Studim

September 10, 2020 | 8:16

Mungesa e oreksit tek fëmijët nën 18 vjeç dhe lidhja me koronavirusin… Ja çfarë zbuloi studimi i fundit

Më shumë se një e treta e fëmijëve të moshës nën 18 vjeç vuajnë nga humbja e oreksit, sepse mund të jenë të infektuar me koronavirus, raporton “Daily Mail”. Nëse fëmija kthehet në shtëpi dhe nuk e ka ngrënë ushqimin që i dhatë me vete para se të shkonte në shkollë, jini të vëmendshëm, sepse kjo mund të jetë një shenjë e infeksionit.

Një skuadër nga kolegji “King” në Londër ka monitoruar qindra fëmijë të infektuar me Covid-19, duke përdorur aplikacionin gjurmues të simptomave të virusit. Ata zbuluan se shumica e të rinjve që rezultojnë pozitiv nuk tregojnë shenjat e zakonshme të virusit, siç janë kolla e vazhdueshme, ethet ose humbja e aftësisë për të nuhatur apo për të shijuar.

Në vend të kësaj, ata zbuluan se shumica e të rinjve me virus kishin tendencë të anashkalonin vaktet, të vuanin nga dhimbja e kokës dhe të ndiheshin të rraskapitur. Aplikacioni gjithashtu zbuloi se një në gjashtë fëmijë nën moshën 18 vjeç hasin disa simptoma të tjera, siç është skuqja e lëkurës, e cila u shkakton kruajtje.

Gjetjet bazohen në të dhënat që u mblodhën nga vëzhgimi i 198 fëmijëve, të cilët rezultuan pozitivë, si dhe nga vëzhgimi i 15,800 të tjerëve të cilët rezultuan negativë ndaj virusit.

Ekipi zbuloi se më shumë se gjysma e fëmijëve të infektuar nuk shfaqën asnjë simptomë të zakonshme që lidhet me virusin. Ndërkohë rreth një e treta e tyre nuk shfaqën fare simptoma, duke forcuar edhe një herë gjetjet e mëparshme se shumë individë janë asimptomatikë.

Pesë simptomat kryesore që u shfaqën tek fëmijët e infektuar nën 18 vjeç ishin: lodhja, dhimbja e kokës, ethet, dhimbja e fytit dhe humbja e oreksit.

Aplikacioni zbuloi gjithashtu se një në gjashtë fëmijë shfaqën skuqje të lëkurës. Ky studim është bërë, pasi javën e kaluar, studiuesit në Irlandën e Veriut zbuluan se diarreja, të vjellat dhe dhimbjet e stomakut ishin më të zakonshmet tek fëmijët e infektuar me Covid-19, krahasuar me të rriturit.

Megjithatë, sipas studimeve, kollitja nuk është domosdoshmërisht e lidhur me Covid-19, pasi mund të jetë edhe shenjë e një ftohjeje të zakonshme. Ekspertët thonë se për shkak të vështirësisë për të kuptuar nëse një fëmijë është thjesht i sëmurë apo i infektuar me virusin, duket se shumica e tyre nuk do të diagnostikohen kurrë.

 

 

Burimi / Panorama.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top