FB

August 17, 2022 | 8:15

Mos lejoni që zinxhiri i stinës së verës t’ju mbajë të lidhur!

Vera tashmë është mes nesh dhe shumica e njerëzve planifikojnë ende pushimet e tyre. Ndërkaq, të tjerë bëjnë një bilanc të kohës që kalojnë gjatë stinës së verës.

Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

Pushime ideale, të pakapshme

Dëshira e madhe e individit për t’u shkarkuar nga ritmet marramendëse dhe për të rimbushur bateritë mendore dhe emocionale është ndërthurur plotësisht me pushimet verore. Shumë shpesh, disa ose më shumë ditë pushimesh ngarkohen me përmbushjen e dëshirave të grumbulluara nga viti i kaluar. Është përhapur një ndjenjë që gjatë verës të gjithë duhet të kalojnë mirë në çdo moment dhe asgjë nuk duhet t’i shqetësojë gjatë kësaj periudhe të shkujdesur. Idealisht, këto pushime zhvillohen me shoqërinë më të mirë, në një mjedis të mrekullueshëm plazhi dhe orë të pafundme qetësie dhe shkujdesjeje. Rrjetet sociale janë të mbingarkuara me foto plazhesh të bukura dhe me momente plot ngjyra, por a ka mundësi që vera të jetë gjithmonë perfekte? Përgjigja është jo dhe kjo sepse vera nuk ndryshon nga stinët e tjera për sa i përket ndikimit të faktorëve të jashtëm dhe mbijetesës së përditshme. Përveç faktit që shumë njerëz kanë më shumë kohë të lirë dhe humor më të mirë për shkak të kushteve të mira atmosferike, stina e verës është një tjetër kohë e vitit.

Pritshmëritë

Kërkesat “Kalofsh mirë e bukur!” zakonisht janë të mbushura me ankth dhe pritshmëri të larta. Por çfarë ndodh me pritshmëritë e mëdha që vijnë për pushime perfekte? Pritshmëritë e larta të lindura gjatë pushimeve verore, në vend që të mobilizojnë, zakonisht i zënë njerëzit në kërkim të kushteve perfekte, gjë që është e paarritshme dhe shpesh e idealizuar. Pra, kur pritshmëritë nuk gjejnë akomodimin e tyre ideal, stresi, ankthi dhe këmbëngulja intensive për të arritur pushimet perfekte në fund inaktivizon dhe lodh “gjuetarët e pushimeve”. Pra, edhe nëse kanë shkuar me pushime, kthehen akoma më të frustruar dhe të inatosur që nuk kanë arritur t’i plotësojnë dëshirat e tyre në maksimum.

Si të shpëtoni nga zinxhiri?

Për t’i shpëtuar zinxhirit të verës, pavarësisht nëse shkoni me pushime apo jo, sigurohuni:

– të përqendroni vëmendjen tuaj në të tashmen dhe gjithçka që po bëni në atë moment.

– përqendrohuni në të menduarit tuaj dhe hiqni çdo mendim negativ.

– shmangni krahasimet me njerëzit në rrethin tuaj shoqëror dhe përfshirjen e tepërt në rrjetet sociale.

– të bëni çdo ditë diçka që ju mbush me kënaqësi që në dimër nuk mund ta realizoni.

– angazhohuni në kultivim shpirtëror dhe fizik duke i kushtuar kohën e nevojshme vetes.

– pranoni në mënyrë fleksibël çdo emergjencë që mund të lindë pa u dëshpëruar.

– i ofroni mendjes dhe trupit tuaj momente pushimi dhe relaksi.

– preferoni komunikimin e drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me kontaktet tuaja sociale.

Këto këshilla të vogla mund t’i bëjnë pushimet tuaja kuptimplota dhe t’ju largojnë stresin shtesë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top