Në fokus

September 30, 2020 | 8:02

Nga Adelina Pjetra / Kur fëmijët veprojnë me sjellje seksuale… Abuzimi seksual vs sjellje problematike seksuale

Pse është e vështirë të njohësh problemin? Ka disa probleme pak të vështira për prindërit, mësuesit dhe personelin e kujdesit ditor që të vendosin se si të merren me fëmijët nën kujdesin e tyre që po u imponojnë sjellje seksuale fëmijëve të tjerë. Ka shumë pyetje për t’u marrë në konsideratë.

-A duhet thjesht të injoroni sjelljen dhe të shpresoni që fëmija ‘do të rritet prej saj’?

-Apo duhet të përpiqeni të korrigjoni sjelljen dhe të rrezikoni ta bëni fëmijën të ndihet fajtor për kuriozitetin normal seksual?

Sjelljet seksuale tek fëmijët e vegjël mund të variojnë nga eksploruese dhe normale deri te abuzive dhe të dhunshme. Institucionet edukuese kanë detyrimin të mbrojnë fëmijët nga sjelljet e papërshtatshme seksuale, përfshirë abuzimin seksual fëmijë me fëmijë. Ky detyrim mund të komplikohet kur akuza përfshin fëmijë pesë dhe gjashtë vjeç, për të cilët prekja e pjesëve të trupit dhe shikimi i zonave private mund të konsiderohet sjellje normale seksuale. Çështja me të cilën përballen administratorët e shkollës dhe avokatët të cilët diskutojnë pretendimet e abuzimit seksual fëmijë me fëmijë që përfshijnë fëmijë të vegjël është nëse prekja bie nën sjelljen seksuale normative apo problematike të fëmijëve.

Institucionet edukuese kanë përgjegjësinë të sigurojnë trajnime për zbulimin dhe parandalimin e abuzimit të fëmijëve për administratorët, mësuesit dhe stafin tjetër. Politikat dhe procedurat e qarta të shkollës për ndjekjen e personelit janë të domosdoshme për të njohur nëse sjelljet midis nxënësve të rinj janë normale ose konsiderohen abuzime seksuale. Ndjekja dhe përgjigja e menjëhershme dhe efektive e shkollës ndaj çdo ankese, njohurie ose vëzhgimi të ndërveprimeve seksuale midis fëmijëve të vegjël është një mënyrë që profesionistët dhe arsimtarët e shkollës të përmbushin detyrimet e tyre dhe raportimit të detyrueshëm që lejon sigurimin e udhëzimeve të përshtatshme për fëmijë të cilët janë duke eksploruar seksualitetin e tyre.

*Gjëja më e rëndësishme që mund t’u themi fëmijëve është “të flasim për këtë”.

Si e përballoni shqetësimin tuaj në adresimin e problemit? Shumë të rritur në ngarkim të fëmijëve të vegjël vijnë nga shtëpi/familje ku seksi nuk diskutohej kurrë. Ekziston një theksim thelbësor në seks në shoqërinë e sotme, kështu që ne mund të supozojmë se fëmijët tanë janë të sofistikuar seksualisht. Ne mund të rrezikojmë ta shohim sjelljen dhe gjuhën seksuale të fëmijëve si një shenjë e kohës dhe të mos bëjmë asgjë për këtë, ose mund ta kemi zili ‘hapjen’ e tyre dhe ta krahasojmë atë në mënyrë të pafavorshme me fëmijërinë tonë ‘të shtypur’.

Fëmijët sot kanë qasje në më shumë informacione në lidhje me seksin, por është gjithashtu e vërtetë që ata janë më shumë të ekspozuar ndaj dezinformimit. Ata gjithashtu përjetojnë shumë presion seksual nga media dhe nga shoqëria në tërësi. Për të ndihmuar fëmijët në telashe, ne duhet t’i bazojmë vendimet tona në atë që e dimë si fakt dhe jo në atë që ne imagjinojmë të jetë e vërtetë.

*Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm dhe zhvillohen me ritme të ndryshme.

