FB

December 17, 2022 | 9:31

“Mishi sintetik”, e vërteta në dosje: është i shtrenjtë e ndot ambientin. Gjithçka mund të jetë, veç zgjidhja e çështjes së urisë në botë jo

“Mishi sintetik” është një mashtrim solemn. Shihe nga cila anë të duash. Nuk është i shëndetshëm, duhet shumë ujë për ta prodhuar e nuk e shpëton klimën. Zbulimi i takon një ekipi shkencëtarësh nga Oxford Martin School i cili ka disa vite që po studion ndikimet që kanë në klimë teknikat tradicionale të rritjes së bagëtive të trasha e teknikat e “kultivimit” të “mishit në laborator”.

Kjo temë është paraqitur gjatë Forumit Ndërkombëtar të Agrikulturës e të Alimentacionit në Romë, ku Coldiretti ka paraqitur një dosje mbi biftekun e prodhuar në laborator, duke demaskuar pesë rrenat e mëdha që ky novel food (ushqim i ri) ka brenda.

mish

Bifteku Frankenshtajn (Frankenstein): nuk i shpëton bagëtitë sepse fabrikohet duke shfrytëzuar fetuset e lopëve, nuk e kursen ambientin sepse për ta prodhuar konsumohet më shumë ujë e energji se sa në fermat tradicionale,

nuk e ndihmon shëndetin sepse nuk ka asnjë garanci që përbërësit kimikë të përdorur për prodhimin tij të jenë të sigurt për konsum ushqimor, nuk është e mundur të prodhohet nga të gjitha shtetet sepse për ta prodhuar nevojitet një bioreaktor që është tepër i kushtueshëm e nuk është as mish, por një produkt sintetik i inxhinierizuar.

Bëhet fjalë për një produkt artificial të paraqitur nga disa strategji të zhdërvjellëta marketingu si zgjidhje për të prodhuar në mënyrë të qëndrueshme ushqim të bollshëm e për ushqyer një popullsi në rritje, duke fshehur interesat kolosale tregtare e spekulative të lidhura me “mishin e kultivuar” në laborator.

Rrena e parë, shpjegon Coldiretti – ka të bëjë me vetitë e mira për shëndetin që supozohet se mund të ketë “mishi në epruvetë”. Shkalla e lartë e shumëfishimit të qelizave mund të nxisë paqëndrueshmërinë gjenetike të qelizave e të ndihmojë përhapjen e mundshme të qelizave kanceroze sporadike. (Pra “mishi sintetik” është i ngjashëm me një tumor.) Përveç kësaj, nuk kemi asnjë garanci deri më sot që të gjitha produktet kimike të nevojshme për kultivimin e qelizave të jenë të sigurta për konsum ushqimor. Kësaj duhet t’i shtojmë edhe rreziqet e mungesës ushqimore që lidhen me mungesën e konsumimit të proteinave shtazore, të dokumentuara mirë nga literatura e gjerë mjekësore, e cila në veçanti sinjalizon simptoma patologjike të rënda e nganjëherë të pakthyeshme për fëmijët.

Sipas rregullores n. 1169/2011 rregullat e BE-së janë të qarta: termi mish nuk mund të përdoret p.sh. për ushqime vegan. Ndërmarrjet që shesin prodhime vegan (me origjinë vegjetale) me emërtimin mish janë duke mashtruar konsumatorët. Duke përdorur fjalë të ngjashme si “mish i kultivuar”, “mish laboratori”, “mish në epruvetë”, “mish i pastër” artificial, etj. ata duan të nënkuptojnë një lidhje me mishin për qëllime marketingu. Ky ndalim zbatohet edhe për reklamën dhe për prezantimin e ushqimeve të ngjashme. Vendimi i fundit i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së ndalon gjithashtu përdorimin e paligjshëm të përcaktimeve si “djathë vegan” ose “qumësht soje”.

Pra është rrenë përdorimi i emrit “mish i kultivuar” për t’u perceptuar si diçka që të kujton bimët, pra tokën dhe prodhimet e shëndetshme. Përkundrazi, “mishi sintetik” prodhohet duke u nisur nga disa shirita fibrash muskulore, të cilat rriten nëpërmjet shkrirjes së qelizave staminale embrionale brenda një bio-reaktori, duke përdorur teknikat e inxhinierisë së indeve, të cilat ka disa vite që praktikohen në mjekësinë rigjeneruese. Prandaj, produkti sintetik e i inxhinierizuar është rezultat i një procesi laboratorik që nuk ka aspak lidhje me konceptin e ushqimit.

