Në fokus

February 17, 2018 | 13:45

Mjafton dëshira dhe të gjitha problemet zgjidhen

Sa të shumta janë rastet e ndihmës së kërkuar, për një zgjidhje sado të vogël dhe për një shpresë që askund nuk e kanë parë deri më sot, këto janë kërkesat që hasen më së shumti në emisionin më të fundit në News24 “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Në kuadër të festes së madhe të përvjetorit të Pavarësisë, emisioni solli në Tiranë gëzimin e vëllezërve shqiptarë të Kosovës.

Në emision erdhën histori njerëzore nga Podujeva dhe Malisheva. I paralizuar në karrocë Riad Mehmeti 14 vjeç, nxënës i shkëlqyer, kishte ëndërr vetëm të ngrihej në këmbë dhe të takonte Elvis Naçin. Dëshira e djalit u plotësua sapo stafi i emisionit pa videomesazhin e dërguar prej tij. Ola Bruko ftoi Riadin të moderonte në studion e shqiptarëve, pasi djali kishte shumë dëshirë t’i drejtonte personalisht Elvisit disa pyetje.

“Nuk kam fjetur gjithë natën. Mezi prisja të vija këtu”, tha Riadi, i cili e intervistoi Elvis Naçin, duke e pyetur për emisionin, frymëzimin dhe për ndihëm ndaj shqiptarëve.

Në studio u përjetuan emocione të forta dhe paneli u përlot nga reagimi i Riadit kur Elvis Naçi i premtoi banesë të re, që Riadi të jetonte në kushte më të mira dhe të kishte më shumë hapësirë për të lëvizur me karrocë.

“Fondacioni Firdeus është bashkuar me shqiptarët dhe shpresojmë që Riadi do të ketë shtëpinë e re”, tha Elvis Naçi. “Më keni dhuruar ditën më të bukur të jetës sime”, u shpreh Riadi.
Riadi kishte edhe një kërkesë ndaj Sidrit Bejlerit pasi i kërkoi të këndonin bashkë këngën “Xhamadani vija-vija”. Gëzimi në sytë e tij, dashuria për jetën dhe mesazhi që Riadi ka për të gjithë prindërit nuk njeh kufi. Ai recitoi një poezi që e kishte krijuar vetë për fëmijët me aftësi të kufizuara.

 

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 udhëtoi për të parë nga afër Dritën, një 54-vjeçare me një sëmundje të pashërueshme që banon në një kullë të vjetër në Klos. Historia e saj është e dhimbshme dhe njëkohësisht tragjike. Në këtë kullë të vetmuar, Drita jeton e ngujuar se brendshmi, e shkëputur nga realiteti, realitet të cilin ajo refuzon ta pranojë.

Një dhomë boshe, disa dritare të mbyllura të kullës së vjetër dhe një oxhak pa zjarr në vatër është e gjithë bota e saj. Në moshë fare të re, i ndërroi jetë e ëma, me të cilën ishte shumë e lidhur, e që prej asaj dite, ajo u mbyll në vetvete deri sa u sëmur rëndë duke kaluar në depresion, sëmundje nga e cila nuk gjeti shërim. Prej 20 vitesh ajo është e paralizuar dhe nuk mund të lëvizë më. Sytë e saj të përhumbur, vështrojnë diku larg, sikur bezdiset nga prania e kësaj bote dhe kërkon ta lësh në qetësinë e saj, frikshëm të dhimbshme.

Drita refuzon ushqimin, refuzon shërbimin, po kush kujdeset për Dritën? Ajo pranon vetëm një njeri që t’i shërbejë, që është Sofia, kunata e saj. Sofisë, së cilës e gjithë jeta i është kthyer në shërbim të përhershëm ndaj kunatës asnjëherë nuk ankohet, edhe lotët i derdh nga keqardhja për kunatën e cila vuan.

Kunata përpiqet të gatuajë me atë çfarë ka, për ta ushqyer, por shpesh herë edhe ushqimi s’mjafton. I ka ndodhur edhe të heqë nga sofra racionin e fëmijës së saj për t’ia dhënë kunatës.
Sofia punon në shtëpi dhe në arë, te bagëtitë dhe kujdeset për 5 fëmijët e saj, vjehrrin, bashkëshortin dhe Dritën, jeta e saj është kthyer në një shërbim të përhershëm. Gjendja ekonomike e familjes Muça është mjaft e vështirë.

Drita kërkon një njeri që të kujdeset vetëm për të, mirëpo mundësitë e kunatës janë të tilla që duhet të merret me shumë gjëra. Drita është shumë e lidhur me Sofinë, sa që nuk pranon asnjë njeri tjetër, por edhe Sofia nuk pranon që ta largojë prej vetes. Sofia kërkon një ndihmë financiare në mënyrë qe kunata të mos merret me punë tjetër por të kujdeset vetëm për Dritën, sëmundja e së cilës nuk ka shërim.

Në studio Elvis Naçi deklaroi se Dritës i është lidhur një pension, gjithashtu asaj do t’i dërgohen vazhdimisht ushqime.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top