Për të kuptuar nëse një fëmijë po shfaq sjellje agresive seksuale apo është thjesht kurioz, duhet të kuptojmë zhvillimin normal seksual të fëmijëve. Ekziston një botë ndryshimi, për shembull, midis dy fëmijëve në një çerdhe që ulin pantallonat poshtë për të parë organet gjenitale të njëri- tjetrit dhe një fëmije që detyron me forcë të fusë një objekt në anusin e një fëmije tjetër.

Sjelljet seksuale anormale dhe problematike midis fëmijëve të vegjël

Brenda fushës së edukimit të hershëm dhe zhvillimit të fëmijëve, zakonisht pranohet që sjellje të caktuara seksuale midis fëmijëve të vegjël janë normale. Fëmijët e vegjël janë kureshtarë se si duken trupat e tjerë dhe duan të dinë pse trupat e vajzave dhe djemve janë të ndryshëm. Sjellja midis fëmijëve të vegjël bëhet problematike kur një fëmijë shfaq njohuri mbi sjelljen seksuale përtej moshës dhe nivelit të tij të zhvillimit, kur ekziston një model i sjelljes seksuale që nuk ndryshon pas korrigjimit nga të rriturit dhe kur sjellja seksuale ndërhyn në punën e vetë fëmijës ose shqetëson fëmijët e tjerë. Sjellja problematike seksuale mund të jetë rezultat i asaj që një fëmijë ka përjetuar ose dëshmuar. Disa fëmijë që janë abuzuar seksualisht nga një fëmijë i rritur ose një individ i rritur, ata mund të përfshihen në sjellje agresive dhe ngacmuese në një kontekst seksual.

Personeli i insitucionit edukues që bëhet i vetëdijshëm për sjelljen e papërshtatshme duhet të përgjigjet menjëherë dhe të punojë me terapistë dhe profesionistë të tjerë për të mbrojtur fëmijët nën kujdesin e tyre. Hapi i parë është të ndiqni çdo incident dhe të përcaktoni nëse sjellja është normale – ose një tregues i një problemi më serioz që garanton raportimin e detyrueshëm dhe që kërkon një hetim dhe veprim korrigjues.

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë (AAP), më shumë se 50% e fëmijëve do të kryejnë një lloj sjelljeje seksuale para ditëlindjes së tyre të 13-të, dhe të gjithë fëmijët e përfshirë në një aktivitet të tillë kanë nevojë për ndihmë dhe udhëzime nga prindërit, shkollat dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. AAP bën dallimin midis sjelljeve seksuale normale dhe anormale, si më poshtë:

Sjelljet normale dhe të zakonshme përfshijnë:

  • Prekja e organeve gjenitale të tyre dhe masturbimi
  • Shikimi ose prekja e një bashkëmoshatari ose vëllait/motrës më të vogël
  • Shfaqja e organeve gjenitale ndaj bashkëmoshatarëve, në këmbë ose duke u ulur shumë afër fëmijëve të tjerë dhe duke u përpjekur të shikojnë lakuriqësinë e bashkëmoshatarëve ose të rriturve
  • Sjellje që janë të rralla, shpërqendruese dhe jo të tepruara

Sjelljet anormale përfshijnë:

  • Çdo lloj sjelljeje seksuale që përfshin fëmijë të moshës katër ose më shumë vjet diferencë midis nj-tj.
  • Kërkimi i fëmijëve dhe të rriturve të tjerë që të merren me veprime seksuale
  • Futja e objekteve në organet gjenitale, duke imituar marrëdhëniet seksuale ose duke prekur organet gjenitale të kafshëve
  • Një sërë sjelljesh seksuale të shfaqura çdo ditë dhe që janë shqetësuese për të tjerët
  • Sjelljet seksuale që rezultojnë në dhimbje emocionale ose fizike
  • Sjelljet seksuale të shoqëruara me sjellje të tjera fizikisht agresive
  • Sjelljet seksuale që përfshijnë detyrimin
  • Sjelljet seksuale që janë këmbëngulëse dhe rezistente ndaj shpërqendrimit të fëmijës

Si ndërpritet një zhvillim normal seksual?

Mund të ndërpritet/prishet nga vëmendja e padëshiruar dhe e detyrueshme seksuale e të rriturve, fëmijëve të rritur ose fëmijëve agresivë të moshës së tyre. Vëmendja e detyruar seksuale mund të marrë disa forma, të tilla si:

– Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj videove, revistave apo imazheve pornografike në internet. Materiali pornografik është më i dëmshmi për fëmijët nëse detyrohen ta shikojnë atë. Sidoqoftë, mund të jetë i dëmshëm edhe nëse lihet nëpër shtëpi në vende ku fëmijët nuk mund ta shmangin atë.