Një gënjeshtër tjetër është se “mishi artificial” eliminon vuajtjet e kafshëve, dredhi kjo që shërben për të prekur zemrat e animalistëve. Realiteti është krejt ndryshe, sepse për të prodhuar “mish artificial” nevojitet serumi i fetuseve të gjedhit për rritjen alimentare në laborator, një kultivim i bazuar në qelizat staminale të viçit. Pasi të theret një lopë nënë në laborator/kasaphanë, mitra e saj e cila përmban fetusin, hiqet, duke zgjedhur vetëm fetuset me moshë më të madhe se tre muaj, përndryshe zemra është shumë e vogël për t’u shpuar dhe gjatë të gjithë këtij procesi nuk përdoret asnjë anestezi. Ndoshta në të ardhmen do të kemi ferma vetëm për mbarështimin e fetuseve.

7

Sipas studimit të kryer nga një grup shkencëtarësh të Oxford Martin School, ndikimet ambientale të “biftekut sintetik”, i cili shoqërohet me konsumin intensiv të energjisë, mund të shkaktojnë sipas një programi afatgjatë një nxehje madje edhe më të madhe globale. Përveç kësaj, procesi i prodhimit të “mishit sintetik” lyp një konsum uji që është shumë më i lartë se ai i shumë fermave, duke prodhuar përveç të tjerave sasi të tepërta molekulash kimike e organike, mbetjet e të cilave janë shumë ndotëse për burimet ujore, gjë kjo e dokumentuar nga Instituti francez Inra, (Institut national de la recherche agronomique).

Përfundimisht, “mishi i Frankenshtajnit” as nuk e ruan ambientin e as nuk e zvogëlon ndikimin në ndryshimet klimatike. (Megalomania e njeriut të vogël nuk ka kufi, duke futur hundët në gjëra që akoma nuk i kupton, i bazuar në interesa meskine, kinse është i aftë të rregullojë Rruzullin tokësor. – sh.p.)

Një rrenë tjetër është se “mishi sintetik” mund të ushqejë popullsinë botërore – shton Coldiretti – duke u shndërruar kështu në një burim të arritshëm nga gjithkush. Në fakt është e kundërta, ky është një biznes për pak njerëz. Teknologjia e përdorur ka kosto të larta fillestare e rendiment me shkallë në rritje – gjithçka që është e nevojshme për krijimin e monopoleve. Emrat ma të ngarkuar me këtë biznes miliarder, kryesisht njihen si protagonistë të sektorit hi-tech e të financës së re botërore, duke filluar nga Bill Gates (themeluesi i Microsoft-it) te Eric Schmidt (bashkëthemelues i Google), te Peter Thiel (bashkëthemelues i PayPal) e Marc Andreessen (themelues i Netscape), te Jerry Yang (bashkëthemelues i Yahoo) e deri te Vinod Khosla (Sun Microsystems).

6

“Prapa alarmizmit të përsëritur e pa baza kundër përdorimit të mishit të kuq ekziston një strategji e saktë e shoqërive shumëkombëshe, të cilat me operacione të shkathëta marketingu synojnë të ndryshojnë stilin e të ushqyerit natyral i cili është i bazuar në cilësi e në traditë”, tha presidenti i Coldiretti, Ettore Prandini. 

“E kurrë nuk duhet të harrojmë se veprimtaria e rritjes së kafshëve nuk ka vetëm funksion ushqimor por ka edhe një rëndësi të madhe sociale dhe ambientale sepse kur mbyllet një stallë mbyllet një sistem i tërë i rritjes së kafshëve, i kultivimit të livadheve për foragjere, i prodhimit të djathërave tipikë dhe mbi të gjitha kjo gjë përfshin breza të tërë njerëzish që në ata vende jetojnë. Pasojat janë shpopullimi dhe degradimi i territoreve, sidomos në zonat me kushte të pafavorshme.

Ne jemi të gatshëm t’i shpallim luftë mishit të Frankenshtajnit, sepse është një e ardhme të cilën nuk duam ta lejojmë të na përlajë.”, tha Prandini. 

 

Përshtatur nga italishtja:

Le 5 bugie della carne Frankenstein” Gino LUKA

Referime:

«No al cibo Frankestein»: parte la mobilitazione contro il cibo sintetico | EcodelloJonio.it

Accueil | INRAE INSTIT

Carne sintetica, la verità nel dossier: è cara e inquina. Altro che rimedio alla fame nel mondo – Libero Quotidiano

Chi siamo – Coldiretti

Frankenstein di Mary Shelley: scheda libro | Studenti.it

Il Missouri è il primo Stato americano a regolare l’uso della parola “carne” » Unaitalia

Le 5 bugie della Carne Frankenstein | Cibodoro

Le carni alimentari (libero.it)

Oxford Martin School | University of Oxford

The darker side of lab-grown meat – Beef Central

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top