Lifestyle

February 7, 2018 | 10:17

Mediat italiane / Ermal Meta favorit për të fituar “Sanremo 2018”

Ka nisur mbrëm Festivali i 68-të i muzikës italiane “Sanremo 2018”. Për 5 ditë rresht 20 këngëtarë të njohur italianë do të garojnë për tre çmimet e para, mes tyre dhe kantautori shqiptar Ermal Meta.

Sanremo. 68° Festival della Canzone Italiana. Prima Serata. Nella foto Ermal Meta e Fabrizio Moro

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta do të ngjitet në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga e tyre me titull “Nuk më keni bërë asgjë”, përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët në konferencën për shtyp.

“Gjatë verës, kemi marrë mjaft mesazhe nga fansat tanë të cilët ishin të frikësuar të merrnin pjesë në koncertet tona. Kështu lindi ideja e nevoja për të treguar dëshirën e njerëzve për t’u rebeluar ndaj asaj çka po ndodh. Kjo këngë tregon atë çka njerëzit kanë vuajtur nga terrorizmi, sidomos ai mediatik i këtij viti të fundit”, thanë ata.

Sipas bookmaker-ave italianë, kjo këngë mund të jetë dhe fituesja e Festivalit “Sanremo 2018”. “Sanremo 2018” do të prezantohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, siç është këngëtari Claudio Baglioni i cili njëkohësisht është dhe Drejtori Artistik i Festivalit, i shoqëruar nga prezantuesja Michele Hunziker dhe aktori Pier Francesko Favino.

Këtë vit Festivali i Sanremos do t’i kushtojë një vëmëndje të veçantë temës së dhunës ndaj grave. Me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së Sanremos të gjithë këngëtarët por dhe publiku janë të ftuar të mbajnë një spilë në formë lule për të tërhequr vëmëndjen ndaj një teme kaq delikate siç janë ngacmimet seksuale ndaj grave.

Festivali i Sanremos është një manifesim i madh e popullor për italianët. Në ditët e këtij eventi qyteti i Sanremos është blinduar nga masa të larta sigurie, sidomos në zonën përreth teatrit Ariston. 360 telekamera do të vëzhgojnë të gjithë territorin e postoblloqe policie do të kontrollojnë me detektor çdo person.

Në “Sanremo 2018” në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë, ndërsa në kategorinë e këngëtarëve të rinj do të garojnë 8 të tjerë. Ndër të ftuarit special të “Sanremo 2018” priten të jenë këngëtari britanik Sting, rapper Shaggy, kantautori amerikan James Taylor etj.

Burimi / www.ata.gov.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top