– Sjellje seksuale para fëmijëve. Për shembull, nëse fëmijët janë të detyruar të shikojnë kujdestarin e tyre (prind, dado, teze apo kushdo i afërm) duke kryer marrëdhënie seksuale me një partner, kjo mund të jetë një përvojë e dëmshme. Por prindërit nuk duhet të shqetësohen nëse një fëmijë shikon padashur një moment intim të tyre. Dallimi është se fëmija nuk është i detyruar të shikojë, dhe aktiviteti mund të shpjegohet në një mënyrë që e siguron fëmijën.

– Qëndrimet seksuale mosrespektuese dhe përdorimi i shpeshtë i gjuhës seksuale dhe i nënkuptimit të tyre mund të inkurajojë fëmijët të jenë të dhunshëm dhe të pandjeshëm ndaj të tjerëve.

– Dështimi i kujdestarëve( prind/dado/edukatorë) për të respektuar privatësinë ose kufijtë e trupit. Kjo mund të bëjë që fëmijët të rriten pa e ditur se të tjerët kanë nevojë për privatësi dhe kanë kufij.

– Abuzim seksual. Kur fëmijët abuzohen seksualisht, ka shumë të ngjarë që ata të përjetojnë përçarje/ndërprerje të zhvillimit. Kjo ndodh sepse abuzimi seksual i detyron fëmijët të përjetojnë aktivitet seksual kur nuk janë të gatshëm fizikisht ose psikologjikisht.

A ka shenja që një fëmijë mund të jetë abuzuar?

Po. Kur fëmijët janë të abuzuar seksualisht ose i janë nënshtruar vëmendjes së padëshiruar seksuale, ata mund të ndryshojnë sjelljen e tyre në një numër mënyrash:

  • Ata mund të shfaqin sjellje të tilla si frikë gjatë natës, frikënga dhomat e ndërrimit në shkollë, depresion, dështim në shkollë (rënie në mësime) dhe tërheqje nga miqtë dhe aktivitetet.
  • Ata gjithashtu mund të shfaqin sjellje agresive të tilla si zënka, të qenurit mizor me kafshët shtëpiake, vënia e zjarreve dhe sjellja seksuale kundër fëmijëve të tjerë.

Pse fëmijët e abuzuar veprojnë seksualisht?

Edhe pse ka prova se fëmijët e abuzuar seksualisht mund të veprojnë kundër fëmijëve të tjerë, arsyeja që ata e bëjnë këtë nuk është gjithmonë e qartë. Njerëzit shpesh supozojnë se fëmijët e abuzuar do të përpiqeshin të shmangnin përsëritjen e një aktiviteti të frikshëm dhe të papëlqyeshëm. Sidoqoftë, në shumë raste, fëmijët të cilët janë abuzuar seksualisht përsërisin përvojën me fëmijë të tjerë në një përpjekje për të kuptuar atë që u ka ndodhur dhe për të rifituar një ndjenjë kontrolli.

Për shembull, një djalë mund të jetë detyruar të kryejë seks oral me një djalë më të madh. Aktiviteti mund ta ketë bërë atë të ndihet i frikësuar, i hutuar dhe i ngazëllyer seksualisht të gjitha në të njëjtën kohë. Përsëritja e aktivitetit me një fëmijë të vogël e nxjerr atë nga roli i hutuar dhe i pafuqishëm në një rol të ri dhe më të fuqishëm. Ai tani është më pak i frikësuar dhe më pak i shqetësuar dhe e kupton më mirë se pse djali i rritur dëshironte që seksi oral të kryhej ndaj tij.

Djemtë shpesh kanë turp të thonë se kanë qenë viktima, kështu që veprimi/sjellja seksuale e shfaqur mund të jetë një mënyrë për të thirrur për ndihmë. Ndonjëherë djemtë do të pranojnë se i kanë bërë diçka seksuale një fëmije tjetër para se të zbulojnë që kanë qenë edhe vetë një viktimë.

