Psikofakt

August 17, 2017 | 9:57

Nga Anila Kadija: Londër-Shqipëri-Gjakovë, shënime udhëtimi

Ajo buzëqeshi. “See you again when I will come back!” (Shihemi përsëri kur të kthehem!) iu drejtova dhe zura vend si të gjithë qytetarët e botës në pritje që të më kontrollonin biletën. Kështu nisi udhëtimi im për në Atdhe pas një orë e gjysmë vonesë e pritje të gjatë. Është për të qeshur dhe për të qarë kjo odiseja jonë nëpër rrugët e botës. Dhe nuk arrij dot ta kuptoj nëse e kemi fajin vetë, apo ende kemi mbetur një popull i paragjykuar?!

Intervistoi Anila Kadija, Publiciste

Intervistoi Anila Kadija,
Publiciste

Ishte një e shtunë normale ajo e datës 29 Korrik. Nuk do të kisha fluturuar këtë verë për në Tiranë, por një ngjarje e jashtëzakonshme më priste në Gjakovë, Seminari i XIII mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, 01-04 Gusht 2017. Linja direkte do të më kursente kohë nga Londra për në Tiranë.

Kontrolli rutinë në aeroportin Gatwick, si në të gjitha aeroportet e botës shkoi mrekulli. I kemi të gjitha rregullat të rrënjosura në kokë, madje na janë bërë fobi gjërat metalike apo sasitë e kremrave, parfumeve e kështu me radhë. Veshim këpucë të lehta të evitojmë sinjalin manjetik të kalimit. Pasaportën e shtrëngojmë fort. Sidomos atë të huajën, nuk po i heq vlerën asaj shqiptares, por siç thotë populli, të rrimë shtrembër, por të flasim drejt, ajo na ka hapur të paktën rrugën. Tashmë jemi ndërgjegjësuar ndaj rregullit dhe respektit doganor. Edhe pse nuk mungojnë asnjëherë gjërat e papritura.

Rutina, mendova, përfundoi pas kontrollit që ju bëhet të gjithë udhëtarëve. Nxitova për në daljen për Tiranë pasi kisha pritur gjatë të hapej dhe të shikoja numrin e daljes. Ishim me më shumë se 1 orë vonesë! Ecja e shpërqendruar, disi e qetë, kur përpara m’u shfaqën 15 policë anglezë. Bëra çudi me atë postbllok pikërisht përpara sportelit të Tiranës. Mendja menjëherë shkoi si një sinjal alarmi në “o bo bo janë lajmëruar për ndonjë shkelje.” Kthej kokën dhe shikoja prindër me fëmijë. Pleq dhe studentë. Njerëz pa ndonjë problem në dukje. “Eh kushedi ku fshihej lepuri”, thashë. Polici i parë me qenin që nuhaste të gjitha valixhet apo çantat tona kalonte një pas një të gjithë udhëtarët. Më pas çdo polic i atij gardhi të pajustifikueshëm, filloi të na merrte në pyetje pa fund. Unë ndalova tek një vajzë e re e kësaj armate . “Ku shkon zonjë?”. Mah, mendova, ç’është kjo pyetje kur jam në këtë dalje, e cila është vetëm për Tiranë! “Përse shkon zonjë?”. Epo ç’e do një përgjigje kjo, që të çuditet!

nila

Pjesëmarrës në takimin e mësuesve të shqipes në diasporë

Por ndala dhe e lashë me aq. Për punë iu përgjigja! Ajo më pa dhe përsëri me retorikën e ligjit pyeti. “Ç’punë bëni?” Epo qenkan çmendur mendova. Dhe fill pas këtij mendimi iu përvesha. “Ju mësoj fëmijëve anglezë shqipen”. Dhe duke i treguar fëmijët që po i nuhaste qeni, vazhdova. “Këta të gjithë janë fëmijë anglezë, por kanë prindër shqiptarë, ndaj t’iu mësosh gjuhën është kulturë”. Policja filloi të zhvendosej pak nga pozicioni hetues. Më pyeti ku ishin shkollat në Londër, dinte përshëndetjen”. ‘Mirëdita’ më tha në anglisht, si përkthehet? Unë i thashë se po të dëshironte të njihej me ne, edhe thjesht për kuriozitet, do të kisha kënaqësi të na bënte një vizitë. I pëlqenin gjuhët mesa kuptova. Më kërkoi edhe sa para kisha marrë. Asgjë, iu përgjigja, kemi karta banke se punojmë, përse të transportoj para në dorë! Ky kontroll bëhej pikërisht për qarkullimin e shumave të mëdha nga Anglia në Tiranë. Ky ishte shkaku që na u ngri gjaku dhe fluturuam me 2 orë vonesë. Merreni me mënd vetë lodhjen!

tirana-naten

Sheshi “Skërdebej” Tiranë

Tirana ishte e ngrohtë atë natë. Dhe qielli i mbushur me yje. Nuk ka shumë dritë në zonën e Rinasit. Unë e adhuroj ambientin ashtu, që të lejon ta shikosh qiellin si askund tjetër. Por magjia i ka krahët e shkurtra. Ti hap e mbyll sytë dhe ajo ikën. Sheshi Skënderbe natën m’u duk si një tepsi alumini përballë një pallati mermeri. I rrethuar jo me lulishte, por me shkurre të verdha, të cilat edhe se gojë nuk kishin, më lajmëruan se do të vdisja vape. Tirana ishte njësoj, kantier ky qyteti im, me qendra tregtare ultra moderne që të marrin mendjen natën, se ditën e kupton që janë aty sa për të kënaqur pakicën.

