Lifestyle

September 3, 2017 | 7:59

Miqtë përshëndesin Hysen Hakanin, në arkivë depozitohet filmi i panjohur i tij “Hotel Pokrok”

Nga Leonard Veizi

Ai bëri humor me vdekjen dhe po aq humor përcolli edhe postvdekja e tij. Kështu e kujtojnë Hysen Hakanin miqtë, shokët e familjarët e tij. Ndërsa thanë se edhe në këto çaste përshëndetjeje, ai me siguri po qeshte nga ndonjë kënd i sallës, ku nuk mund ta shihte asnjeri. Me humor të fortë edhe pse me një jetë të trazuar, Hysen Hakani e dominoi jetën e tij, e për më tepër la pas një krijimtari të begatë.

Hysen Hakani, regjisor

Hysen Hakani, regjisor

Po të ishte gjallë Hysen Hakani, ky personalitet i Kinematografisë Shqiptare, në 28 korrik 2017 do të mbushte 85 vjeç. Por në mungesë të tij, ai u përkujtua nga miqtë sikur të ishte ende midis tyre. “Një pasdite me regjisorin Hysen Hakani” ishte dhe ceremonia përkujtimore me këtë rast, e cila që u mbajt në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Sollën kujtimet e tyre gjatë punës me Hysen Hakanin, regjisorët Kristaq Dhamo e Muharrem Fejzo, si dhe piktorët Ksenofon Dilo, Grigor Ikonomi e Haziz Karalliu. Ndërsa në ekranin e madh u shfaqën dhe një kolazh nga krijimtaria e tij.

Ndërkohë e gjithë ceremonia fshihte dhe një surprizë…


Pak kush e njeh historinë e filmit “Hotel Pokrok” dhe padyshim shumë më pak e dinë se çfarë trajton ai. “Hotel Pokrok”është një film me metrazh të shkurtër, i cili është realizuar nga regjisori Hysen Hakani në vitin 1956, kohë kur përfundoi studimet në Akademinë e Filmit në Pragë. “Hotel Pokrok” padyshim ishte si një ogur i mirë, guri i parë i themelit jo vetëm të krijimtarisë së tij personale, por dhe për gjithë kinemanë shqiptare, e cila në ato vite sapo kishte filluar të merrte jetë. Për shkak të kontributit të tij të hershëm, Hysen Hakani është cilësuar dhe si Pionier i Kinematografisë Shqiptare, ndërsa “Hotel Pokrok” mbetet të jetë “fëmija e parë” e këtij pionieri. Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivës në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin e parë shqiptar, pasi më parë ishte bërë e mundur që një kopje dixhitale të tij ta kishte dhe familja Hakani.

Regjisori Piro Milkani rrëfeu për të pranishmit se sjellja e filmit të parë të Hysen Hakanit në Shqipëri nuk ishte fort e lehtë, sepse gjithsesi, udhëtimi nga Praga në Tiranë ka dashur kohën e vet, por ky amanet i regjisorit shqiptar arriti të përmbushej.

3Pas largimit nga jeta të regjisorit Hysen Hakani dhe të djalit të tij, shumë të njohurit Mirjan Hakani, asaj që iu desh të finalizonte të gjithë punën, deri në dorëzimin e filmit në dorë të drejtoreshës së Arkivës, Elvira Diamanti, ishte Lina Hakani, bashkëshortja e të ndjerit Mirjan. Ajo gjithashtu ishte dhe inicuesja e kësaj ceremonie, e cila mes një emocioni të fortë falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen. Ndërsa në emër të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të vetë drejtorit të tij z.Dorian Koçi, përshëndeti shefi i sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve, z.Ledio Xhorxhi, i cili mes të tjerash tha se Muzeu Kombëtar është vazhdimisht i hapur për këto lloj veprimtarish, e më gjerë.

I gjithë aktiviteti u moderua nga gazetarja e njohur Rezarta Reçi.

Në fund të ceremonisë, të pranishmit vizituan dhe një ekspozitë fotografike nga puna e regjisorit Hysen Hakani si dhe nga krijimtaria e tij artistike.4

hysen

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top