Sjellja problematike seksuale e shfaqur nga një fëmijë është vetëm një nga mënyrat në të cilat fëmijët përpiqen të përshtaten nga të qënurit i abuzuar. Si rregull i përgjithshëm, sa më shumë të ndjehen të mbështetur fëmijët pasi tregojnë një abuzim seksual, aq më pak ka gjasa që ata të shfaqin sjellje problematike seksuale. Kur ne nuk i lejojmë fëmijët, djemtë në veçanti, të pranojnë se ndihen të pafuqishëm, ne shpesh krijojmë situata në të cilat ndjenjat e vetme të lejuara janë zemërimi dhe agresiviteti.

Gjëja më e rëndësishme që mund t’u themi fëmijëve është: “Fol rreth kësaj – Unë dua të di se si po ndihesh – Unë dua të di se çfarë po mendon dhe dua të të ndihmoj.”

Si duhet t’u përgjigjeni fëmijëve që veprojnë seksualisht me fëmijë të tjerë?

Fëmijët që veprojnë seksualisht duhet të shihen gjithmonë me dhembshuri. Nëse sjellja e tyre është shqetësuese për ne, ne mund t’i etiketojmë dhe t’i stigmatizojmë duke i quajtur “ngacmues” ose “abuzues”. Këta fëmijë kanë nevojë për ndihmë po aq sa viktimat e tyre dhe ju duhet të eksploroni mënyra për të ofruar mbështetje dhe ndërhyrje. Kjo mund të nënkuptojë raportimin e tyre në polici dhe / ose një autoritet për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndonjëherë, kur fëmijët merren në pyetje, ata do të tregojnë se ata vetë janë abuzuar seksualisht nga një adoleshent ose një i rritur. Punonjësit e shërbimeve psiko-sociale duhet të mbrojnë fëmijët që veprojnë seksualisht, si dhe viktimat e tyre.

Nëse fëmijët që abuzojnë me fëmijë të tjerë janë 12 vjeç ose më të rritur, ata mund të akuzohen sipas Ligjit për Drejtësi Penale për të Rinjtë. Akuzimi i abuzuesve të rinj i bën ata përgjegjës për veprimet e tyre dhe mund t’u sigurohet/ ofrohetatyre këshillimi i specializuar që ata kanë nevojë (seanca terapeutike me një psikolog). Gjykatësi shpesh do të mbështetet në përvojën dhe dëshminë e punonjësve psiko-socialë, policisë dhe të tjerëve për të bërë dallimin midis fëmijëve që sapo kanë filluar të abuzojnë dhe adoleshentëve më të rritur që kanë një problem më të rëndë.

Pse është e rëndësishme që të rriturit të ndërhyjnë kur fëmijët veprojnë seksualisht?

Fëmijët që veprojnë seksualisht dhe nuk ndalen dëmtojnë fëmijët e tjerë dhe veten e tyre. Për shkak se ata lidhen me fëmijët e tjerë në një mënyrë seksuale, ata janë të privuar nga një shans për të pasur miqësi të vërtetë. Kur fëmijët kanë një sekret fajtor, është e vështirë për ta që të jenë të hapur me të tjerët dhe kjo ndikon në marrëdhëniet e tyre shoqërore.

Një ndjenjë e fuqisë mbi të tjerët plus eksitim seksual mund të jetë jashtëzakonisht shpërblyese, veçanërisht pasi ajo kompenson vetëvlerësimin e dobët. Sa më gjatë që vazhdojnë aktivitetet seksuale, aq më të vështira janë të ndalohen.

*Fëmijët që veprojnë seksualisht duhet të shihen gjithmonë me dhembshuri.

Një fëmijë mund të abuzojë me një fëmijë i cili më pas fillon të abuzojë me fëmijët e tjerë. Atëherë mund të ketë një efekt të valëzimit, me fëmijët që sjellin akoma më shumë fëmijë në aktivitet seksual. Kjo mund të ndodhë në një shkollë ose lagje dhe është një arsye tjetër që të rriturit të ndërhyjnë kur fëmijët veprojnë seksualisht.

