Dëshmi

June 15, 2022 | 10:01

“Në një shoqëri që është ndërtuar në mënyrë të keqe, mëshira nuk jep rezultat.”

 “Në një shoqëri që është ndërtuar në mënyrë të keqe, mëshira nuk jep rezultat”/ Mbi problemet e shoqërisë së sotme- Fridrih Dyrenmat

Përgatiti Doruntina Grulaj, psikologe

Ashtu sikundër në të gjitha vendet në botë, të gjitha shoqëritë kanë problematika dhe dilema nga më të ndryshmet, mund të themi se në shoqërinë tonë shqiptare, më konkretisht në Kosovë, mbeten shumë më të mëdha. Shoqëria jonë hermetikisht e izoluar dhe duke mos pas mundësi që njerëzit të dalin të shikojnë se si është më larg, dhe se si funksionojnë gjërat, ka shkuar drejt prishjes së sistemit shoqëror, duke sjellë vetëm të këqija. Të gjithë e dimë se si shoqëri në tranzicion ne e kemi të pamundur që pa vështirësi të kalojmë periudhën e ndryshimit. Më e keqja është se as gjendja ekonomike e as ajo politike nuk ka shkuar drejt një përmirësimi gjithmonë keq e më keq, krijim të bllokadave, egoizëm të tepruar, mos ndërgjegjësim e shumë faktorë të tjerë kanë ndikuar për të mos pasur progres, por vetëm në vendnumëro, mos zhvillimi ekonomik ka pasur ndikim tejet negativ sidomos tek rinia e ditëve të sotme.

Vetëdijesimi rreth edukimit shkollor si dhe atij profesional, janë një mungesë e madhe tek të rinjtë që lë për të dëshiruar. Shumica prej tyre nuk e shohin punën si diçka të rëndësishme, përvojën e punës për të pas një jetë më të mirë, më të qetë dhe më të lumtur, ose edhe për të marrë një drejtim profesional nga puna. Përkundrazi, e shohin vetëm se si të marrin pak para për një muaj dhe ta lënë punën apo ta ndërrojnë vendin e punës, edhe nëse kanë rregull e nuk u bëjnë sjellje dhe veprime të këqija nga punëdhënësi. Andaj shkon edhe thellohet problemi, sepse ata marrin paga të vogla dhe nuk kanë synime më tutje, ata për pak dorëzohen, dembelosen, nuk marrin njohuri, nuk e përvetësojnë punën që të shkojnë drejt ngritjes së përvetësimit të njohurive apo edhe drejt ngritjes së pagës, shohin si zgjidhje ikjen jashtë shtetit, e që jashtë shtetit sigurisht duhet të arsimohesh, të punosh për të fituar dhe nuk mund të ndërrosh punën çdo muaj.

Duke e ditur se libri dhe leximi janë arma e vetme për të siguruar një formim bazik tek çdo njeri duke filluar nga mosha e vogël. Të rinjtë sot nuk lexojnë sikur brezat e mëhershme, përdorin teknologjinë, rrjete sociale pa kontroll, përdorin lëndë narkotike, konsumojnë duhan, alkool, përdorin armë të ftohta, shpenzojnë më shumë se sa fitojnë, krijojnë probleme në familje, shkollë, komunitet si dhe kanë sjellje tejet agresive ndaj njerëzve dhe moshatarëve të tyre, janë të dhunshëm dhe ngacmues seksual ndaj femrave dhe meshkujve. Reklamat e shumta dhe jeta luksoze që jepet nga mediat, nga muzika dhe tekset që këngëtarët i servirin, në mentalitetin tonë lë shumë për të dëshiruar sepse kjo është duke sjellë pas edhe shumë pasoja. Lakmia e të rinjve se jeta e rrjeteve sociale, tekstet e muzika, mendimi se vërtet tregojnë realitetin bën që shumë të rinj të demoralizohen, të bien në depresion, të bëjnë vetëvrasje, apo të zgjedhin mënyrën më të keqe për t’u pasuruar e që përfundojnë prapë me prishje të jetës.

Një problem dhe shqetësim tjetër është që një pjesë e rinisë mbi 25-tat vërtet janë të shkolluar, punëtorë, por fatkeqësisht ata janë duke bërë largim masiv nga vendi sepse këtu nuk vlerësohet punëtori i mirë, dhe nuk paguhet fuqia punëtore, sjellja e mirë merret për dobësi, dhe gjërat merren si për të mirëqena. Ky fenomen i papunësisë po bëhet problem shumë i madh dhe shumë të rinj e të reja janë duke emigruar jashtë vendit për një të ardhme më të mirë. Qasja e gabuar ndaj njerëzve punëtorë si dhe ndjekja e politikave të gabuara për të siguruar një vend pune ka bërë që shumë të ikin nga vendi ynë. Kontributi që ata mund të japin në vendin e tyre duhet ta japin në shtetet që ofrojnë mundësitë më të mira për ta.

Në ditët e sotme në shoqërinë tonë, ne hasim një problem edhe më të madh që dita-ditës po sjell pasoja, dhe është pikërisht mosedukimi i fëmijëve. Shumë prindër si nëna dhe babai nuk merren pothuajse fare me edukimin e fëmijëve të tyre, të themi të vërtetën as nuk dinë të merren, sepse fillimisht ata mes vete nuk gjejnë pajtueshmëri me organizimin e jetës dhe kujdesit e përkushtimit ndaj fëmijëve. Përkundrazi ata merren me jetën sociale të njerëzve të tjerë derisa fëmijët e tyre i postojnë sikur kukulla në rrjete sociale, dhe mashtrimin fëmijët e gjejnë me marrjen e telefonave nga duart e prindërve të tyre. Përderisa në realitet, në vende publike, çdo ditë ndeshimi me fëmijë aspak të dashur dhe as të edukuar, sepse këta fëmijë atë që kërkojnë si: lojën, përkushtimin, kohën e çmuar dhe dashurinë nuk e marrin nga prindërit e tyre, prandaj fillojnë të tregohen agresivë, mundohen të marrin vëmendje me veprime me sjellje jo të mira, dhe nuk kanë faj, sepse ata engjëj, sepse atyre nuk u mjafton një “ja, merre telefonin dhe hesht” ose “prit edhe pak, shët, mos fol”. Sikur ata që kanë krijuar shoqërinë drejt edukimit të fëmijëve pasluftës, kjo shoqëri e tranzicionit sot është duke krijuar të ardhmen e fëmijëve të tyre nesër.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top