Në fokus

June 2, 2020 | 8:10

Ndjenja e fajit si shenjë maturie

Ndjenja e fajit duket si një emocion të cilin e mbajmë brenda vetes që nga historia e Adamit dhe Evës, nga rrëfimi i parë i mëkatit të origjinës, dhe se si ajo ka kaluar nga njëri brez në tjetrin e ka mbërritur deri tek ne. Ky është një këndvështrim i parë ndryshe nga Luca Carli, shkrimtar dhe poet, i cili ndjek në linjat e tij ndjeshmërinë natyrore të udhëhequr nga universi, e që i afrohet filozofive lindore dhe praktikave medituese. Por për këtë ne nuk kemi asnjë faj thotë ai. “Do të duhej ta mbyllnim këtë proces të përjetshëm që i bëjmë vetvetes”, nënvizon Carli, “Duke pasur kurajën gjithsecili për ta parë më në fund të vërtetën ashtu siç është”. Fillesa e jetës, e cila na vjen vetëm nga librat e shenjtë fetarë, na shtrohet në këtë këndvështrim sipas autorit në fjalë.

Nëse ndjenja e fajit që mbajmë së brendshmi erdhi nga dikush para nesh, atëherë as Adami dhe as Eva nuk ishin fajtorët e vërtetë. Nëse faji kalon nga gjeni në gjen, atëherë fajtori i parë ishte Ati ynë … është Zoti që na e solli këtë “barrë” të përjetshme! Por për çfarë mund të ndihet fajtor Perëndia? E thotë mirë një mit i vjetër, ai i Kronusit që hëngri fëmijët e vet. Zoti ndjehet fajtor që na bën të vdekshëm, sepse na ka bërë të kufizuar, të mbaruar. Por ne duhet të shohim edhe më tej … A nuk është Zoti një imazh njerëzor, një përfaqësim i tij? Atëherë ndjenja e fajit që ia atribuojmë Zotit në mënyrë të pavetëdijshme dhe pastaj vetes, është në të vërtetë frika jonë dhe më pas, rebelimi kundër vdekjes.

Nuk arrijmë ta pranojmë një mister kaq të madh dhe të përballemi me errësirën. Por duhet të kemi kurajën të shohim edhe më tej, përtej vdekjes, pikërisht kështu. Nëse këtë frikë e kemi për diçka që duhet akoma të ndodhë, për një ide që kemi për vdekjen gjatë jetës sonë, atëherë nuk është vdekja nga e cila kemi frikë, dhe nuk është vdekja ajo që përfaqëson misterin më të madh, por është vetë jeta.

Por le të ndalemi në këndvështrimin tjetër, atë profesional që ofron shkenca e psikologjisë. Studime të ndryshme, të përkora, i japim një dimension me tregues pozitivë sa i takon karakterit të individit që përjeton ndjenja faji. Në shkrimet e saj, psikologia e grupmoshave të ndryshme, Laura Gazzella, e shikon këtë ndjesi si një vuajtje më së shumti femërore, ndërsa thekson se është një formë shumë e mirë reflektimi më pas.

NDJENJA E FAJIT: GJYKIMI MORAL QË I BËJMË VETES

Kujt nuk i ka ndodhur të ndihet fajtor? Ndonjëherë me të drejtë, ndonjëherë pa arsye, ndoshta realisht pa bërë asgjë të gabuar. Ndjenja e fajit në psikologji nuk konsiderohet gjithmonë negative: tregon praninë e një debati të brendshëm mbi të cilin ia vlen të reflektohet dhe na ndihmon për të ruajtur marrëdhëniet me të tjerët. Por me telashe, duke e shndërruar atë në vetëdëmtim. Dhe pastaj, përballemi me këtë ndjenjë.

Ndjenja e fajit përshkruhet si një përzierje e elementeve emocionalë dhe njohës, përkufizohet si ndjenjë e pakëndshme që buron nga bindja, qoftë edhe e pajustifikuar, se ke dëmtuar dikë; ka të bëjë me altruizmin dhe empatinë për vuajtjet e njerëzve të tjerë, por gjithashtu, në një nivel të thellë, me frikën e një ndëshkimi të brendshëm nga figura të rëndësishme. Ndjenja e fajit për psikologjinë mund të përpunohet në mënyrë konstruktive, për shembull, për të gjeneruar veprime të dobishme shoqërore, nga aktivitete individuale ndreqëse, deri në bamirësi.