Abuzimi seksual i çdo lloji lulëzon në fshehtësi; thyerja e sekretit është hapi i parë drejt ndihmës për të gjithë që janë të përfshirë. Fëmijët që abuzojnë duhet të intervistohen nga shërbimet sociale ose policia për dy arsye: t’i ndihmojë ata të pranojnë atë që kanë bërë dhe të ofrojnë njohuri se pse po e bëjnë atë. Sapo ta pranojnë abuzimin, ka shumë më pak të ngjarë të vazhdojnë. Për sa kohë që ata mohojnë atë që po bëjnë dhe mohojnë viktimizimin e tyre të mundshëm, ka shumë më shumë gjasa që të vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë.

**THYERJA E SEKRETIT ËSHTË HAPI I PARË DREJT NDIHMËS PËR TË GJITHË TË PËRFSHIRËT.

Si mund ta mbështesim një fëmijë që ka vepruar seksualisht?

Si një prind, mund të ndihmosh në disa mënyra:

– Mos reagoni në mënyrë të tepruar dhe mos reagoni në mënyrë të zvogëluar, përpiquni të merrni të gjitha faktet rreth asaj që ka ndodhur dhe siguroni mbështetje për fëmijën tuaj.

– Fëmija juaj mund të ketë nevojë të mbikëqyret nga afër dhe të mos mbetet vetëm me fëmijët e tjerë derisa të mësojë të kontrollojë sjelljen e tij / saj.

– Ju duhet të ruani afeksionin dhe mbështetjen për fëmijën tuaj. Fëmija që shfaq sjellje sexuale tashmë ka vetëvlerësim të ulët dhe po kalon një krizë. Fëmija ka nevojë për shumë dashuri dhe vëmendje.

– Nëse punonjësit psiko-socialë ose policia rekomandojnë këshillim për fëmijën, është e rëndësishme që ju të veproni në përputhje me këtë. Prindërit ndonjëherë besojnë se nëse thjesht e qortojnë fëmijën ose i heqin privilegjet, problemi do të zgjidhet. Ata shpesh gabimisht besojnë se një problem do të zhduket vetë, nëse nuk diskutohet.

– Ju mund të punoni me psikologun e fëmijës tuaj sa më shumë që të jetë e mundur për ta ndihmuar fëmijën tuaj të ndryshojë sjelljen e tij / tij.

Shkollat mund të ndihmojnë duke përdorur programe parandalimi të abuzimit seksual. Programet shkollore shpeshkanë inkurajuar shumë fëmijë të tregojnë incidente të abuzimit seksual. Mësuesit që prezantojnë këto programe duhet të theksojnë se nuk janë vetëm të huajt në vetura që abuzojnë seksualisht me fëmijët. Mund të jenë anëtarë të familjes dhe madje mund të jenë fëmijë të tjerë.

Policia mund të ndihmojë duke paralajmëruar fëmijët për pasojat e aktiviteteve të tyre nëse ato kryhen në adoleshencë ose në moshë madhore. Psikologët mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë shkaqet e sjelljes së tyre dhe të mësojnë se si ta kontrollojnë atë. Është e rëndësishme që sjellja ofenduese të adresohet dhe kontrollohet para se të merreni me viktimizimin e mëparshëm që mund të ketë ndodhur.

Si munden prindërit të përballojnë ndjenjat e tyre?

Të mësosh se fëmija juaj ka abuzuar seksualisht me një fëmijë tjetër mund të jetë një nga përvojat më të vështira të jetës që do të duhet të përballeni ndonjëherë. Shumica e prindërve fillimisht tronditen, pastaj përmes një periudhe mohimi ku përpiqen të bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Për një kohë ata mund të ndjehen sikur janë në një udhëtim me slitë me emocione të panjohura dhe konfliktuale.

Këtu janë disa reagime të zakonshme:

  • Ka pasur një gabim. Fëmija im kurrë nuk do të kishte bërë një gjë të tillë.
  • Nuk është faji ynë. Këto ditë flitet shumë për seksin. Shikoni programet televizive. Është një çudi që ata të gjithë nuk rriten të jenë pervers.
  • Kam shumë turp. Ku gabuam?
  • Çfarë do t’i bëjnë asaj / tij? A do të merret ai / ajo… duhet të shkojë në burg… ose një shtëpi strehimi?
  • Ne nuk kemi nevojë për ndihmë. Ne gjithmonë i kemi zgjidhur problemet tona si familje. Nëse të gjithë mund të bashkohemi, mund ta lëmë pas vetes këtë në sekonda.
  • Ndihem kaq i pafuqishëm. Të gjithë të tjerët po ‘ofendojnë’ tani.

