Facebook, Instagram janë “kopshti virtual ku mban era trëndelinë”, për të kuptuar se asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe duhet të çmojmë më shu7më ata që kemi pranë.
Arta Llana, psikologe klinike
Facebook e rrjetet e tjera sociale mund të të shkëpusin nga realiteti dhe të krijojnë perceptim të gabuar tek njerëzit, duke menduar se nuk po bëjnë një jetë “aq të bukur, luksoze e të suksesshme” sa të tjerët.
Rreth 13 vite më parë, kur Facebook përdorej më shumë nga të rinjtë, duke biseduar me djalin tim të vogël, ai më tregoi se ndihej shumë i trishtuar atë ditë për një shok të lagjes. E pyeta: – Përse, çfarë ka ndodhur?
Sepse, – më tha, – ai shoku ka shkruar në Fb -“po festoj shumë i lumtur ditëlindjen dhe jam mbushur plot dhurata”,- ndërkohë që është ulur tek shkallët e pallatit dhe po rri i vetmuar në telefon.
Djali im ishte shumë i vogël në atë kohë, por ai nxitoi të jepte nga shpirti dhe zemra e tij që t’ia ndryshonte ditën shokut të tij.
Sytë na u mbushën me lot. Atë skenë nuk e harruam kurrë të dy. Imagjinova dhimbjen dhe presionin që ndiente ai fëmijë, që ndiente fëmija im gjithashtu, por edhe revoltën brenda vetes që nuk mund të plotësoja dëshirat e djemve ashtu siç ata shikonin shokë të tjerë me mundësi më të mira ekonomike.
Janë disa ndjenja dhe emocione të cilat boja i fshin, nuk i shkruan dot, fjalët nuk arrijnë dot të përcjellin peshën e rëndë që ndodhet në kraharor, shpirti përpëlitet sepse askush nuk ia shikon lotin e kripur që mban brenda, dhe as hidhësinë që djeg pa mëshirë, s’ka ekran që mund ta shfaqë ekzaktësisht atë përjetim të fortë.
Janë disa përjetime mbushur plot vuajtje, emocione të forta, dilema të mëdha, por që kanë vlerë dhe mësime aq të pasura saqë gjithçka të duket e varfër për ta bërë atë të dukshme tek të tjerët.
Kështu që në atë kohë kuptova se kisha rrënjosur tek im bir të tjera vlera përtej anës materiale.
Unë personalisht ndihesha e varfër, sepse bluaja nga brenda sa shumë gjëra i mungojnë djalit tim njëkohësisht dhe nuk mundesha, por nuk e dija se djali im ishte më i pasur se unë. Ai tashmë kishte mësuar të ishte i thjeshtë, të kuptonte situatën e tjetrit, kishte mësuar të ishte NJERI.
Ai sikur më lexoi mendjen dhe më tha direkt: – Mami, ti na ke dhënë gjithçka që ke pasur vetë. Ishte ai që më ngushëlloi për momentin.
Po kur janë infektuar të rriturit nga rrjetet sociale dhe manipulohet e ndikohet mendja e tyre, atëherë si mundet të ruhen fëmijët nga ndikimi që pësojnë kur shikojnë luksin që nuk e arrijnë dot?
Si mundet të mbahet shpirti plot në këtë kohë dhe shoqëri që jetojmë ku sapo arrin diçka, të vendos sërish në pozita të tjera për diçka tjetër, akoma pa shijuar të parën?
Është koha dhe bota e sendeve, paraja ka vlerë mbi çdo gjë, janë këto që nxitojnë të “veshin” njerëzit për t’i mbajtur rehat dhe janë pikërisht këto që nxisin njerëzit “të zhvishen” nga çdo vlerë, dhe t’u boshatiset shpirti.
Mjerim më i madh se shpirti bosh nuk ka! Kështu endet bota sot në kaos e zbrazëti shpirti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.