Psikofakt

June 12, 2018 | 10:01

Nga Alba Dajlanaj: Krimi, droga, varfëria, depresioni… po i hanë si krimbat shoqëritë

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Im atë më thoshte shpesh: “Merri pak gjërat me indiferentizëm që të mos lëndohesh kaq shumë. Një dozë e vogël indiferentizmi, i bën mirë njeriut!”

E shikoja drejt në sy, si për të pohuar, dhe i thosha e menduar: “Po baba, ke të drejtë!”

Por sot, kur dëgjoj një kronikë të zezë, të qëndroj indiferente nuk mundem…

Një nënë e re, 40-vjeçare, u vra nga bashkëshorti i saj dhe 6 fëmijë mbetën jetimë.

Sot, një vajzë e re mbeti e vrarë nga i dashuri i saj dhe më pas u vetëvra edhe ai vetë!

Jo! Sot nuk jam aspak e sigurt nëse duhet të jem indiferente! Sot nuk jam aspak e sigurt për sigurinë e një gruaje!

Lexoj portalet dhe lot të nxehtë më rrjedhin faqeve. Më zjen një urrejtje e tmerrshme për gjininë tjetër, por edhe një keqardhje e thellë për “njeriun”!

Si mund të qëndrojmë indiferentë kur në një ditë rutinë vritet si pa të keq pothuajse si një bagëti, një grua, një nënë?!

Kur vritet një vajzë sepse refuzoi të dashurin e saj?!

Sot u vra Adriana, po sa Adriana të tjera janë vrarë nga egoja maskiliste e primitive e bashkëshortëve të tyre? Sa jetë fëmijësh u tronditën nga themelet?

Adriana ishte një nënë luftërare që sakrifikonte për fëmijët e saj, që me dashurinë e saj rriti 6 fëmijë e mundohej të sillte pak ngjyra lumturie në familjen e saj. Mundohej të bënte të lumtur 6 qenie të brishta që forcoheshin dita-ditës vetëm me dashurinë e saj.

Adriana luftoi me mish e me shpirt, që duke bërë të lumtur fëmijët e saj, të bënte të lumtur edhe bashkëshortin, atë maskilist të egër e primitiv!

O njeri i mjerë, po pse ia hoqe diellin fëmijëve të tu?

O njeri i mjerë, po a mund të rriten lulet PA diell? Ashtu edhe fëmijët e tu kanë nevojë për diellin e tyre, për NËNËN!

Mendohem dhe mundohem të kuptoj këtë realitet të hidhur ku bota kridhet kuturu, nga njëra anë në luks e nga ana tjetër në varfëri, pa qenë e zonja të mposhtë instinktet kafshërore të njeriut!

Mundohem t’i jap një shpjegim e të gjej një ekuilibër në këtë katrahurë, e përsëri mundohem t’i jap një formë këtij realiteti të paformë!

Të gjithë mundohemi të gjejmë shkaqet përse ka degraduar kaq shumë kjo shoqëri, të gjithë përpara krimit rendisim shkak-pasojat: dikush thotë janë paratë, dikush, varfëria, dikush tjetër thotë, droga e depresioni, të cilat tashmë nuk janë më vetëm probleme shqiptare. Jo, tashmë ato janë probleme globale!

I gjithë njerëzimi kridhet i tëri në këto telashe!

Krimi në familje, droga, paratë, varfëria, depresioni e shumë të tjera po i hanë si krimbat shoqëritë, të cilat i kanë këmbët e lidhura nga makutëria për të bërë para sa më shumë e për të punuar pa marrë frymë!
Puna me orare të tejzgjatura i ka lidhur masat me vargonjtë e saj gllabërues që u merr çdo ditë e më shumë atë frymëmmarrjen e shenjtë që quhet: KOHA!

Koha, të gjitha mund t’i fitosh o njeri, por kohën jo! Ajo ikën e s’kthehet më kurrë! Më thoni miqtë e mi, në qoftë se zotëria që vrau Adrianën do t’i kushtonte më shumë kohë familjes, Adrianës e fëmijëve qoftë edhe me të ardhura të pakta, do të kishin ata një familje të dëshpëruar? Unë mendoj se jo, jam e sigurt që jo!
Sepse ai zotëria do të kishte kohë të qetësonte veten, të reflektonte, t’u jepte dashuri fëmijëve e gruas, do t’i jepte më shumë harmoni familjes!

Por ja që duhej të punonte nga mëngjesi në darkë jo vetëm ai, por edhe e shoqja dhe kohë për njëri-tjetrin nuk mbeti, kohë për fëmijët nuk pati, kohë për t’u qetësuar, ëndërruar e argëtuar nuk mbeti kohë për t’u dashuruar nuk ka!

Sepse kohën e ka zënë ai përbindësh i madh i kohëve moderne: Puna, puna me orare të tejzgjatura që po shkatërron çdo gjë, e kthen njeriun në një robot e zhvesh nga bota shpirtërore, duke e kthyer atë në një materialist e lakmitar, duke shkatërruar familjen një nga të paktat vlera të kësaj shoqërie në degradim.

Bota sot i ngjan një molle të madhe me shkëlqim, por që është komplet e kalbur nga brenda. Dhe krimbi që e ha atë çdo ditë është vetë ai individi, individi i dëshpëruar e i traumatizuar nga ritmi kaotik i kësaj bote moderne dhe nga ky sistem kapitalist i pamëshirshëm, individi i babëzitur për pasuri, individi që u rri larg shkrimeve të shenjta të Perëndisë!

Ky është individi që s’ka kohë t’i japë kohë vetes së tij!

Ne të gjithë jemi tashmë të ndërgjegjshëm se kjo mënyrë jetesë kaq kaotike e shfrenuar, çdo ditë e më shumë i ngjan një veshjeje që nuk na qëndron më, sepse shoqëria është mbarsur e fryrë nga telashe të papara, prandaj ka ardhur koha të projektojmë një mënyrë tjetër jetese, ndoshta me një jetë më të thjeshtë, por sigurisht me më shumë kohë për INDIVIDIN!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top