FB

December 15, 2022 | 8:42

Neurodiversiteti dhe trajtimi i çrregullimeve të shëndetit mendor / Pranimi i ndihmës profesionale do të thotë vetëdashuri dhe vetërespekt

Funksionimi ynë kognitiv, emocional, social dhe pjellor, është unik  tek secili individ. Secili prej nesh percepton, mendon, ndjen dhe funksionon ndryshe, rrjedhojë e shumë proceseve komplekse neurobiologjike që ndodhin në sistemin tonë nervorë. Ndërveprimi ynë me ambientin e jashtëm gjithashtu është unik dhe eksperienca që marrim dhe forma e ndërveprimit me ambientin e jashtëm do të jetë gjithmonë e veçantë tek çdo individ.

d-1

Neurodiversiteti përshkruan këtë funksionim unik kognitiv, emocional dhe sjellor të secilit prej nesh, që nënkupton se, nuk ka një formë të “drejtë” të të menduarit, mësuarit dhe të sjelljes, prandaj dhe ndryshimet jo gjithmonë duhet t’i shohim si deficite apo problematika. Ndërveprimi apo sjellja jonë në tërësi, ose forma jonë unike e ndërveprimit me ambientin e jashtëm, është një proces i rëndësishëm për zhvillim të vazhdueshëm  psikologjik dhe emocional, prandaj unicitetin e secilit prej nesh nuk duhet ta kufizojmë domosdoshmërish në një çrregullim apo vështirësi, por si një udhërrëfyes shumë efikas për ndërtimin e një ndërhyrjeje të suksesshme terapeutike kur jemi profesionist-klinicist, dhe në rrethana të tjera, një rrugëtregues për ndërtimin e marrëdhënieve sociale dhe ndërpersonale.

Kemi disa gjendje neurokomplekse që konsiderohen si gjendje specifike neurodiversive ku përfshihen: Çrregullimet e Spektrit të Autizmit, Deficiti i Vëmendjes me ose pa hiperaktivitet, Diskalkulia, Disgrafia dhe Disleksia që kategorizohen në grupin e çrregullimeve neurozhvillimore. Puna klinike dhe studime të shumta kanë treguar se, duke ndërtuar ndërhyrjen terapeutike me principet e neurodiversitetit , tek çrregullimet neurozhvillimore suksesi është i jashtëzakonshëm.
d-3

Për ta kuptuar më konkretisht neurodiversitetin do të shqyrtojmë disa tematika dhe çrregullime të shëndetit mendor dhe emocional, dhe po e fillojmë me procesin e atashimit, proces që është pikënisja e zhvillimit tonë të përgjithshëm psikoemocional dhe ka një dinamikë të jashtëzakonshme gjashtë muajt e parë të jetës.

Procesi i atashimit është nevoja për të krijuar lidhje emocionale, ndërveprim emocional me nënën që në momentet e para të jetës. Me anë të procesit të atashimit ne duam të ndihemi të dashur, të mbrojtur dhe të sigurt. Ky proces është rregullatori ynë emocional dhe nxit ndërveprimin tonë me mjedisin e jashtëm, varësisht se si përmbyllet duke na i përmbushur nevojat tona ose jo, ne do të ndërtojmë mënyrën se si do të ndërveprojmë me ambientin e jashtëm, pastaj ndërveprimi nxit zhvillimin e aftësive tona kognitive, dhe zhvillon aftësitë e menaxhimit emocional, dhe aftësitë tona sociale.

Nëse procesi i atashimit nuk do të përmbyllet në mënyrë të shëndetshme, pritët që individi të ketë vështirësi për të krijuar lidhje emocionale dhe i kufizuar në përjetimin e emocioneve pozitive, vështirësi me afërsinë fizike dhe vendosjen e kufijve, reagime të pazakonta për ndryshimet e rutinës ditore dhe nevojë për të pasur kontroll për “gjithçka”, ankth, deri në çrregullime specifike të shëndetit mendor dhe emocional. Pjesë shumë e rëndësishme e shëndetit tonë mendor janë traumat e hershme të fëmijërisë, përjetimet tona të traumave të hershme fizike, psikologjike dhe emocionale, të cilat janë të ndryshme nga individi në individ, dhe në shumë raste, sekuenca të njëjta traumatike do të manifestohen me shqetësime dhe simptoma të ndryshme në individ të ndryshëm.

