Në fokus

June 4, 2018 | 8:51

Mesazhi për gjuhën amtare, babai i kërkon të bijës t’i mësojë shqipen të birit italian

Peripecitë e emigrantëve shqiptarëve për t’u integruar në shoqëritë e vendeve ku jetojnë janë të njohura tashmë. Nuk janë pak por gati një milionë e gjysmë që e kanë gjetur të ardhmen e tyre jashtë vendit. Por sa prej këtyre shqiptarëve kanë arritur të ruajnë traditat dhe gjuhën e tyre në shtetin ku jetojnë e punojnë? Me statistika është e vështirë ta thuash, por me siguri që ekziston si problem.

Për Nuredinin, i cili ka 21 vite që ka emigruar me familjen në Itali, kjo gjë është një shqetësim më vete. Ai erdhi enkas nga Brindisi për të marrë pjesë tek rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan, në mënyrë që t’i kërkonte vajzës së tij Ada që t’i mësojë shqip nipit 6-vjeçar.

Megjithëse Mikele është gjysmë italian nga ana e të atit, sipas gjyshit, kjo nuk duhet të jetë pengesë që të përfitojë sa më shumë nga kultura e dy vendeve. Ai kërkoi që të paktën të dijë të flasë e të shkruajë shqip, pasi për të është e pa konceptueshme që fëmija të mos flasë gjuhën e nënës.

Duke u kthyer pas në kohë, Nuredini tregoi sesi u detyrua të emigrojë me gjithë familjen në vitin e tmerrshëm të 1997-ës. Ada në atë kohë sapo kishte filluar gjimnazin dhe udhëtonte çdo ditë me tren nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas. Duke e parë situatën që sa vinte dhe përkeqësohej, Nuredini mori një vendim, të cilin nuk do e kishte marrë asnjëherë në kushte normale.

Mes krismave që dëgjoheshin nga të katër anët, ai mori bashkëshorten, dy fëmijët e moshës 9 dhe 16 vjeç dhe hipën në një anije të vjetër për të shkuar drejt Italisë, duke lënë pas prindërit dhe gjithë jetën që kishin ndërtuar deri në ato momente. Pas 24 orësh udhëtimi me rreziqe, mbërritën në Brindisi dhe autoritetet i strehuan në një kamp. Duhej t’ia nisnin nga e para sepse ishin mes katër rrugëve, me dy fëmijë.

Me kalimin e kohës, Ada u njoh dhe u dashurua me Roberton, një italian, i cili sot është bashkëshorti i saj. Aty filloi të normalizohej jeta e familjes sepse gjetën një shtëpi, fëmijët u shkolluan dhe pas disa vitesh u pajisën me dokumente të rregullta. Nuredini gjatë këtyre viteve punoi shumë që jo vetëm të ndihmonte familjen e tij, por edhe të afërmit në Shqipëri, ashtu siç bëjnë shumica e emigrantëve.

Një ndihmesë të madhe ka dhënë dhe Ada duke u përkujdesur në maksimum për të afërmit e saj. Ashtu siç u shpreh Nuredini, kjo ishte një nga arsyet për të cilën kishte ardhur në studio, pasi dëshironte ta falënderonte për kontributin dhe dashamirësinë që ka treguar për familjarët.  Por kjo ishte gjysma e mesazhit të ëmbël që i ati donte t’i jepte të bijës. Gjysma tjetër, ajo paksa më e athët e më pikante ishte shqetësimi se Ada nuk i ka mësuar djalit të saj, Mikeles gjuhën shqipe.

“Djali kupton shqip, por nuk e flet. Ai reagon po të flasësh keq për atë, por nuk na e kthen në shqip, por në italisht”, u shpreh Nuredini. Sipas tij, ky është një fenomen tek shumë shqiptarë, jo vetëm tek vajza e tij dhe për këtë sjell në vëmendje një situatë konkrete.

gjuha2

“Dëgjoj një ditë një zonjë në një supermarket që i fliste italisht fëmijës. E njihja atë zonjën sepse ishte nga fshatrat e Kavajës. I thashë: ‘Me këtë italishten që flet ti, si mund t’i flasësh fëmijës? Fliti ore shqip! Kur do ta mësojë ky?’ Më tha që kështu jemi mësuar. I bëra një pyetje: ‘Ti si i shikon ëndrrat, në shqip apo në italisht?’ ‘Pse ma bën këtë pyetje’, më tha. Jo i thashë unë, sepse atëherë njeriu është pa ndjenja. ‘Shqip i shikoj’, më tha. ‘Atëherë je shqiptare puro’, i thashë, andej nga Kavaja ndaj fliti fëmijës shqip”.

