Marrëdhënie

May 8, 2018 | 14:11

Nga Alborena Hylviu / Bashkë në punë dhe në shtëpi

Dashuria gjatë orëve të punës nuk mund të shmanget; një buzëqeshje “miqësore” mes kolegësh; një afrim gjatë rrugës për të pirë një kafe. Përpiqesh ta përzësh, por ajo shfaqet sërish…

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Sipas ekspertëve, nuk ka se si të jetë ndryshe. Nëse vërehen shenjat e para pranë tryezës së punës, në tualet, ashensor apo në zyrë, të jeni të sigurt se diçka po ndodh. Pra, nëse shenjat e lartpërmendura ngjasojnë me tuajat, atëherë të jeni të sigurt se edhe ju keni rënë në “grackën” e njohjes. Por mos u shqetësoni! Sot, tabuja “e lidhjeve” në ambientet e punës është venitur.

“Intimacy”, një studim i kryer nga Andrew Kakabadse i “Northampton Business School”, ka treguar se 60% e personave të intervistuar në të gjithë botën, pohojnë se kanë një lidhje sentimentale apo thjesht seksuale në ambientet e punës. Studime të tjera janë më të kujdesshme dhe e ulin me një të katërtën numrin. Ka shumë çifte që njihen dhe përfundojnë me njeriun e zemrës dhe vazhdojnë rrugëtimin e gjatë martesor në lidhjen e tyre brenda institucionit dhe profesionit të tyre.

Shtimi i këtyre marrëdhënieve e ka rritur si numrin e grindjeve, ashtu edhe atë të pakënaqësive në çift. Në vendet europiane, pothuajse një në dy persona pohon se ka kryer marrëdhënie me një sipërmarrës të lartë të kompanisë ku punon, ndërsa 42% e personelit të dhjetë firmave të monitoruara amerikane, pohon se është braktisur menjëherë pas flirtit të momentit. Por kujdes: çiftet gjithmonë kërkojnë dhe tolerancë e mirëkuptim brenda orarit të tyre të punës.

Meshkujt duan më tolerancë, më liri me kolegët dhe s’duan të privohen nga ky komunikim midis punëve. Femrat janë gjithnjë të prirura të komandojnë në një marrëdhënie, por jo gjatë orarit të punës. Natyrisht që puna të ofron zgjedhje erotike shumë më të mira se ato të zakonshmet. Gjithashtu, ajo të jep mundësinë që të tregosh se cili je në të vërtetë, të kujdesesh për veten, të vishesh mirë, të grimohesh.

Ekziston një lidhje e ngushtë midis pasionit hierarkik dhe suksesit në historitë e dashurisë. Tashmë, koha e Rome dhe Zhuljetës, e dashurisë së pamundur ka perënduar. Historitë e gjata të dashurisë, ato që janë paksa të ngatërruara, ndotin ambientin dhe “kanë një çmim që jeta profesionale nuk është në gjendje t’i paguajë”. Njerëzit që punojnë së bashku kanë kohë të njihen mirë mes vetes, të shohin se si personi potencial po zgjidh situatat e vështira, kur është nën stres dhe si po sillet me kolegët e tjerë të punës.

Romanca midis kolegëve mund të sjellë deri në veprime jo të drejta, sjell një atmosferë të zymtë, e cila mundet t’ua vështirësojë jetën të tjerëve. Kjo, padyshim sjell pasoja, pasi marrëdhëniet me shefin apo me kolegët jashtë zakonisht problemet kryesore që hasen në ambientin e punës. Megjithatë, fenomene të tilla herë ulin dhe herë rrisin rendimentin në punë, pasi shtohet pyetja se çfarë do të ndodhte nëse lidhja do të mbaronte në mënyrë të dhimbshme. Ky do të ishte rendimenti?

Në fakt, kjo duhet menduar mirë dhe padyshim lë vend për debat, pasi nëse lidhja do të mbaronte në mënyrë të dhimbshme, atëherë do sillte pasoja katastrofike në planin personal dhe profesional, duke ndikuar negativisht jo vetëm në rendimentin e punës, por edhe marrëdhëniet me kolegët e tjerë. Kjo vlen për ata që thjesht kanë një lidhje aventureske dhe flirtime gjatë punës ose për çiftet që nuk kanë shumë kohë që janë lidhur apo ata që sapo janë njohur. Çiftet tashmë të zyrtarizuar në lidhjen e tyre mes kolegësh, apo që kanë lidhur kurorë mes tyre, gjithmonë do të duhet të jenë të mirëkuptueshëm.

Duhet të kenë komunikim shumë të mirë mes tyre, por edhe bashkëpunim e bashkëveprim të njëjtë, njësoj sikurse ndodh mes dy kolegëve të së njëjtës punës. Pasditja dhe orari pas punës sjell atë sjelljen tjetër, sërish burrë e grua apo prindër dhe duhet të komunikojnë rreth çështjeve të familjes në pjesën e dytë të ditës. 24 orë në shtatë ditë të javës bashkë sjell gjithnjë kënaqësinë e pasionit dhe të njohjes e bashkëpunimit të partnerëve si në profesion ashtu dhe në dashuri, duke ngjitur së bashku të njëjtat shkallë. Janë efekte pozitive, por jo gjithnjë është kështu, ka edhe efekte negative.

Shumë çifte s’e durojnë dot trysninë e të qenit pranë dhe nuk i përballojnë mirë shumë ndryshime që ndodhin gjatë 8-orarëshit të punës. Mendoj që shumë çifte për të qenë jetëgjatë dhe të kenë një familje të lumtur, duhet të sakrifikojnë dhe të modelojnë sjelljen dhe komunikimin e duhur për të qenë të lumtur.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top