Marrëdhënie

February 7, 2018 | 15:07

Nga Anisa Zaçe / Si në filma…

Kur të vish ti dua të jetë diell. Dua të vish në një ditë të bukur, me shumë jetë dhe energji rrotull. Kur të vish ti dua të më gjesh duke qeshur.

I ke parasysh ata filmat romantikë ku asaj i bie nga dora diçka kur shikon dashurinë e jetës. Ja kështu dua dhe unë. Dua të më bjerë nga dora gota e verës sime të preferuar kur të të shoh sytë. Dua që të më gjesh duke festuar jetën ashtu siç unë di.

Fryn erë e fortë, dhe bie shumë shi sot, ndoshta prandaj më shkoi mendja edhe tek ty. Nuk do doja të vije sot, e të më gjeje kështu. Nuk kam arritur as të ndez dritën e dhomës. Jam zhytur në gjysmë dritën e kësaj dite me shi.

Më duket sikur të kam gjysmë hapi larg, por as atë nuk po arrij ta bëj. Në të njëjtën kohë të ndjej që je duke ardhur.
Më duket sikur po të qëndroj në qetësi absolute, mund të arrij të dëgjoj derën që përplaset pas teje, hapat e tu të shpejtë.
Ndoshta edhe jam çmendur, (akoma më shumë, thua?!) por mund të vija bast gjithë jetën që ti je duke ardhur.
Ndoshta prandaj nuk e ndërmarr atë gjysmë hapi. Në universin tonë të dashurisë, ti je duke ardhur, dhe unë po të pres.

Kur ti të vish, do mi marrësh të gjitha dhimbjet, trishtimet e brengat, e do mi heqësh avash avash në çdo përqafim, puthje, e shikim.
Ti e di ku tendosen pikëpyetjet e mia, ti e di ku i dhemb shpirtit e si shërohet, e mbi të gjitha ti e di kur jam në pritje e nuk jam në gjendje të lëviz.

Kur ti të vish, me siguri do më bjerë ajo gota e verës, dhe do kthehem duke qeshur me dorën tek goja sikur kam bërë faj. Kur sytë e mij të kryqëzohen sërish me të tutë, do rikujtoj si dallohet një zemër e lumtur edhe nga tingulli i rrahjeve. Kur ti të vish, e di që do mi lesh mbi tavolinë të gjitha përgjigjet.

Kur ti të vish, të më puthësh e të më tërheqësh nga dora, duke marrë bashkë me mua, të gjithë rrëmujën e çmendurinë time, të gjitha fajet e pasiguritë e mia, duke më dashur bashkë me to.
Kështu ndodh në filma, e kështu do ndodhë edhe kur të vish ti.
E kam dashur shumë dashurinë dhe i kam besuar kaq shumë që të ndodhë ndryshe.

Asgjë s’do jetë perfekte pasi të vish ti, sepse unë e ti s’jemi, sepse nuk duam të jetë perfekte. Sepse të dy e duam jetën me të gjitha ngjyrat, e ndoshta herë pas here edhe do zihemi, por do ta mbyllim çdo ditë duke trokitur një gotë verë, nga ajo vera e mirë që do më bjerë nga dora kur të vish ti.
Kur ti të vish do e mbyllim çdo ditë duke ngritur një dolli për jetën e dashurinë, e për ne, që mësuam bashkë, të dashurohemi edhe kur të duam të vritemi.

E di që shiu do pushojë dhe do dalë dielli, ama unë dashkam që diellin të ma sjellësh ti. Unë e di që ti po vjen, por mos u vono, ti e di sa inat e kam shiun.

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com