Nëse jeni një prind, fëmija i të cilit ka abuzuar me një fëmijë tjetër, është normale të kaloni nëpër të gjitha këto reagime, shpesh brënda një harku të shkurtër kohe. Psikologui i fëmijës suaj ose një psikolog i juaji mund të ju ndihmojë. Kriza mund të shkaktojë gjithashtu kujtime të incidenteve të abuzimit seksual nga fëmijëria juaj, të cilat mbase jeni përpjekur t’i harroni.

Çfarë do të bëjë psikologu i fëmijës suaj?

Zakonisht psikologu i fëmijës suaj do të ketë trajnim të specializuar në abuzimin seksual të fëmijëve me një njohuri të mirë të trajtimit të viktimës dhe abuzuesit.

Psikologu do t’ju ndihmojë ju dhe fëmijën tuaj të bëni tre gjëra të rëndësishme:

  • Mësoni strategji për t’u marrë me sjelljen abuzuese;
  • Mësoni strategji për të menaxhuar ndjenjat që çuan në sjelljen e pa pershtatshme; dhe
  • Zhvilloni qëndrime të shëndetshme seksuale dhe marrëdhënie shoqërore.

**Me ndihmën tuaj, kriza mund të bëhet një mundësi për ndryshim dhe rritje.

**Sa më shumë që psikologët mund t’i ndihmojnë fëmijët të flasin për sjelljen e tyre, aq më shumë ka të ngjarë të ndalojnë përsëritjen e tyre.

Fëmijët zhvillohen seksualisht me ritmin e tyre dhe në mënyrën e tyre me kusht që zhvillimi i tyre të mos prishet. Si prindërit, ashtu edhe mësuesit kanë një rol kritik për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët që abuzojnë seksualisht me fëmijë të tjerë. Frika juaj më e keqe mund të jetë që fëmija të rritet si një abuzues seksual i rritur. Nuk ka pse të dalë ashtu. Sa më shumë që psikologët mund t’i ndihmojnë fëmijët të menaxhojnë sjelljen e tyre dhe të shprehin ndjenjat e tyre, aq më shumë ka të ngjarë të ndalojnë.

Përgjigjet e duhura ndaj pretendimeve të sjelljeve seksuale  dhe prekjes midis bashkëmoshatarëve.

Udhëzime për zbatimin praktik  që përfshijnë informacione për institucionet edukuese në lidhje me nevojën për procedurat e përshtatshme të ankesave, politikat, trajnimin e personelit, si dhe kërkesat shtetërore dhe lokale për raportimin e detyrueshëm. Jo e gjithë sjellja me konotacion seksual përbën ngacmim seksual.

Udhëzimet e rishikuara të ngacmimit seksual të OCR-së 2001: Ngacmimi i nxënësve nga punonjësit e shkollës, studentë të tjerë ose palë të treta tregon qartë që shkollat duhet të marrin në konsideratë sensin e përbashkët në përgjigjen e tyre ndaj pretendimeve të ngacmimit seksual. Në përcaktimin nëse një veprim i ngacmimit të pretenduar është i veprueshëm, shkollat duhet të marrin parasysh rrethanat, pritshmëritë dhe marrëdhëniet.

Në  lidhje me sjelljen e pahijshme seksuale, një shkollë duhet të ndërmarrë veprime kur e di ose arsyeshëm duhej të dinte për një incident të sjelljes së keqe seksuale. Përgjigjet e duhura ndaj një pretendimi për prekje të papërshtatshme të bashkëmoshatarëve  mes njëri-tjetrit përfshijnë:

▪Hetoni menjëherë pretendimet. Çështjet e përgjegjësisë lindin kur personeli i shkollës dinte ose duhej të dinte për sjellje të papërshtatshme seksuale, por ishte indiferent ndaj këtij informacioni. Prindërit e nxënësve të përfshirë duhet të kontaktohen dhe të informohen për incidentin dhe për përgjigjen e shkollës. Mbikëqyrja më e afërt e studentëve, siç është mos lejimi i fëmijëve për të përdorur banjën në të njëjtën kohë gjatë mësimit, drekës dhe pushimit, duhet të ndodhë për të parandaluar incidentet në të ardhmen.

