FB

May 24, 2021 | 8:02

Nëna të dashura, mos jepni leksione pa e mësuar vetë leksionin më parë!

 

 

A nuk jeni ju bija nënash, a nuk jeni ju vetë nëna si vajzash ashtu edhe djemsh? A mos po pretendoni se ju i keni rritur djemtë dhe vajzat tuaja me moral më të lartë se të atyre nënave, djemtë e të cilave kanë një edukatë të çalë? Por si vallë mundet një nënë të akuzojë një nënë tjetër, apo edhe merr guximin t’i japë asaj mësim se si duhet edukuar i biri?

aida-shquti

*Aida Shquti, Master Shkencor për Mësuesi në Gjuhën Angleze në UT, e apasionuar pas të bukurës, inovatives në stilin e jetesës dhe mirëqenies

 

Jo të dashura nëna, po gaboni rëndë! Në vend që të ngrini zërin për ta shfarosur kanunin e mashkullit, të bashkoni forcat ndaj një shoqërie patriarkale, ju nuk bëni gjë tjetër veçse legjitimoni dhunën dhe jepni një model të shformuar të familjes dhe prindërimit.

A nuk po harroni që një familje e shëndoshë i ka themelet nga dy prindër të shëndoshë; një grua të lumtur dhe të arrirë dhe një bashkëshort i mirë, i cili si motor i familjes e përkrah dhe ndihmon të shoqen dhe të dy së bashku rrisin fëmijë të lumtur dhe të sigurtë?

Nëse ju fajësoni figurën e nënës për problemet e fëmijëve, atëherë jeni duke zhvlerësuar figurën e babait dhe duke e zhveshur atë nga çdo përgjegjësi, a thua se atij i obligohet vetëm të mbjellë farën e tij, kurse femra të merret me rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Mos harroni që fëmijët imitojnë sjellje të cilat i shohin nga modeli i dhënë nga ju prindër dhe në të ardhmen ato do të ndjekin shembullin tuaj, jo këshillat tuaja. Fëmijët do të shëmbëllejnë pasqyrën tuaj, ndaj jepini atyre modelin më të mirë.

Ashtu si në kohët e lashta ku burri shkonte për gjueti të kafshëve të egra dhe familja priste në shpella, ashtu edhe sot shumica e burrave kanë vetëm për detyrë mbrojtjen e familjes, në këtë mënyrë figura e tij zbehet dhe rëndësia e modelit të tij, duke mbetur një individ i paarrirë; kështu grave iu duhet të kthehen në nënat e burrave të tyre, kjo bën që gruaja të bjerë nga potenciali i saj dhe të jetë më e dobët në kryerjen e detyrave prindërore, sepse i duhet të zëvendësojë të dyja figurat.

A nuk është kjo rrënja e problemit nga ku zë fill gjithçka?

1

Të gjithë ata që i drejtohen nënave për edukim korrekt të djemve bëjnë me vetëdije gabim selektiv dhe në këtë mënyrë vazhdojnë të thellojnë atë që medoemos duhet korrigjuar për funksionimin e familjeve tona.

Ata që i hedhin nënave petkun e fajit, duhet ta kërkojnë fajin tek fajtori dhe nuk kanë ndryshim nga krijesat e skutave të errëta që vazhdojnë ta veshin dhe zhveshin burrin, ta presin me tavolinën shtruar edhe pas një dite të lodhshme pune dhe pas pune me fëmijët, i hedhin edhe nga një thelë mish më shumë sepse është burrë, duke harruar se edhe ato vetë kanë nevojë që herë pas here të hanë një pjatë gjellë të ngrohtë nga dora e burrit apo se punët në familje duhen ndarë në mënyrë që secili të japë më të mirën e tij, por nuk e bëjnë këtë sepse druhen mos burrit i hiqet një “r” dhe mbetet “burë”.

Ndaj të dashura nëna, ngrini zërin për të mbrojtur të drejtat tuaja, sepse jeni ju ato që heshtni dhe e pranoni shkeljen me sjelljet tuaja dhe mjaft fajësuat nënat e tjera.

Ndërtoni së pari trarë të sigurtë për familjen tuaj, mos i jepni burrave tuaj vetëm çanta bosh për t’i mbushur me ushqime, por jepini edhe qese mbeturinash për t’i zbrazur, mos i hiqni burrave xhaketën kur vijnë në shtëpi, por herë pas here vishini një përparëse për të gatuar. Kështu ata do ju ndihmojnë jo vetëm ju, por edhe shoqërinë, sepse do japin modelin shembullor tek djemtë e tyre të cilët do të dinë të vlerësojnë dhe respektojnë dhe jo të dhunojnë dhe përdhosin vlerat e femrës në shoqëri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top