FB

June 22, 2022 | 9:30

ANILA HETOJA, thjesht perfekte!

Nga Orjona TRESA | Foto Vlasov SULAJ

 

Pak bojë e penel, një telajo dhe shumë frymëzim. Kjo ish gjithçka që i duhej për të bërë përmbysjen e madhe, ta zhyste në qelinë e ngujimit atë që për aq kohë na mbajti në një alarm të vazhdueshëm kërcënimesh.

Qasja e vetëdijshme drejt nevojave parësore për mirëqenien shpirtërore, ishin ushqimi më i mirë. Familja e grumbulluar si rrallëherë në të njëjtën çati, e bënte më të lehtë gjithçka edhe pse nga brendësia e ekraneve, futur në një botë aspak imagjinative, vinte një presion i vazhdueshëm ku flitej për mbyllje me çelësa e dryna hekuri të vetë shpirtit të lirë. Dhe kjo nuk kishte ndodhur as në ditët më të këqija të terrorit. Bota po përballej me një agresion të ri. Por shpirti i lirë mbeti po ai, e nuk mund të mbahej dot nën hallka të përthyeshëm zinxhirësh, shula e brava të sigurisë së lartë, dhe as vargonjtë e prangosur kyçeve nuk e pengonin shpërthimin e mendimit që shkonte përtej hapësirës së sistemit tonë diellor, në universin e paanë, ku ngjyrat që zbërtheheshin në mijëra nuanca dhe vetë tingujt muzikorë merrnin një tjetër kuptim. Ajo e gjeti frymëzimin e saj fare thjeshtë, tek një kavaletë që i kishte mbirë para syve, tek penelat mbi tavoloc dhe bojërat gjithfarësh që përziheshin në një performancë të jashtëzakonshme kombinimesh. Të hedhura mbi tekstil, kimikatet me locion diluenti që të përkëdhelnin hundën, latoheshin në forma që spatula i jepte rrëmbimit artistik. Aty ishin telajot e tjera, të mëdha e të zbrazëta, që kërkonin volum për t’u mbushur, një nevojë e dëshirë po kaq e madhe për të zbrazur përjetime të ditëve që iknin marramendasi, pa konceptin e normalitetit vulgar që kishte gërryer pak nga pak zbrazëtinë tonë.

Tanimë, dhe jo vetëm, mes luksit dhe elegancës aktive që ofrojnë trendet e reja ajo na mëson më shumë rreth shijeve fokusuese. Sepse gjithçka ka ndryshuar këto kohë, dhe ajo që deri dje nuk kishte asnjë vlerë, sot papritur gjen hapësira të reja.Anila Hetoja, piktore plot dimension, është gjithashtu një këshilluese e ndryshimit apo rishikimit të stileve në ambientet ku banojmë, të cilat janë terapia më e mirë për një jetë të qetë. Sepse një ambient i arreduar mirë, do t’i bëjë më të lehta ca ditë karantine, nëse do të na duhet që një ditë të jemi sërish nën presionin e jetës apo të vdekjes që vërtitet mbi ne si re e zezë. E mprehtë në zgjedhjet që bën, ajo ngre lapsin, materien me të cilën ka marrë vulën identifikuese, hap bllokun e shënimeve dhe zgjidh si një rebus skemën të cilën do të përdorë për t’i dhënë ambientit një tjetër frymëmarrje të re.

Tanimë e rikthyer në aktivitetin profesional, ajo është duke iu përkushtuar gjërave me intensitetin e mëparshëm. Interior dizajni, apo arredimi i ambienteve të brendshme (shtëpi, vila, restorante, hotele) është hapësira që i ka dhënë më shumë kohë, ndërsa rend të përmbushë dhe një hapësirë po kaq të rëndësishme, siç është kujdesi për t’iu mësuar pikturën fëmijëve të vegjël dhe atyre me aftësi të veçanta. Dhe ky është një tjetër dimension i saj, sa artistik aq edhe human. Për këtë investim Anila Hetoja ka ngritur studion e saj në mes të ish-Bllokut të dikurshëm, që edhe në zhargonin e sotëm sot cilësohet po aq: Bllok.

Lamë pas, (më pëlqen ta quaj kështu), një periudhë të vështirë siç ishte pandemia. Për të gjitë pati efektet e veta. Ju si e kaluat këtë periudhë? Çfarë ju mësoi si vlerën më të rëndësishme?