Ada, vajza e Nuredinit është surprizuar së tepërmi kur e ka parë që nga krahu tjetër e murit të studios ishte babai i saj. Ajo nuk i ka ndalur dot lotët kur janë përmendur njerëzit e dashur, të cilët Ada i ka mbështetur në vështirësi e fatkeqësi e që tashmë nuk janë më.

Nuk e kam patur kurrë iniciativën për të të falënderuar. Para 10 vjetësh vdiq motra ime. Ti e di sa ke bërë për atë. Ti ia zgjate jetën asaj dhe 3 vjet të tjera. Rasti i dytë ishte dhe për mamin tënd e bashkëshorten time. I ke qëndruar në kokë gjatë operimit që bëri te valvula në zemër. Po të mos ishe ti edhe ajo sot nuk do të ishte. Me një fjalë ti ke qenë gjithmonë e gatshme për të ndihmuar nënën tënde, por edhe të tjerët. Për këtë doja të të falënderoja publikisht dhe besoj që ti je ajo vajza që kanë qejf ta kenë të gjithë prindërit!”, iu drejtua Nuredini të bijës, duke e falënderuar për gjithçka që ka bërë.

Ndërsa Ada iu përgjigj: “Në qoftë se unë jam sot kjo që jam është falë këtyre prindërve! Çdo gjë që bëj nuk e mendoj, por më vjen natyrshëm sepse prindi është i pazëvendësueshëm dhe nuk kam nevojë për faleminderit”.  

Por asaj iu rikthye buzëqeshja nga mesazhi tjetër i të atit në lidhje me gjuhën shqipe. Ajo u  mundua të “justifikohet”, duke thënë:“Djali di shqip, por nuk flet sepse ka frikë se gabon”.

Nuredini ishte i përgatitur sepse tregoi  “penalitetet” në rast se Ada nuk i mëson shqip Mikeles. Ai u la afat deri në fund të vitit që nipi të flasë shqip, përndryshe nuk do jenë më të mirëpritur në fundjavë tek shtëpia e gjyshit, siç tashmë e kanë bërë traditë që të mblidhen.

“Po i lej afat deri në fund të Dhjetorit. Djalit nuk do i flasësh kurrë më italisht, vetëm shqip dhe brenda kësaj kohe t’ia mësojë. Por nëse djali më 31 Dhjetor nuk më flet mua shqip, atëherë ajo nuk do të vijë më në shtëpinë time, siç mblidhemi të dielën”, “kërcënoi“ Nuredini.

Nga ana tjetër Ada tregoi se djalit i flet edhe shqip edhe italisht, pasi bashkëshorti dhe prindërit e tij janë italianë, si dhe në shkollë mëson në gjuhën italiane,  ndaj dhe duhet të ruajë një balancë mes të dyja gjuhëve.

Mikele i premtoi gjyshit se do ta mësojë gjuhën shqipe, duke e lumturuar pa masë. Por Nuredini gjithashtu “e kërcënoi” se nëse nuk do ta mësojë, nuk do t’i blejë më lodra.

Pasi e solli të bijën nga Brindisi në Tiranë për t’i dhënë këtë mesazh të rëndësishëm, Nuredini bëri gjithashtu një apel edhe për shqiptarët nëpër botë e për shtetin shqiptar që të ndërmarrin hapa konkretë për ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.

“I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’u mësojnë shqip fëmijëve. Me këtë rast u bëj thirrje edhe qeverisë që të bëjë ndonjë gjë për të hapur shkolla që të mësojnë të paktën për një vit që të shkruajnë e të flasin gjuhën amtare”.

https://www.youtube.com/watch?v=2o1eJGtb_Is

Burimi / Tv Klan

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com