Marrëdhënie

July 4, 2018 | 10:01

Nga Albjona Rrapaj / Prefero të vërtetën edhe nëse ajo dhemb!

Vazhdimisht flasim me vetveten e me të tjerët për konceptin e së vërtetës. Ajo që bën përshtypje në raport me konceptin, qëndron në mënyrën e perceptimit nga një individ tek tjetri. Nëse e pyesim dikë se çfarë kupton me konceptin “e vërteta”, në përgjithësi do të mbetemi të kënaqur nga përgjigjja. Vështirësia qëndron në praktikimin situativ dhe formës të perceptimit të saj. 

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nëse hedhim një sy në situatat sociale, në mënyrën e ndërtimit të shumë marrëdhënieve, vërejmë se sa e shtrembëruar na paraqitet shpesh ajo. Shtrembërime që jo gjithmonë bëhen me vetëdije, por që padiskutim lënë pasoja të forta negative brenda raporteve që përkasin. Në çdo marrëdhënie e vërteta zë një pozicion kryesor, rol thelbësor ka sidomos në marrëdhënien në çift.

Kur bëhet fjalë për raportin e çiftit dhe kuptimet e konceptit fillojnë të relativizohen brenda njëri-tjetrit. Çfarë dua të them me këtë? 

Individi që është në raport çifti mund të ketë patur episode të zhgënjimeve nga të pavërtetat e partnerit, duke arritur deri aty sa të mendoj që po gënjehet se e meriton. Meritën shpesh e shpjegojnë me faktin se duhet ta kuptonte që po gënjehej ose nga fakti i të bërit keq të gjërave. Nga ana tjetër, në disa raste partneri “gënjeshtar” e vlerëson gënjeshtrën si forma e së mirës së përbashkët. Me pak fjalë, “po të gënjej se të dua”. Pse ndodh kjo, dhe pse shkatërrimi i mëvonshëm i marrëdhënies është gjithnjë e më i fuqishëm?

Secili prej nesh përdor lloje të ndryshme të mekanizmave mbrojtës në situatat e larmishme shoqërore. Në një marrëdhënie në çifti kur gënjehet, këto mekanizma bëhen triumfues përballë ndjenjave të tjera, aq sa individi njëkohësisht e beson gënjeshtrën e krijuar prej tij. A do ishte mirë të gënjehej në një raport çifti qoftë edhe për të mos e dëmtuar apo shkatërruar atë? Në të vërtetë, mund të pretendohen për një rregullim të raportit përmes gënjeshtrës, po kjo formë është vetë shkatërrimi. Zinxhiri që e pason atë bën që në çdo hallkë të marrëdhënies të thyhet diçka, duke e bërë gjithnjë e më të kompleksuar deri në momentin që marrëdhënia arrin absurdin e qëndrimit me njëri-tjetrin.

Në shumë raste terapeutike pyetja kryesore që ngrenë çiftet është: Si arritëm deri këtu? 

Në fakt, çdo tullë e ngritjes së kësaj situate është e vendosur me dorën e njërit apo të dy partnerëve njëkohësisht. Edhe në rastet kur partneri tjetër e kupton që po gënjehet dhe për arsye të ruajtjes së raportit hiqet sikur nuk ka kuptuar gjë, në fakt, nuk është duke bërë gjë tjetër veçse thellimin e krizës me partnerin/en. Ndonjëherë duket sikur është më e thjeshtë të gënjejmë, apo të bëjmë sikur nuk kemi dije për gënjeshtrën që po luhet ndaj nesh sesa të përballemi me të vërtetën. Keqperceptimi se kështu mund të ndjehemi më mirë dhe njëkohësisht i bëjmë mirë dhe raportit, është forma e mohimit të theksuar si mekanizëm mbrojtës.

A është forma më e duhur të jemi në kërkim të së vërtetës, pavarësisht dhimbjes që ajo mund të na shkaktojë? Përgjigja pas reflektimit të mësipërm nënkuptohet. 

E vërteta është thelbi i çdo raporti. Një raport i shëndetshëm në çift duhet jo vetëm të mbështetet tek e vërteta, por ta vendos këtë të vërtetë si shtyllë që e mban këtë marrëdhënie. 

Nëse e vërteta nuk qëndron në këtë formë, tronditet fuqishëm respekti dhe si pasojë secili nga partnerët qëndron përballë një marrëdhënieje konfuzioni dhe fataliteti. Një marrëdhënie që lufton vazhdimisht jashtë fushës së betejës, e cila jo vetëm gërryhet vazhdimisht, por nuk përmirëson më asnjë aspekt vetveten.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top