Të nesërmen zgjimin ma bëri hija e një pallati gjigant përballë ballkonit tim. Tani është ende në përfundim. Por jam e bindur që kur të përfundojë, do të bëhemi miq të mirë me ata përballë. Dhe pa pasur nevojë të zbresim shkallët, madje mjafton të zgjasim dorën dhe, ja ku u bë. M’u kujtua një mikeshë që më tha një ditë: këtu vjen njeriu dhe blen një shtëpi buzë detit pasi kalon një vit e ka buzë murit. Kam qeshur atëherë, por kur e provoke në kurriz të vjen të qash!

Rrëmujë, pisllëk, makina pa fund. Temperatura e lartë që lundronte në ajër i përzihej si një koktej helmi tymrave. Vetëm aroma e kuzhinës së nënës time më largoi disi nga kjo hamulli. Ne vijmë të ngopur, por të uritur në shije fëmijërie. Mbetemi gjithmonë në atë kufirin e kujtimeve që nuk na braktisin asnjëherë. Bukë misri që tashmë nuk është e verdhë, por s’kemi ç’bëjmë. Domate zemërkau që shijen e dikurshme nuk e kanë, dhe na mbush vetëm syrin. Akullore me shije karamele Zana te Pazari i Ri, i ndërtuar sinqerisht bukur. Rrugicat e pastra përreth qendrës se më tej nuk shkova. Pemët përgjatë lumit Lanë ishin rritur bashkë me taksat për shtresën e mesme dhe të ulët. Nuk u futa në shumë detaje, por po përcjell ç’dëgjova. U njoha me rrugën e Kombit që vende-vende pëshpëritej: Ja nuk është përfunduar ende se i vjedhin fondet. Çudi të madhe nuk bëra. Më la pa frymë bukuria e maleve të Veriut. Ato fshatra që nga autostrada dukeshin si një grumbull delesh në kullotë. Si mund të jetonin atje në dimër nuk ia kam idenë dhe një Zot e di. Më treguan për fonde dedikuar mjekësisë në vende të thella, kur për një firmë që të kalohej projekti kërkohej nga nëpunësi i shtetit thela e majme në kurriz të një të mire. Edhe këtu nuk u çudita aspak.

gjakove

Gjakovë

Ditët në vazhdim në Gjakovë. Mësues të gjuhës shqipe nga shumë vende të botës. Ditë intensive në një hotel ku të dukej sikur në drekë të servirnin mbeturinat e një dasme një darke më parë. Dhoma që nuk u pastruan asnjëherë, por unë nuk isha aty as për të parën dhe as për të dytën. Si të tjerët iu kushtuam me seriozitet gjuhës. Nuk rreshtoj emra, por ky okazion ishte vërtetë i bukur. U njohëm me Gjakovën, historinë e luftës, traditën dhe dashamirësinë e njerëzve atje. Më ka bërë të rrëqethem një grup i bukur prej 10 vajzash sllovene, kori Kvale (Lubjanë), të cilat kënduan për ne vetëm me një fizarmonikë, duke kombinuar zërat e tyre, për 2 orë rresht me një repertor këngësh të bukura shqiptare dhe ato të vjetra arbëreshe.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit

Shqiptonin çdo fjalë saktë dhe me patos. Ju qeshnin sytë kur ne të gjithë i shoqëruam nga një herë. Dukeshin sikur të ishin rritur me atë muzikë popullore, vetëm njëra në të vërtetë e njihte gjuhën shqipe! Munda të njihesha me shtëpinë e lidhjes së Prizrenit dhe munda të shkoja në muzeumin e Marubit Shkodër ku kishte vetëm të huaj, pasi shqiptarët vendas sapo ju thoshe që është 700 lekë të reja hyrja kthenin majat nga thembrat.

Të haje një tavë krapi aty ku derdhej Buna në Shirokë nuk përshkruhet me fjalë. Të shikosh Drinin që ka natyrë të egër në një moçal të vetmuar, edhe kjo nuk ka fjalë ta përshkruhet.

Unë po kthehem në këtë moment. Kam ende të ngrohtë përqafimin e njerëzve që dua dhe i takoj sa herë jam në Tiranë. Të nënës time që është e fortë dhe nuk qan më. Ulet avioni. Më janë bllokuar edhe veshët nga presioni i ajrit. Me siguri është ftohtë jashtë.

Londër. Edhe kontrolli me siguri na pret jo për paratë, por për ushqimet.

Kam marr ë me vete çaj mali dhe rigon. Shpresoj të mundem t’i shijoj në shtëpinë time.

( Shënime udhëtimi 7 Gusht 2017)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top