Pandemia më shumë se çdo gjë na mësoi të çmojmë jetën, të duam njëri-tjetrin dhe të mos merakosemi se çfarë do të sjellë e nesërmja, pasi asgjë nuk është më e sigurt. Si pasojë e situatës që u krijua nga pandemia e koronavirusit në mbarë botën, ku e vetmja strehë e sigurt u bë shtëpia, mësuam se nuk ka rëndësi sa thesare grumbullon në tokë, por kur vjen puna tek shëndeti, gjithçka që ke e jep në emër të jetës. Ndaj sot më shumë se kurrë, të jesh i shëndetshëm dhe të kesh zemrën e gëzuar, është dhurata më e madhe që Zoti na ka dhënë e për këtë duhet t’i jemi mirënjohës.

Ndikoi në aspektin profesional? Dua të them, për mirë, sepse për disa pati shpërthime të reja. Në art për shembull, artistë të ndryshëm njehsuan forma të reja të punës së tyre. Po me ju ndodhi ky revolucion?

Për mua si piktore ishte kohë e artë pasi pata të gjithë hapësirën në dispozicion të krijoja. Mjafton të isha e qetë dhe me familjen pranë e cila më mbështet në çdo moment. Gjatë kohës së izolimit provova të hedh në telajo punime me tematika të ndryshme. Për mua do të mbeten punime të rëndësishme të krijuara në kohë të pazakontë. E megjithatë, ndonëse jetuam në një kohë të vështirë, ku humbëm dhe miq nga virusi, asnjëherë nuk i lashë vend pesimizmit në pikturat e mia.

E angazhuar si Interior Design, formim për të cilin jeni diplomuar dhe specializuar në Kanada.  Sa i jeni rikthyer normalitetit profesional?  

Ndryshe nga piktura, interior design ishte një nga profesionet që u prek nga pandemia. Izolimi, mbyllja për një kohë disamujore e bareve e restoranteve si dhe pasojat e virusit në shumë familje duke shkaktuar shumë fatkeqësi, kufizoi shpenzimet për arredimet e shtëpisë e biznesit. Pas më shumë se një viti mund të them se situata është ndryshe dhe gjërat po rrjedhin drejt normalitetit.

Në aspektin psikologjik, si është shoqëruar gërshetimi i elementëve të përdoruar? Pra, çfarë kanë dashur më shumë klientët ose çfarë u keni sugjeruar ju sipas trendit botëror?

Në aspektin psikologjik shumë nga klientët duan që disa elementë të trashëguar, të përdoren pavarësisht trendit apo jo, dhe është detyra jonë që të gërshetohen këta elementë, pasi ka të bëjë me anën emocionale dhe duhet vlerësuar. Në punën tonë jo çdo dëshirë mund të realizohet, pasi kjo varet nga kushtet teknike, hapësira, ana financiare dhe shumë elementë të tjerë… Detyra ime si profesioniste në këtë fushë është të sugjeroj trendet dhe çfarë është më e rëndësishme, përshtatja me ambientin ku duhet dizenjuar, apo arreduar.

Meqë jemi këtu, cili është trendi i këtij viti?

Trendi i këtij viti është dizenjimi minimalist, si duhet përdorur hapësira. Bëj një biznes-plan përsa i përket kostos së mobilimit për të gjithë objektin, kohën që na duhet në dispozicion, përcaktoj zonat e hapësirës dhe aktivitetet që do të zhvillohen në ato zona, gjithashtu përcaktoj modelet e qarkullimit që tregojnë se si njerëzit do të lëvizin nëpër hapësirë. Plani përfundon duke shtuar detajet e të gjitha mobileve, ndriçimit dhe vendosjes së pajisjeve të prezantuara në model 3D, ku klienti mund të shikojë paraprakisht të gjithë hapësirën të modeluar dhe ku mund të ndryshohet në bazë të dëshirave.

Për çfarë kanë nevojë më shumë hapësirat tona konkretisht, ato familjare?

Hapësirat tona, ato familjare, kanë më shumë nevojë për dritë natyrale, ngjyra dhe sa më shumë gjelbërim.

Cili është elemnti që preferoni të lini gjurmën tuaj pas një pune të përfunduar?

Ngjyrat në piktura dhe rrezatimin e dritës.

