Në fokus

November 8, 2018 | 14:36

Nga Alba Dajlanaj / Në një ditë rutinë kur ti ke nevojë të flasësh, të dëgjosh, të prekësh, të shikosh, të ecësh, të punosh ose thjesht të lexosh, unë zgjedh të lexoj!

Në një mëngjes të ri e të freskët ti e ndjen se bashkë me rrezet e para të agimit ka mbërritur një ditë e re, një vështrim i ri, orët e tua biologjike marrin një impuls të ri. Një ditë e re është një ndërthurje elementesh dhe vetëm ti je hallka që i lidh dhe i jep kuptim!

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Ti mundohesh t’i japësh një kuptim rolit tënd në këtë ndërthurje vetëm nëpërmjet fjalës kësaj arme primare dhe si katalizatori më i madh shoqërisë humane. Duke filluar me fjalën në planin horizontal, ti flet, ndërthur, organizon një sërë veprimesh por edhe komplikon, vetëm me fjalën. E parë në këtë këndvështrim fjala nuk mund të konsiderohet aspak një armë e thjeshtë .

Nëpërmjet fjalës shpesh marrim trajtën e një tretësire brenda nesh me një gjendje kaotike, jemi si një tretësire me një pH jo neutral  me oshilacione të forta që i jep ditëve tona ngjyrime të çuditshme, e si pasojë e kësaj gjendjeje themi se jeta është e bukur, ose jeta është e çuditshme ose me shumë të papritura,shpeshherë dëgjojmë shprehje të tilla “na u nxi jeta”…

Gjithmonë e më shumë gjendemi në situata kritike, ku i ngjajmë një tretësire me aciditet të lartë dhe përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur të gjejmë elementët të cilët na ndihmojnë të vendosim ekuilibrat brenda nesh, ta kthejmë këtë tretësirë brenda nesh të paktën jo acide, jo gërryese,  jo dëshpëruese. Në një ditë rutinë kur ti ke nevojë të flasësh, të dëgjosh, të prekësh, të shikosh, të ecësh, të punosh ose thjesht të lexosh, unë zgjedh të lexoj!

Pse zgjedh të lexoj. Mendoj se të zgjedhësh të lexosh është një mundësi që përfshin një sërë elementësh që ka si burim të vetëm fjalën. Fjala që thuhet, dëgjohet, ndërthuret e që neutralizon ato gjendje kaotike brenda nesh e gjejmë vetëm tek leximi. 

Të lexosh, përfshin njëherësh disa procese brenda nesh, të lexosh do të thotë: të flasësh, të dëgjosh, të shikosh të ëndërrosh, të fantazosh, të prekësh, të lëndohesh, të qeshësh, të qash, të dashurosh, të dashurohesh gjithashtu me jetën reale e jo reale brenda librit. Është si një udhëtim i bukur brenda çdo libri, si një dashuri që kurrë nuk do të t’i kthej krahët deri në frymën e fundit të vargut të tij! I gjithë ky proces çliron një valë të gjatë energjie pozitive brenda nesh duke sjellë benefite shpirtërore të paparashikueshme e për pasojë të neutralizojë të gjitha ato gjendje kaotike brenda nesh!

Të lexosh është të gjesh elementet, mënyrën se si shikon brenda vetes, por edhe në planin horizontal të kesh një këndvështrim tjetër për familjen, shoqërinë, komunitetin, vendlindjen, për natyrën deri edhe universin, të gjitha këto marrin ngjyrime të tjera kur ne vendosim të lexojmë !

Disa këndvështrime mbi leximin :

“Librat kane qenë zogjtë e mi dhe foletë e mia, kafshët e mia shtëpiake, stalla ime dhe fshati im. Libraria ishte bota e mbyllur në një pasqyrë që kishte thellësinë, larmishmërinë, të paparashikueshmen” /Jean -Paul – Sartre/

“Nuk ka miqësi më të shpejtë se ato ndërmjet personave që dashurojnë të njëjtit libra” /Irving Stone /

“Dikush e pyeti – perse të pëlqejnë librat ?

Ajo buzëqeshi dhe shikimin e shpërndau në hapësirë ..

– Më pëlqejnë se në to gjej tretësira me aroma të mrekullueshme të përftuara nga mëndje të ndritura, ku ne si lakmues të ndjeshëm marrim ngjyrën përkatëse sipas pehashit të gjendjes tonë!

-Ja përse i dua librat, ata më japin lirinë e të menduarit!” 

/ Alba Dajlanaj/

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top