Dëshmi

July 30, 2022 | 8:36

Mes dashurisë për mësimdhënien dhe vështirësive, të qenit mësues një ‘betejë’ sfiduese

 

 

Mësuesia është profesioni më i çmuar, por edhe më i vështiri njëkohësisht. Them kështu sepse pavarësisht se mësuesi është themeli i rritjes dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në ditët e sotme figura e tij shpesh nuk vlerësohet sa duhet. Unë jam një mësuese që kam zgjedhur me shumë pasion të kem këtë profesion.

mirseda-mesuese

 

Nga Mirseda Daci, arsimtare e gjuhës shqipe

Sigurisht që në fillim u përballa me paragjykime të shumta mbi këtë zgjedhje, duke qenë se rezultatet e larta në mësime më jepnin mundësinë të zgjidhja një “profesion të kohës” (siç mendohej në të periudhë). Sfidat dhe peripecitë e ndryshme që kam hasur gjatë rrugës nuk kanë qenë aspak të lehta, por gjithmonë dëshira për të përcjellë dije në brezat që po vijnë më ka motivuar të eci me kokën lart dhe t’ia dal mbanë.

Për mua fëmijët janë si lulet. Ato kanë nevojë për përkujdesje që të lulëzojnë. Është detyrë e secilit prej nesh që të ndihmojë në rritjen e tyre. Mendoj se përhapja e dijes tek ata, vlen shumë më shumë sesa pagesa që mund të marrësh nga një profesion tjetër. Në fund të fundit a nuk janë mësuesit ata që motivojnë, mësojnë e nxjerrin në të ardhmen mjekët, juristët, politikanët e shumë të tjerë?

Të jesh mësuese nuk do të thotë thjesht të shpjegosh temat mësimore. Përkundrazi duhet të bëhesh udhërrëfyese e nxënësve në labirintin e jetës. Sigurisht që ky profesion fisnik ka vështirësitë e veta. Por asgjë nuk është e pamundur nëse ti e do vërtetë.

n

Si mësuese e gjuhës shqipe kam vënë re ndryshime të shumta në sistemin arsimor nga viti në vit. Nxënësit në ditët e sotme, ndoshta edhe për shkak të përdorimit të internetit, kanë filluar ta cungojnë gjuhën shqipe. E kur përdor këtë term (cungim), dua të përmend shkurtimet që i bëhen fjalëve (flm; klm; klb etj).

Të futur në “botën e emojit”, çdo ditë po shkurtojnë fjalitë e për pasojë po shtrembërojnë procesin e komunikimit. Këtë gjë shpeshherë e përdorin edhe në punët e ndryshme me shkrim, ku në vend të përshkrimit me fjali, përdorin një emoji. Përdorin fjalë të huaja, kur fare mirë mund t’i zëvendësojnë ato me fjalë të gjuhës tonë të bukur shqipe.

Pavarësisht përdorimit të metodave të reja të mësimdhënies me në qendër nxënësin, duhet të përmend që këto të fundit po hasin vështirësi edhe në të shprehurin e mendimeve.

Çdo ditë dëgjon mësues që shprehin pakënaqësi për nxënës që nuk lexojnë. Listat e titujve të librave që mund të lexohen gjatë muajve të pushimit, mbeten thjesht disa copa letrash të hedhura mënjanë sepse shumica e nxënësve as nuk i hedhin sytë.

1

Unë mendoj se përdorimi i teknologjisë ka anët e saj pozitive, por faktet tregojnë që ajo ka sjellë dembelosjen e nxënësve, të cilët janë kthyer në disa qenie robotike, që “vjedhin” informacione dhe i përcjellin ato në procesin mësimor.

Dëshira ime më e madhe është që t’i shërbej fëmijëve. T’i ndihmoj ato që të kapërcejnë vështirësitë në të nxënë, e të eci përkrahë tyre në fushën e bukur të dijes. Portali Mësues për Shqipërinë ma mundësoi realizimin e kësaj ëndrre. Puna në shkolla të ndryshme më ka mundësuar njohjen e karaktereve të ndryshme të nxënësve, prindërve e mësuesve. Pavarësisht se është e lodhshme të ndryshosh mjedisin e punës shumë herë (duke qenë se akoma jam një mësuese me kontratë) , duhet të pranoj se edhe ky ndryshim ka të mirat e tij, sepse zhvillon aftësitë profesionale.