Shndërrimi i ndjenjës së fajit në zemërgjerësi, do të thotë ta shndërrosh atë në një ndërgjegje morale, dhe gjithashtu, ta njohësh veten si pjesë e një qenieje altruiste që i detyrohet shumë aftësisë për të vendosur marrëdhënie shoqërore. Në fakt, të gjithë kemi një identitet të dyfishtë: individual, të lidhur me interesat personale, sistemike, i cili funksionon për interesat e njerëzve tanë. Udhëhiqemi për të identifikuar veten tek të tjerët, për të perceptuar emocionet e tyre. Në këtë kuptim, ndjenja e fajit shërben për të mbajtur marrëdhëniet dhe, në dozën e duhur, na ndihmon të maturohemi.

Ndjesia e fajit për psikologjinë bëhet negative kur shndërrohet në vetëdëmtim, në sjellje vetëshkatërruese, siç ndodh kur prindërit i bëjnë fëmijët e tyre të ndjehen fajtorë, sepse duan që ata të jenë ndryshe nga ata që janë, ose kur një marrëdhënie shndërrohet në zotërim, dhe dikush, prindërit ose partnerët na fajësojnë, sepse nuk i duam aq sa duhet. Komponenti empatik i fajit mund të kthehet në një problem, kur teprohet, gjë që na pengon të analizojmë situatën në mënyrë të kthjelltë.

NDJENJA E FAJIT, NJË VUAJTJE KRYESISHT FEMËRORE

Studime të ndryshme në psikologji tregojnë se gratë përjetojnë më shumë ndjenja faji, veçanërisht ato në lidhje me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ky është një fakt që ka të bëjë me arsyen se gratë zakonisht janë edhe më empatike. Nga studime të ndryshme del se, ndjenjat e fajit janë më pak të theksuara tek më të rinjtë, pasi janë rritur në një kohë kur metodat arsimore më të rrepta u zëvendësuan nga modele më liberale.

NDJENJA E FAJIT: NJË EMOCION NARCISTIK?

A mundet që ndjenja e fajit të lindë nga një mbivlerësim i aftësive apo nga ndjenja narcistike e të qenit, në njëfarë mënyre, qendra e botës? Po. Nëse ndihem fajtor, sepse, për shembull, e bëra nënën time të qajë, atëherë do të priresha të minimizoja ngjarjet e tjera që mund të kenë shkaktuar të qara dhe ta vendosja veten në qendër të ngjarjes (“është faji im, kaq”). Mendimi psikoanalitik sugjeron që të ekzaminohen me kujdes këto procese mendore: kur në psikologji shkohet në rrënjët e një faji dukshëm të paqartë, njeriu zakonisht zbulon një ndjenjë armiqësore ndaj një anëtari të familjes ose një prej zëvendësuesve të tij. Armiqësia mund të rezultojë në një qëndrim kompensues, një vëmendje e tepruar ndaj të tjerëve.

NDJENJA E FAJIT: SI TA KUPTOJMË NËSE KEMI TË DREJTË APO JO TË NDIHEMI TË TILLË?

Për të identifikuar ndryshimin midis fajit subjektiv dhe atij “objektiv”, që është midis perceptimit tonë dhe “realitetit” të fakteve, duhet të vlerësojmë shtrirjen e fajit tonë dhe pastaj të përpiqemi të mendojmë se ishte një mik i yni për të kryer veprimin, e që na bën të ndjehemi kaq keq. Nëse ndjenja e fajit është e pajustifikuar, ka të ngjarë që të jemi të gatshëm të gjejmë shumë justifikime për punën e tij, dhe të besojmë se ai nuk ka arsye të ndihet fajtor.

Duhet të mbajmë parasysh se emocioni i fajit na bën të mbivlerësojmë pasojat e veprimeve tona: por, nëse në vend të kësaj arsyetojmë për sjelljen e të tjerëve, emocioni nuk ndërhyn në proceset tona njohëse dhe ne mund të kemi një këndvështrim më të kthjellët. Është e rëndësishme të jesh në gjendje të menaxhosh fajin në mënyra të ndryshme, madje ta falësh veten nëse rrethanat e kërkojnë, ose duke mos u shfrytëzuar nga të tjerët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top