Përveç profesionit, keni një hapësirë të veçantë për të cilën përkushtoheni veçanërisht në orët e pasdites. Ushtroni mësim picture “art pamor”. Si shkon koha me fëmijët? Janë të interesuar dhe a keni talente?

Pasditja për mua është relaks. Të punosh me fëmijët nuk është e lehtë, por për mua është qetësi e shpirtit, sepse natyra e fëmijëve është e pastër si një telajo e bardhë. Në studion time kam mosha të ndryshme që dëshirojnë të merren me art dhe për mua nuk është e vështirë për të kuptuar një talent, mënyra se si përqendrohet në punë, mënyra si mbajnë penelin dhe dëshira për të punuar më bën të kuptoj që kemi të bëjmë me një talent. Pavarësisht talentit, unë mendoj që duhet shumë punë dhe duhet të studiosh shumë për të arritur aty ku dëshiron.

Ndërkaq, në mesin e fëmijëve keni dhe nga ata me aftësi të veçanta, për të cilët më thoni se ka shumë ndjesi brenda botës së tyre. Për një nënë, grua, profesioniste arti, çfarë ju përcjell kjo kohë me ta?

Të punosh me fëmijë me aftësi të veçanta është emocionuese, pasi ata kanë një botë shumë të pasur të cilën jo të gjithë kanë mundësi ta shprehin. Piktura është një nga format ku ata shprehin ndjesitë e tyre. Puna me fëmijët më ka dhënë kënaqësi që nuk e kisha provuar më parë si dhe shumë dashuri.

Më mirë punohet me të rriturit apo me fëmijët?

Me të rritur është e lehtë të punosh, pasi e dinë më mirë se çfarë duan të realizojnë, por fëmijët nuk kanë komplekse gjë që ta lehtëson punën, kështu që unë e kam të vështirë që t’i ndaj.

Ka qenë një kohë e mirë për të promovuar artin përmes ekspozitave apo dhe kjo ka ardhur në forma të reja lirie?

Ndoshta të dyja së bashku. Edhe pse kam 30 vite që merrem me pikturën dhe që kam hapur tetë ekspozita ndër vite, (ku tre ekspozita personale dhe pesë në bashkëpunim me artistë të tjerë) dëshira e madhe për të prezantuar artin që unë bëj tek artdashësit më bën që asnjëherë të mos ndalem, qoftë edhe në ato ditë pandemie. Doja të theksoja që nuk është më shumë për të promovuar artin që unë bëj, por më shumë për të përcjellë një mesazh, që pavarësisht situatave njeriu duhet të shikojë përtej e kush më mirë se një artist mund të lundrojë në mendjet e njerëzimit.

Sa piktura keni shtuar në galerinë personale dhe ka ndonjë plan vizual për t’ua bërë të dukshme dhe artëdashësve?

Kam rreth 45 punime, të cilat në pamundësi për t’i ekspozuar në galeri (do të doja që artdashësit të merrnin pjesë pa maska dhe ku të përshëndeteshin dhe të shkëmbenin përqafime), kam menduar t’i prezantoj në albumin tim të katërt, të cilin e kam titulluar “Ndjenjë’.

Çfarë është koha për ju?

Për mua çdo minutë është e çmuar.

Çfarë është për ju liria?

Gjithçka.

Personaliteti…

Optimiste, më pëlqen të shikoj anën pozitive të jetës.

Më kreative nata apo dita?

Nata, pasi jam më e qetë.

Çelësi i organizimit varet nga…

Pasioni, talenti dhe puna.

Fëmija brenda teje…

Është aty gjithmonë, loz me ndjenjat e një të rrituri.

Ti je grua që…

Punon shumë për të arritur aty ku do.

Je nëna që…

Pa familjen time nuk do isha e realizuar.

Të ushqesh shpirtin…

Universi.

Muzika që fle me ty…

Qetësia (nëse e keni për muzikën që preferoj është muzika klasike)

Në profesion, me cilin element do ta ngjasoje veten? (letrën, lapsin…)

Lapsin, pasi duhet të mendohesh mirë kur të shkruash në letër.

Me cilën ngjyrë e identifkoni veten?

Me ngjyrën e bardhë, pasi simbolizon pastërtinë, gëzimin dhe të vërtetën.

Në aktivitetin fizik, sporti që ju përfaqëson…

Biçikleta, rafting, tenisi.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 168

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top