Në fokus

November 16, 2020 | 12:00

Me partner apo vetëm? Ja si mund të bëni një gjumë të rehatshëm…

Sipas një studimi, çiftet që ndajnë të njëjtin shtrat bëjnë një gjumë më të mirë. Por ashtu si për dikë që mund të flejë vetëm dhe i lumtur, ky studim nuk vlen për të gjitha çiftet. Henning Johannes Drews, një studiues në Qendrën për Psikiatrinë Integruese në Gjermani, studioi 12 çifte heteroseksuale që kaluan 4 netë në një laborator gjumi.

Ai mati gjumin e individëve së bashku dhe veçmas duke përdorur një teknologji që kapi valët e trurit, lëvizjet, tensionin e muskujve dhe aktivitetin e zemrës. Çiftet gjithashtu plotësuan pyetësorë në lidhje me marrëdhëniet e tyre. Sipas ekipit të Drews, çiftet që flinin krah për krah kishin lëvizje më të shpejtë të syve (REM), në krahasim me ata që flinin të ndarë. Kjo është një shenjë e mirë e gjumit, e cila lidhet me organizimin e kujtesës, rregullimin e emocioneve, zgjidhjen e problemeve dhe me ndërveprimet shoqërore.

Gjithashtu, sa më mirë të renditnin marrëdhëniet e tyre në pyetësorë, aq më shumë ishin në sinkron kur flinin krah për krah. Megjithatë, jo domosdoshmërisht duhet të keni një partner për të bërë një gjumë të mirë. Drews mendon se disa njerëz janë më mirë kur flenë vetëm, pavarësisht nga statusi i tyre i marrëdhënies.

Cilësia e gjumit në çift

Pse disa çifte flenë më mirë kur flenë së bashku, ndërsa të tjerët janë të lumtur të flenë në hapësira të ndara? Studiuesit mendojnë se gjumi në çift rrit ‘REM-in’, i cili më pas mund të zvogëlojë stresin emocional dhe të përmirësojë ndërveprimet tona. “Një individ që është mësuar të flejë me një partner në shtrat mund të përjetojë një përgjigje stresi kur ai partner mungon”,- shpjegoi Drews pasi shqyrtoi abstraktin e studimit.

Ndërprerja e gjumit

Ka disa faktorë që mund të na ndërpresin gjumin. Një partner i cili flet në gjumë me zë të lartë mund të jetë një recetë për një natë të keqe (ose shtysë për divorcin e gjumit). Edhe pse hulumtimet e kaluara matnin lëvizjen gjatë gjumit midis çifteve si një shënues i gjumit të keq, shumë lëvizje nuk barazohen me një natë të keqe të gjumit. Drews vuri në dukje më shumë lëvizje të gjymtyrëve tek çiftet që ndanin një shtrat, por kjo nuk ua ndërpreu gjumin në eksperimentin e tij. Disa nga njerëzit në studim gërhisnin dhe as kjo nuk kishte ndikim në cilësinë e ‘REM’.

Sipas një tjetër studimi, çiftet që bëjnë më pak se 7 orë në natë gjumë kanë më shumë gjasa të jenë armiqësorë ndaj njëri-tjetrit. Ata gjithashtu mund të përjetojnë inflamacion të lidhur me stresin, i cili mund të shkaktojë një mori sëmundjesh të ndryshme. Duhen bërë më shumë hulumtime për të kuptuar bashkë-fjetjen pozitive midis partnerëve.

Të flesh vetëm

Edhe pse ‘REM’ u përmirësua me një partner në hulumtimin e Drews, kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të bëni gjumë të mirë nëse flini vetëm. Pavarësisht nëse jeni beqar apo i divorcuar, një natë e mirë e gjumit është akoma e mundur për ju.

“Unë mendoj se një person duhet të ndjekë udhëzimet e zakonshme për higjienën e gjumit dhe për krijimin e një ambienti që promovon gjumin”- tha Drews. Kjo përfshin shmangien e aktivitete stresuese para gjumit, si telefonat dhe TV para gjumit dhe mbajtjen e zonës të qetë dhe të errët.

 

 

Burimi / Panorama Online

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top