Periudha më e bukur për mua ishte puna në shkollën “Hajdar Zogu” Tapizë. Aty u njoha me stafin dhe drejtoreshën më të mrekullueshme e punëtore. Mësova se kur punon në një “familje të madhe” , siç janë ato, puna bëhet edhe më frytdhënëse.

untitledNë bashkëpunim me mësuesit, nxënësit e kësaj shkolle, përpiqen me të gjitha mundësitë që të realizojnë detyrat. Ato nuk kanë nevojë aspak të përdornin mjetet elektronike siç ndodh ndoshta në të gjitha shkollat e tjera. Ato krijojnë objekte duke përdorur mjete rrethanore, humbin mes rreshtave të leximit të librave dhe realizojnë vetë analizat letrare, pa pasur nevojë të marrin informacione nga rrjetet sociale. Ruajnë traditat dhe përdorin imagjinatën. E duan dhe e respektojnë çdo mësues.

Në jetë kam ecur me moton se mësuesi duhet të jetë shembull për nxënësit e tij. Por puna me to më ka ndihmuar të kuptoj se duhet të bëhesh prind, motër, psikologe, duhet të jesh gjithçka për të ndihmuar ato.

Në një orë mësimore secili nga ne duhet të jetë i lirë. Në këtë rast ky term ka një kuptim më të gjerë sesa thjesht të shprehurit e mendimit. Gjithmonë i nxis fëmijët e mi që të kenë një shpirt të lirë. Nuk mjaftohem vetëm me leximin e disa rreshtave në tekste. Kreativiteti vlen shumë më shumë.

Unë mendoj se nëse një nxënës nuk përshtatet me mënyrën tonë të shpjegimit, atëherë duhet të përshtatemi ne me mënyrën e tyre të të mësuarit. Gjuha shqipe dhe letërsia të japin mundësinë për të shkruar ese, për të realizuar analiza letrare, për të recituar.

Për të përmbushur të gjitha këto të duhet frymëzim. Në punën time unë e marr frymëzimin nga nxënësit e mi dhe stafi i mrekullueshëm i shkollës. Përdorimi i metodave të ndryshme në mësimdhënie, sipas situatave të caktuara, më ndihmon çdo ditë që të nxis vetëbesimin tek ato.

Shpesh kemi realizuar mësimin përmes lojës, konkurseve. Ka pasur raste që natyra ka qenë frymëzuese për nxënësit e mi. Ju duket e habitshme? E them me bindje se shkrimi i një eseje në natyrë ka qenë mjaft produktiv sepse përveç rezultateve, i ka ndihmuar ato të zgjojnë aftësinë për të shkruar.

Mësuesi duhet të jetë ai që tregon derën përmes së cilës mund të përqafosh të ardhmen, por secili nxënës duhet ta hapë vetë atë derë. Duhet të studiojë dhe të jetë gjithmonë kërkues. Duke krijuar një mjedis të ngrohtë e një atmosfere gjithëpërfshirëse, unë arrij të nxis secilin që të diskutojë, të mbrojë mendimin, e madje të shfaqë talentin e fshehur brenda tij.

2

Unë nuk dua që ata të jenë thjesht lexues, dua që në të ardhmen të jenë kritikë të suksesshëm. Të futen në botën magjike të letërsisë e të analizojnë perlat e autorëve të ndryshëm.

Të jesh i suksesshëm nuk do të thotë vetëm të zotërosh lëndën nga ana profesionale. Është krijimi i marrëdhënieve simbiotike me nxënësit rruga që të çon drejt tij. Për mua si mësuese e re suksesi më i madh është kur shoh sytë plot shpresë të nxënësve të mi që presin me padurim të marrin dije. Vlerësimi më i madh është të shoh fytyrat e tyre plot dritë e që shkëlqejnë nga përhapja e kësaj dijeje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top