Pika referimi

December 26, 2016 | 11:29

Nevila Xhindi: Gratë, shoqëria civile dhe qasja politike

Kam dëgjuar, diskutuar e mësuar nga gratë e shumta që kam takuar, mike shoqe, kolege, studente të miat se një nga nevojat kryesore që ato sot kanë është mbështetja, shoqërore, ekonomike e politike, lobimi dhe rrjetëzimi me njëra-tjetrën, krijimi i grupimeve më të forta civile dhe më të gjera për të rritur aleancat, llojin e pjesëmarrjes që do t’u mundësojë atyre të kapërcejnë pengesat që ofron përditë ky vend.

nevila xhindi

Nevila Xhindi * Sekretare për shoqërinë civile në PD

Në përballjen me këto sfida, pa diskutim organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur një rol të rëndësishëm për promovimin e rolit të grave në shoqërinë shqiptare, kanë lobuar për të drejtat e grave, për barazisë gjinore, për rrjetëzimin për çështje ekonomike, por në këtë rrugëtim a kanë qenë partitë politike dhe shoqëria civile së bashku të angazhuara për të krijuar “modelin”? Rritja e shoqërisë civile në Shqipëri gjatë tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, si dhe roli që ka luajtur ajo kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Ka një konsensus të përgjithshëm që funksionet shpesh të ngatërruara të shoqërisë civile në Shqipëri, si dhe mungesa e qartësisë në përcaktimin e përgjegjësive për kompetenca të veçanta në jetën politike, shoqërore dhe arenën ekonomike të vendit, janë dy nga pengesat kryesore për realizimin e një marrëdhënieje të suksesshme të shoqërisë civile me aktorët politikë dhe vendimmarrësit.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri kanë qenë pararojë në mbrojtjen dhe promovimin e barazisë gjinore, por jo vetëm, shpesh me angazhimin e tyre si aktiviste të shoqërisë civile gratë kanë fituar qasje publike e më vonë partitë i kanë promovuar në strukturat e tyre apo në qeverisje. Shumë prej tyre kanë zhvilluar aftësitë e lidershipit dhe përvojës për të kandiduar për poste drejtimi përmes angazhimit të tyre në biznese, universitete, në OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare. Gjithsesi këto modele nuk kanë mjaftuar, sepse në shoqërinë shqiptare ekzistojnë ende barriera në përfshirjen sociale të gruas në të gjitha fushat e zhvillimit dhe përherë e më shumë po nevojitet mbështetje politike për avancimin e standardeve të barazisë gjinore.

Shoqëria civile nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një zëvendësuese e partisë dhe politikave të saj. Platformat politike u takojnë partive dhe nuk mund te zëvendësohen nga shoqëria civile. Pjesëmarrja e grave në politikë, roli në shoqërinë civile, në vendimmarrje dhe në qeveri janë përbërësit kyç për ndërtimin e demokracisë. Demokracia pa pjesëmarrjen e plotë të grave është një kontradiktë në terma, që mbështetet nga një fakt i thjeshtë, që asnjë vend nuk mund të përparojë ose të ketë sukses nëse gjysma e qytetarëve të tij kanë mbetur prapa, nëse gjysma e popullsisë dhunohet e mbetet e nën-përfaqësuar në arenën politike. Statistikat dhe realiteti tregojnë që gratë janë veçanërisht efektive në promovimin e qeverisë së ndershme, janë të angazhuara fort për ndërtimin e paqes, pasi ata shpesh në mënyrë disproporcionale i vuajnë pasojat e konfliktit, përpjekjet e tyre për vendimmarrje të suksesshme zënë rrënjë më shpejt dhe janë më të qëndrueshme kur ato vetë janë të përfshira si në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi.

E ndërsa roli bashkërendues dhe plotësues i shoqërisë civile është i pashmangshëm në rrugëtimin politik të platformës së një partie, partitë politike duhet jo vetëm ta njohin dhe ta vlerësojnë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile, si monitoruese, vlerësuese, lidere e opinionit, burim parësor i informacionit, promovuese dhe lobuese që krijon mjedis sfidues për demokracinë, por mbi të gjitha duhet të vlerësojnë angazhimin e grave brenda këtij aktivizmi qytetar si udhëheqësve, qytetare të informuara, lobuese, ku gratë mund të advokojnë për çështje të politikës, të kandidojnë për poste politike, të zgjidhen për të qeverisur në mënyrë efektive, dhe të marrin pjesë në çdo aspekt të jetës qytetare e politike, si qytetare aktive të angazhuara për promovimin e politikave kombëtare dhe lokale që adresojnë sfidat socio-ekonomike dhe politike me të cilat përballen gratë, fëmijët dhe grupet në nevojë.

Këto fakte e ndihmojnë punën e partive politike me gratë më shumë se përqindjet në angazhim politik dhe krijojnë modelin e gruas (the rol model), që ka një ndikim të thellë pozitiv demokratik mbi komunitetet, legjislaturat dhe jetën e qytetarëve. Si dita zë ditët… mjaftueshëm kemi parë gratë të jenë të diskriminuara në arenën publike e politike shqiptare, përvojat e tyre, talentet dhe perspektivat të jenë të mbyllura nga vendimet politike të demokracisë sonë të brishtë dhe kështu perspektivat për një botë më të mirë… i kemi të rrezikuara. Mënyra më e keqe për të mbrojtur lirinë si grua, është që të pranojmë e të lëshojmë nga pak e përditë, që drejtuesit t’i konsiderojnë gratë si përqindje listash dhe të marrin nga liritë tona!

Presioni i qeverisë, tabutë tradicionale, varfëria, konflikti, kultura, të gjitha natyrshmërisht ushtrojnë presion te ne gratë, që të mos jemi të lira, që të mos themi atë që mendojmë. Dhe pikërisht, në kohë si këto, krize ekonomike e shoqërore që kalon Shqipëria, ne kemi nevojë për më shumë liri dhe një qytetari të kryesuar prej nesh që nuk ka frikë të ngrihet e të thonë se “mbreti është lakuriq”!

Unë nuk besoj se ekziston një model i përgjithshëm që mund të përmbledhë në një të vetëm rolin e grave, partive dhe të organizatave të shoqërisë civile në procesin e përfshirjes së gruas në jetën e demokratizimin e saj, por besoj se modele bashkëpunimi të suksesshme ka, por edhe duhen krijuar “sipas vendit- kuvendin”, sepse ky rol ndryshon sipas kontekstit publik-politik në çdo vend. Në stadin aktual të demokracisë, partitë duhet ta konsiderojnë prioritet dhe të inkurajojnë shoqërinë civile në kauzat e tyre për gratë; në komunikimin me qytetarët; në zhvillimin e saj si një katalizator për fushatat advokuese qytetare që synojnë të ndikojnë në vendimet për këtë vend, sepse duhet të jenë aleate natyrale në shërbim të interesave të qytetarëve për reforma që prekin dhe nxisin demokracinë. E kush më mirë se ne gratë me angazhimin qytetar do ta bënte këtë?

 

Botuar sot në Gazetën Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top