Shqetësimet apo disa nga simptomat më të shpeshta kognitive, që mund të jenë si pasojë e traumave të hershme të patrajtuara janë: përqendrim i ulët, pamundësi për t’u përqendruar, kujtime që përsëriten dhe humbje e vullnetit të përgjithshëm. Simptomat më të hasura emocionale janë: ndjenjë frike e vazhdueshme, ngrirje emocionale, luhatje të vazhdueshme humori, neveri dhe simptomë më evidente sjellore janë: sjellje që nuk përkojnë me kontekstin dhe dëmtojnë funksionimin e përditshëm të individit, e në disa raste, traumat manifestohen edhe me simptoma fizike p.sh. dridhje të duarve, djersitje, rrahje të shpejta të zemres, dhimbje specifike në trup etj., simptoma për të cilat asnjëherë nuk do të gjendet një shkaktar organik. Është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që për simptoma fizike të bëhet përjashtimi i faktorëve organikë me ekzaminimet përkatëse, por duhet të kemi kujdes sepse edhe insistimi për ekzaminime të vazhdueshme nuk është i nevojshëm.

d-5Nëse kemi kaluar një sekuencë traumatike për të cilën jemi të vetëdijshëm ose është në të pavetëdijshmen tonë, jo domosdoshmërish duhet t’i kemi të gjitha shqetësimet e lartpërmendura, mjafton vetëm një nga simptomat për të treguar që ka një shqetësim të shëndetit mendor, dhe është klinicisti që definon se nga po vjen shqetësimi.

Gjatë procesit të trajtimit të pacientëve me çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor dhe emocional, analizimi i neurodiversitetit është jashtëzakonisht shumë ndihmues në vendosjen e qasjes së duhur terapeutike, që do të rezultojë me zgjidhjen në thelb të problematikës apo shqetësimit. Me anë të procesit terapeutik, nuk mund të fshihen kujtimet apo sekuencat traumatike, por ato mund të integrohen në formën e duhur në sistemin tonë nervor dhe emocional, sepse mosintegrimi i duhur i këtyre kujtimeve dhe sekuencave traumatike (që janë në të vetëdijshmen dhe ato në të pavetëdijshmen), janë shpeshherë shkaktarë ose edhe faktorë ndikues për çrregullimet e ankthit, depresion, çrregullimet  somatoforme dhe çrregullimet emocionale.
Neurodiversiteti është forma unike e funksionimit të sistemit tonë nervor, prandaj asnjëherë nuk mund të ngremë pikëpyetje (paragjykim) se për çfarë një individ është duke kaluar një gjendje specifike me shëndetin mendor ose emocional. Prandaj çdo pikëpyetje është e panevojshme!

Për ta paralelizuar dhe kuptuar më konkretisht, ne lindim më një funksionim unik të sistemit tonë nervor dhe emocional, secili prej nesh do të përmbyllë procesin e atashimit  në mënyrë unike qoftë në mënyrë të shëndetshme ose jo dhe secili prej nesh, në fëmijërinë e hershme do të përballet me sekuenca traumatike të ndryshme ose edhe të ngjashme që do t’i përjetojmë sipas mënyrës sonë unike ose neurodiversitetit.

d-4Neurodiversiteti, atashimi, traumat dhe kujtimet e këndshme apo rutina jonë ditore që ka dominuar që në fëmijërinë e hershme, janë themeli i ndërtimit të personalitetit tonë në të ardhmen. Shumë  çrregullime të shëndetit mendor dhe emocional siç janë, çrregullimet e personalitetit, depresioni, çrregullimet e ankthit, ataku i panikut (që ka një lidhje direkte me traumat e kaluara për të cilat nuk jemi të vetëdijshëm), çrregullimet somatoforme, aftësitë tona të përshtatjes, vetëkontrollit emocional, vetëvlerësimi dhe vetëbesimi, ballafaqimi me probleme të ndryshme, janë rrjedhojë e neurodiversitetit, atashimit dhe fëmijërisë së hershme.

Duke e kuptuar dhe analizuar neurodiversitetin dhe atë se çfarë u tha deri tani, është e kuptueshme që për shqetësimin e njëjtë të shëndetit mendor, apo çrregullimin e njëjtë të shëndetit mendor dhe emocional por në individ të ndryshëm, mund të mos funksionojë qasja e njëjtë terapeutike, mund të mos funksionojë medikamenti i njëjtë, dhe në të gjithë individët që janë duke kaluar shqetësime me shëndetin mendor, ndikojnë negativisht fjalët dhe këshillat e dhëna nga joprofesionistët.

Duhet të kemi shumë kujdes se si e këshillojmë një person që është duke kaluar një çrregullim, sepse tek disa çrregullime të shëndetit mendor janë identifikuar ndryshime biokimike në tru. P.sh. tek depresioni, por që në shumicën e rasteve këto ndryshime mund të jenë të ndryshme tek individë të ndryshëm me çrregullimin e njëjtë (e kemi kuptuar pse), ndryshimet biokimike në tru na tregojnë se gjendja e individit që po kalon vështirësi me shëndetin mendor nuk është në dorën e tij, që do të thotë se, askush nuk dëshiron të ndihet në depresion, ankth, apo të përjetojë dhimbje fizike pa shkak organik me dëshirën e tij, prandaj këshillat nga njerëz jo përgjegjës “nuk ke pse ndihesh kështu”, “mendo ke çdo të mirë” janë të dëmshme, jo ndihmuese dhe totalisht të panevojshme.

