Në fokus

August 7, 2018 | 8:40

Nga Anxhela Peza / Barazia gjinore? Kurrsesi një burrë si grua apo një grua si burrë

Femra në fillimet e të dhënave historike për mënyrën se si ajo është trajtuar, p.sh: në Romën antike dhe në Greqinë e lashtë, babai mund t‘i shiste vajzat e tij kujtdo që të dëshironte, mund t’i jepte hua ose t‘i mbyste sipas dëshirave të tij. Ajo që dhemb më shumë është se ajo nuk u konsiderua si njerëzore, në shek.V. “Këshilli nga Makoni” u mblodh në mënyrë që të shqyrtonte “Të vërtetën rreth femrave”. Qëllimi ishte nëse ato kanë apo jo shpirt. Në përfundim të studimit, u konkludua se të gjitha femrat kanë shpirt të prishur, janë të dënuara me mallkim të përjetshëm, dhimbje dhe qëndrim në zjarr, përveç virgjëreshës Mari, nënës së Jezusit.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Etërit e shenjtë të ritit katolik e kanë konsideruar femrën si përgjegjëse për mëkatet. Sipas tyre, “trupi i femrës është derë për hyrjen e djallit”, ndaj ajo është mallkuar përgjithmonë. Në vitin 586, “Këshilli i të Shkathtëve” shpalli se gruaja nuk i takon gjinisë njerëzore dhe është krijuar vetëm për t’i shërbyer njeriut. Në Angli, në shekullin XVI-të, vetëm të gjalla janë djegur rreth 8 milionë femra. Deri para një shekulli, kudo në Perëndim, vendi i femrës ishte në shtëpi dhe puna më e madhe e saj ishte kujdesi që bënte për fëmijët. Ato ishin plotësisht të varura nga burrat e tyre apo meshkujve të tjerë.

Studimet e shumta të bëra nga unë për romanin “Zonja Tirana” për evoluimin dhe emancipimin e gruas në Shqipëri duke filluar nga viti 1850 kanë qenë shumë domethënëse. Në këto vite në vendin tonë ende nuk ishin zhvilluar mirë qytetet jo më fshatrat, madje dhe sundimi turk edhe për shkak të imponimit të fesë myslimane tek gratë shqiptare i kishte mbuluar. Shumë prej tyre nuk dinin as shkrim e as këndim. Hovi ishte mjaft i madh për ato familje që emigruan jashtë dhe burrat në shkollimin e tyre i hapën rrugë femrave në familje të shkolloheshin e t’i ngjanin atyre grave bukuroshe të fisshme që njihnin jashtë shtetit. 

Nën sundimin e mbretit Zog, gruaja shqiptare mori një hov të madh kulture dhe shkollimi në të gjitha dimensionet. Fryma e parapëlqyer mbetej ajo perëndimore. Shkollat duhet të mësonin shkrim dhe këndim. Të mësonin vajzat të luanin në një vegël muzikore të çfarëdo lloji. Të studionin disa gjuhë të huaja përveç asaj amtare. Dhe e padiskutueshme, të dinin të qepnin, qëndisnin dhe të gatuanin. Në fund të këtyre dijeve në shkollë, ajo merrte një profesion qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit.

Ky formim e bëri gruan shqiptare intelektuale mjaft të përparuar. Politika e mbretit të Shqipërisë ndryshoi mentalitetin, gratë hoqën shamitë nga koka dhe vunë kapele damash. Cilësia e jetës u vlerësua dhe ato ishin modeli i femrës “perfekte” apo tejet e pëlqyeshme nga shoqëria. Edhe sot është vështirë shumë të gjesh një grua me këto parametra. Për fat të keq kjo gjë nuk u bë e mundur në hijen e rëndë që mori gruaja në komunizëm. Mori sigurisht të drejta të barabarta, por ishte gruaja që punonte llaç dhe tulla, në gurore, kamioniste etj. Dhe komunizmi nuk lejoi që të gjithë në familje të shkonin në shkollë të lartë. Vendosi të drejta të barabarta, por i mbylli mendjen gruas dhe burrit në hapësira më të gjëra.

Personalisht dhe sigurisht e ndikuar nga profesioni që bëj, jam e një mendimi të fortë se sundimi politik, stresi politik dhe ligjet janë ato që kanë një shtyllë themeli shumë të madh në emancipimin dhe modelin përcjellës të një gruaje. Sot nuk ka një ditë të vetme që nuk vritet një grua nga një burrë, nuk ka një ditë të vetme që nuk grua nuk dhunohet nga një burrë. Nuk më duket e udhës të vendos një pyetje filozofike, shoqëria e bën vendin apo vendi shoqërinë?! Gruaja është mjaft e vlerësuar nga ligjet, por jo nga burrat shqiptarë dhe këtu lind problemi.

Sfidat janë të mëdha në çdo kohë, sepse sipas kohës kemi dhe njerëzit të kultivuar mendërisht dhe psikologjikisht. Andaj një gjë është e sigurt, që të gjithë ne do donim të ishim një grua model. Kur flasim për barazi, kurrsesi nuk do isha për një burrë si grua apo për një grua si burrë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top