▪Nëse hetimi fillestar zbulon se sjellja ishte anormale, lënduese, e dhunshme ose abuzive, shkolla duhet të njoftojë autoritetet përkatëse (në shtete, të quajtura shpesh Shërbime Mbrojtëse të Fëmijëve ose Departamenti i Shërbimeve Sociale). Autoritetet shtetërore mund ose nuk mund të hetojnë bazuar në informacionin fillestar të dhënë atyre. Nëse kryhet, një hetim do të përcaktojë gjithashtu nëse aktiviteti është tregues i mjedisit në shtëpi të një fëmije që është abuzive dhe të marrë masa për ta adresuar atë. Është praktikë e mirë të dokumentoni kontaktin me policinë dhe / ose agjencinë shtetërore.

▪Koordinatori  i shkollës duhet të njoftohet dhe shkolla duhet të fillojë një hetim zyrtar. Hetuesi duhet të marrë parasysh moshën e fëmijëve dhe ashpërsinë e ngjarjes së pretenduar të papërshtatshme. Për një incident që zbulohet se nuk ngrihet në nivelin e ngacmimit seksual dhe / ose abuzimit, hetuesi duhet të rekomandojë veprime përmirësuese, duke përfshirë trajnime shtesë për fëmijët mbi sjelljet prekëse dhe seksuale të përshtatshme dhe të papërshtatshme. Institucioneve edukuese u kërkohet të kryejnë dhe të përfundojnë hetimet e tyre, pavarësisht nëse policia ose autoritetet shtetërore  kryejnë një hetim të veçantë.

▪Zbatoni një plan për të adresuar nevojat arsimore, sociale dhe të sjelljes tek të gjithë fëmijët ose veprime përmirësuese, të tilla si këshillimi, pasojat ndëshkuese të përshtatshme për moshën, një plan i modifikimit të sjelljes, mbikëqyrja e shtuar, ndarja e fëmijëve të përfshirë, ose në raste ekstreme  një vendosje alternative për të ofruar shërbime që nuk janë të disponueshme në atë institucion edukues.

▪Vlerësoni klimën e përgjithshme të shkollës/institucionit dhe nevojën për trajnim shtesë të stafit dhe nxënësve për të parandaluar incidentet në të ardhmen.

▪Sigurohuni që, në çdo kohë, të gjithë nxënësit të mbikëqyren si duhet, në përputhje me nevojat e tyre dhe fazat e zhvillimit.

Shkollat duhet të kenë një standard më të lartë të kujdesit për nxënësit me aftësi të kufizuara. Nxënësit me aftësi të kufizuara mund të kenë vështirësi në identifikimin e abuzimit seksual ose raportimin e rasteve të prekjes së papërshtatshme. Disa mund të mos e kuptojnë se si sjelljet e tyre ndikojnë tek të tjerët. Siç përcaktohet nga Plani i tyre i individualizuar i arsimit (PEI), këta fëmijë mund të kenë nevojë për mbikëqyrje shtesë, siç është një ndihmës një-me-një. Mbikëqyrja shtesë ose paraprake mund të jetë e nevojshme për të siguruar që një nxënës të mos vendoset në një situatë ose zonë, të tilla si në një zonë të izoluar, banjë ose mbrapa një autobusi shkollor, në të cilin një fëmijë tjetër mund të përfitojë nga cenueshmëria e nxënësit.

Nxënësit me aftësi të kufizuara mund të kërkojnë ndihmë shtesë nga psikologë të trajnuar ose profesionistë të ngjashëm për t’i ndihmuar ata të identifikojnë se çfarë ka ndodhur dhe me kë. Ata me dëmtime të të folurit dhe gjuhës mund të kenë nevojë për ndihmë në përshkrimin e një incidenti përmes vizatimeve dhe figurave. Nxënësit me aftësi të kufizuara të cilët janë abuzuar seksualisht mund të kenë nevojë për trajtim të specializuar për t’i mësuar ata se çfarë është një prekje e përshtatshme dhe jo e përshtatshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top