Nëse nuk e kuptoni neurodiversitetin, nëse nuk e dini funksionin e serotoninës, nëse nuk i njihni funksionet e CNS,nëse nuk e dini funksionin e amigdalës dhe nuk e dini se çfarë është neuromodulimi etj., nuk jeni personi përgjegjës për të dhënë këshilla për shëndetin mendor apo ide motivuese si t’i kalojmë këto çrregullime.

Gjatë procesit terapeutik, pacientet me të drejtë duan që sa më shpejt të jetë e mundur të kenë përmirësime në shëndetin e tyre mendor dhe emocional, por një trajtim i mirëfilltë dhe efektiv kërkon kohën e tij, sepse çdo profesionist i shëndetit mendor duhet ta analizojë dhe kuptojë perceptimin, mënyrën e të menduarit, të reaguarit, të mësuarit dhe ndërveprimit për të ndërtuar ndërhyrjen efektive terapeutike.

Secili funksionojmë sipas neurodiversitetit, formës së veçantë të funksionimit të trurit, dhe siç e përmenda më lart, një ndërhyrje terapeutike që ka qenë efektive tek unë nuk mund të jetë efektive tek Ti ose dikush tjetër, dhe  kjo do të thotë që shqetësimet e mia të shëndetit mendor apo emocional, nuk janë më të rënda apo më të lehta se të dikujt tjetër. Eksperienca klinike me pacient ka treguar që, ndërhyrjet multimodale terapeutike duke analizuar dhe përfshirë të gjitha detajet janë gjithmonë me efektivitet të menjëhershëm.

d-2
Çfarë nëse nuk do të kishte neurodiversitet ?

Rutina e funksionimit të përditshëm do të ishte shumë mbytëse.

Rekomandime:
Mos t’i shohim ndryshimet tek vetja dhe tek të tjerët si problematika. Nga afër askush nuk është normal, dhe normalja është shumë e përgjithshme e vendosur, duke u bazuar në disa norma sociale të ndërtuara nga neurodiversiteti i individëve të ndryshëm ndër vite. Funksionimi ynë ditor duhet t’i shërbejë mirëqenies sonë të përgjithshme, dhe fillimisht ne duhet të jemi produktiv për veten, pastaj për rrethin e ngushtë social dhe shoqërinë në përgjithësi. Ndërveprimi dhe Socializimi do të na ndihmojë të zhvillohemi në vazhdimësi, prandaj të ndërtosh një rreth social më individë që ju kupton , pranon dhe respekton, gjithashtu të kuptojnë, pranojnë dhe respektojnë neurodiversitetin është shumë ndihmuese për mirëqenien e përgjithshme mendore, emocionale dhe fizike.

Vendosja e kufijve është domosdoshmërish e nevojshme, dhe të mësojmë të themi: JO, jo nuk mundem, të ndërtojmë marrëdhëniet sociale duke respektuar limitet e njëri-tjetrit dhe të tregohemi të kujdesshëm me mirëkuptimin e tepërt.

Askush nuk e ka të drejtën e gjykimit, dhe mos të harrojmë që paragjykimi është gënjeshtra më e madhe. Përvojat e ndryshme me ngarkesa të mëdha emocionale nuk mund të tejkalohen vazhdimisht me përdorimin e mekanizmave mbrojtës, pranimi i asaj se çfarë jemi duke kaluar është çelësi i zgjidhjes së problemit.

Pranimi na nxit drejt kërkimit të ndihmës profesionale, dhe me kërkimin e ndihmës profesionale tregojmë vetëdashuri dhe vetërespekt që janë baza e funksionimit të shëndetshëm, psikologjik, emocional dhe fizik.

Të njohim veten me anë të ndihmës që na jep një profesionist i shëndetit mendor. Kjo do të na ndihmonte të evitojmë shumë problematika në të ardhmen, kjo do të thotë që jo vetëm kur është e nevojshme të takojmë një profesionist të shëndetit mendor. Të gjithë lindim më një predispozitë për të kaluar një çrregullim të shëndetit mendor të paktën një herë në jetë, prandaj t’i lëmë stigmat dhe të tregohemi pranues, të mirëkuptueshëm dhe mbështetës në masën e duhur.

*Mr.Sci Elma Miftari, Specialiste për Neurobiologjinë e trurit, mekanizmat neurobiologjikë, identifikim, diagnostikim dhe trajtimin farmakologjik të çrregullimeve mendore dhe emocionale – Harvard University – Harvard Medical School.
Specialiste për Neuropsikologjinë klinike dhe neurorehabilitimin – Barcelonë – Spanjë
Psikologji Klinike – Universiteti i Tiranës

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top