Në disa raste stresi mund të jetë pozitiv. Na ndihmon të veprojmë në momentet kur mund të paralizohemi nga bllokimi, duke na shtyrë të kalojmë çdo pengesë. Por stresi kronik, në situata të përditshme mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin dhe psikikën. Lajmi i mirë është se mund ta kontrollojmë stresin me elementët e duhur. Me praktika fizike dhe truket mendore të përshtatshme, stresi mund të shndërrohet lehtësisht në një kujtim të largët…
- Kuptoni se ç’është stresi
Bëhet fjalë për një tension ose parehati fizike ose emotive ndaj çdo kërcënimi që perceptojmë për mirëqenien tonë. Edhe pse pak stres mund të jetë pozitiv – për shembull, organizimi i martesës – të tjera lloje stresi mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Ndaj hapi i parë është të kuptojmë se çfarë ai është, ta pranojmë vetë së pari dhe pse jo, më pas të kërkojmë edhe ndihmë më të specializuar.
- Mësoni të mos i jepni peshë gjërave të vogla
Edhe në këtë rast, duhet të ndryshoni këndvështrim për të luftuar stresin. Jeta është plot me probleme – disa të mëdha, disa të vogla. Njerëzit që ia dalin të evitojnë stresin kanë aftësinë të mos i japin rëndësi gjërave të vogla dhe të përqendrohen në ato që janë realisht të rëndësishme. Kujtojini vetes të gjitha gjërat e bukura të jetës. Për shembull, edhe nëse ju pushojnë nga puna, ka gjithsesi diçka për të ruajtur dhe pozitive.
Kujtoni gjithçka keni: shëndetin e mirë, fëmijët apo familjen, një çati mbi kokë. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë të mos shqetësoheni për gjëra të vogla. Kujtoni momentet më të lumtura në jetën tuaj; ngjarje që mund t’ju bëjnë të ndiheni mirë e të qetësoheni.
- Luftojeni stresin me aktivitet fizik
Ndiheni të stresuar? Hipni në një biçikletë dhe pedaloni për të larguar ankthin. Vishni atlete dhe vraponi në natyrë. Vishni rrobat e banjës dhe shkoni në pishinë apo det. Të mbani stresin nën kontroll mund të jetë e thjeshtë, njësoj si të ngriheni nga krevati e të dilni nga shtëpia.
- Jini të shoqërueshëm
Kur ndiheni të stresuar, mund të keni tendencën të mbylleni në shtëpi. Por, duke u bazuar në studime të ndryshme, ka prova se të takoni njerëz të besuar dhe miq, mund t’ju ndihmojë që të largoni stresin. Jo domosdoshmërisht duhet të jenë miq apo familjarë, edhe pse mund të jenë motivues të shkëlqyer. Mund të jenë edhe të njohur apo njerëz që i takoni në një lokal. Të takoheni me njerëzit e duhur mund t’ju ndihmojë shumë për të mbajtur stresin nën kontroll.
- Jini të thjeshtë
Jetët tona moderne mund të jenë shumë të komplikuara. Është e thjeshtë të keni ndjesinë se janë të tjerët që ju gjykojnë dhe jo e kundërta. Për t’u ndier më në kontroll për vendimet tuaja, mundohuni të thjeshtësoni jetën. Bëni udhëtimin që dëshironi prej vitesh. Gjeni kohë të çlodheni me një filxhan çaj përpara. Bëni shëtitje me familjen tuaj. Mundohuni të mbushni jetën tuaj me gjëra të thjeshta. Mund të kenë efekt shumë të fuqishëm.
- Ndani mendimet tuaja me të tjerët
Të gjendeni përballë një situate stresuese, mund t’ju bëjë të ndiheni sikur jeni në një ishull të shkretë. Fatmirësisht nuk është kështu. Ndajini mendimet dhe ndjenjat tuaja me njerëz të tjerë: miq, familjarë, kolegë ose të njohur. Kjo gjë do t’ju japë përshtypjen sikur keni hequr një barrë të rëndë nga shpatullat.
- Flini mjaftueshëm
Gjeni mjaftueshëm kohë gjatë ditës për të fjetur. Stresi dhe zakonet e gabuara të gjumit mund të krijojnë një rreth vicioz. Një sondazh ka treguar se dy të tretat e njerëzve i lidhin problemet e gjumit me stresin. Një tjetër studim ka zbuluar se çdo orë gjumë që humbisni gjatë natës, provokon një rritje të rrezikut nga stresi me 14%. Me pak fjalë, stresi provokon pagjumësinë dhe mungesa e gjumit shkakton stres.
- Konsultohuni me një specialist
Nëse këshillat e mësipërme nuk ju ndihmojnë, konsultohuni me një specialist. Në disa raste, stresi kronik merr dhenë dhe nuk ikën. Mund t’ju çojë në ankth dhe në depresion, të cilat shkaktojnë shumë probleme të tjera. Është një shqetësim që duhet përballuar menjëherë, për t’u siguruar që nivelet e stresit të mos bëhen të padurueshme.
Nëse ndjeni se stresi përcakton ndryshime rrënjësore në stilin tuaj të jetesës ose ju pengon të bëni gjërat që dëshironi, kërkoni ndihmën e një profesionisti. Nëse e kuptoni se stresi ju shtyn drejt vetëmjekimit me drogë apo alkool, kërkoni ndihmën e një profesionisti.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.