Në fokus

April 13, 2018 | 13:55

Nga Anxhela Peza / Shkolla është jeta apo jeta është shkollë?!

Sa maturantë në vit përjetojnë krizën e identitetit dhe shkojnë të studiojnë në një degë, të cilën nuk e dëshirojnë, por të detyruar nga kushtet zgjedhin diçka tjetër? Shumë të tjerëve ua ka zgjedhur nëna dhe babai degën që duhet të studiojnë.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Në këto 15-20 vitet e fundit prindërit kanë shpikur një shprehje: “Shkolla është jeta”. “Ti pa shkollë nuk ke se ku shkon, e as ke ku të mbytesh”. E sa e vërtetë është kjo në vendin tonë, se në vendet e botës ka një filozofi tjetër për shkollimin, punën, të ardhurat dhe perceptimin mbi të ardhmen. Në artikullin e numrit të kaluar të revistës citova se, një nga tre shtyllat e rëndësishme ishte pikërisht profesioni.

Profesioni përfaqëson një pjesë të karakterit tonë dhe ndikon gjithashtu në vetëvlerësimin e njeriut në arritjet e tij nëpërmjet profesionit. Një njeri i shkolluar mbi një degë ka informacion dhe njohuri të shumta mbi fushën e studiuar. Pra, ne kemi një njeri profesionist përballë, jo një intelektual marramendës, apo që posedon kulturë të gjerë me se s’bën.

Në vendin tonë, ashtu sikurse në gjithë botën, vërehet një ulje e dukshme e zanateve, kjo si pasojë dhe e zhvillimit të teknologjisë, e cila ul fuqinë punëtore. Dëshpërimi i të rinjve sot është për të pasur medoemos një profesion dhe jo zanat. Vërehet një ambicie e madhe kundrejt profesioneve jakëbardhë dhe jo jakëblu. Nuk jam fanatike e idesë se njeriu duhet të jetë i shkolluar, por të jetë i ditur. Jo çdo dije vjen nëpërmjet shkollës! Mjafton të dëshirosh për të ditur, dhe çdo gjë vihet në funksion të saj. Osho, filozofi i dashur nga të gjithë, e ka parë shkollën si kufizim, vetëm si përcaktim të një orientimi teorik, dhe kufizim të intuitës, të dijeve të brendshme që vetë njeriu posedon.

Moshën 18-vjeçare do e shikoja si një moshë, e cila nuk është e duhura për të përcaktuar realisht atë që do dhe mund të bëjë mirë gjatë jetës. Shumë prej studentëve të vitit të parë janë penduar për një degë që mund ta kishin zgjedhur me shumë dëshirë. Dhe anasjelltas, ata që e zgjodhën për motivet e dyta mund të kenë gjetur vetën. Rastet janë të larmishme, shkolla ka rëndësinë e saj, por nuk është gjithçka.

Edukata, qytetërimi, modernizimi i njeriut me kohën, vetërealizmi me këto pikëpamje të jetës simbolizojnë një realitet aktual. I suksesshëm mund të jesh duke dashur shumë atë që do, me vullnet dhe punë për pikësynimin.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top