Në përjetorin e 148-të të lindjes së At Gjergj Fishtës, Mirush Kabashi ka treguar se është ndjerë keq kur hyri në bibliotekën e Lezhës dhe vuri re sipër fotografisë së Fishtës frazën: “At Gjergj Fishta, Nderi i Kombit.” Për Kabashin, Fishta meriton një titull më të lartë, që e veçon nga artistët e tjerë.
Mirush Kabashi ka dhuruar emocion dhe mori duartrokitje të shumta kur u shpreh “se Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin, sepse madhështia e këtij njeriu nuk qëndron aspak te lartësia e shtatores por tek ajo sandalla që mbante veshur,duke treguar me gisht detajin e hollë të skulptorit të shtatores së Fishtës në Lezhë, një detaj i cili nuk i ka shpëtuar artistit të madh, që rrëfen për thjeshtësinë dhe shpirtmadhësinë në jetesën e përditshme të françeskanëve.”
“Të më falni për mungesën e modestisë” ka shtuar Kabashi “por titulli Nderi i Kombit më është akorduar edhe mua, dhe unë s’e përfytyroj të jem në lartësitë e Fishtës. Ose krijoni një titull tjetër shumë herë më të lartë për 3 apo 4 personalitetet e larta të historisë së Shqipërisë, ose na e ulni titullin neve dhjetëra të tjerëve që kemi dhënë kontribute në fusha të caktuara.”
Përgatiti K.I / Burimi ak-report.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.