jo për sytë e të tjerëve.

Në studimin e këtyre tri koncepteve të ndryshme nga përbërja e dashurisë së parë, njeriu e gjen veten në tre vende të ndryshme të qenies së tij të brendshme. Eurekë, kjo që nis nga lindja e tij, vazhdon me moshën e adoleshencës dhe më pas finalizohet me pjekurinë e konceptit të bashkëshortëve. Në te të tre dimensionet, dashuria e parë ka të njëjtin titull togfjalëshi dhe përjetohet ndryshe në brendësi të njeriut.

2

Dashuria e parë pas përjetimit të dashurisë për prindërit është më ndryshe. Djali dhe vajza përjetojnë emocione shumë të forta për njëri-tjetrin, u duket se nuk do të dashurojnë më kurrë, dhe kjo dashuri do të jetë e para dhe e fundit për të dy. Suaza e tyre mbyllet kur të dy të dashuruarit e sinjalizojnë për së brendshmi, pa treguar te shokët dhe shoqëria për ndjenjat që provojnë për njëri-tjetrin. Në çastin që dashuria e parë e dy adoleshentëve mbyllet me një dryn të madh brenda vetes së secilit, emocionet dhe ndjenjat janë aq të forta saqë të dyve u duket se kjo do të jetë dhe dashuria e tyre e parë dhe e fundit. Dashuria e parë e dy adoleshentëve nuk është dashuri fizike, nuk është vetëm atraksion fizik. Neutral përtej konceptit të dashurisë së parë të dy adoleshenteve qëndron tek intelekti dhe zgjuarsia. Çdo njeri, qoftë ky dhe jo adoleshent, kur thotë se dashurohet për herë të parë, nuk do të thotë se ka arritjen e tij ose të saj më të madhe të inteligjencës. Përkundrazi,  çdo njeri kur dashurohet për herë të parë, kur dashuron me të vërtetë, ngacmimi i parë i vjen si nga zemra dhe nga mendja, dhe provimi i një ndenje të vërtetë do të thotë ndoshta edhe të dashurosh për herë të parë.

Si koncept, nuk dashurohet vetëm një herë për herë të parë. Në marrëdhëniet burrë-grua apo në marrëdhëniet vajzë-djalë ka stimulime, gënjime mendjeje se po arrijnë diçka midis njëri-tjetrit. Ka edhe marrëdhënie fizike seksuale për të vrarë me pahir një ndjenjë të pashqitshme nga brendësia e njeriut. Ky është një film tepër i vënë në përdorim kohët e sotme, dhe ngjizja e dy njerëzve në këtë lloj atmosfere hipokrite dhe teatrore u është dukur si zgjidhje shumë vajzave dhe djemve apo shumë burrave dhe grave. Shohin njëri-tjetrin, nuk janë më në gjendje të pranojnë se dashuria që i lidhte me një njeri tjetër më parë është dashuri e mbaruar. Nisin hakmarrjet, e këto hakmarrje të jashtme dhe të brendshme nisin me lidhje të reja dhe martesa. Shumë burra kënaqen kur ish-et e tyre i shohin të martuar apo u pëlqen shumë të dëgjojnë fjalën grua, kjo është gruaja ime. Shumë gra ekzaltohen në çastin që ish-ët e tyre i shohin të martuar dhe u dëgjojnë të thonë andej-këtej fjalën bashkëshort, “ky është bashkëshorti” im grave të tjera apo kur fjala merr dhenë te miqtë e miqve të ish-it të tyre.

Por në të vërtetë a dashurojnë këta çifte? Zgjidhja më e mirë është të përjetojnë sërish një dashuri të parë edhe pse të martuar. Ky është dimensioni i tretë i dashurisë së parë, i shpjeguar në tërë kuptimin e tij. Fillojnë dashnorët, fillojnë ekstazat dhe përdorimi i kokainës netëve të vona. Ndjenja e fajit për tradhti bashkëshortore braktiset. Të dy bashkëshortët nuk ndihen në faj se po tradhtojnë njëri- tjetrin, të dy janë të ndërgjegjshëm për të tradhtuar, sepse ka vetëm një jetë, dhe kjo jetë duhet jetuar. Çështja është se dhe kur janë martuar, nuk janë martuar kot, e këto quhen martesa të pjekura dhe të arrira, me synim për të pasur fëmijë dhe objekt përqendrimi te jeta materiale dhe puna. Ajo çfarë kërkoj të them me dimension të tretë të dashurisë së parë, nuk është vetëm fshehtësia e ndjenjës, por është dhe fshehtësia e dukshmërisë së fytyrave të bashkëshortëve. Burrat fillojnë të shohin dashnoren dhe gruan të lakmueshme, dhe do t’u duhet të fshehin jo vetëm ndjenjat, por edhe gruan. Ndjenjat nisin të trazohen, dhe piedestali më i madh i të tërë kësaj meseleje arrihet kur si gruaja dhe dashnorja e një mashkulli bëhen të lakmueshme në sytë e burrave të tjerë. Dhe anasjelltas, ndjenjat nisin të ritrazohen kur si burri dhe dashnori i një gruaje nisin të bëhen të lakmueshëm në sytë e grave të tjera.

Dimensioni i tretë i dashurisë së parë është i ironizuar, kthehet në ikonë. Brenda kësaj ikone shihet dashnori dhe dashnorja, burri dhe gruaja, dashuria dhe rizgjimi i dashurisë së parë dhe çfarë është më e bukura, një dashuri e re lind, dashuria e parë midis dy bashkëshortëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top