Në fokus

September 14, 2017 | 8:00

Nga Arjeta Hyseni: Stresi dhe fëmijët, çfarë mund të bëjmë?

Fëmijëria, edhe pse është periudhë e jetës e lidhur me gëzimet, emocionet pozitive, eksperiencat e para, të  mësuarit e aftësive të reja, po ashtu është e mbushur plot me sfida për fëmijën. Nëse do të pyesnim a mund të ndjehet  fëmija i stresuar, mund të themi se stresi është pjesë e pashmangshme e jetës sonë, madje që në vitet e para të jetës.

Arjeta Hyseni, psikologe klinike

Arjeta Hyseni, psikologe klinike

Gjatë rritjes, fëmija përballet me ndryshime të vazhdueshme  fizike, konjitive, sjellore, emocionale, sociale, si dhe mjedisore. Të gjitha këto ndryshime mund ta ekspozojnë fëmijën ndaj stresorëve, të cilët nëse zgjasin në kohë, mund të ndikojnë në zhvillimin e shëndetshëm të tij.

Një nivel i pakët stresi është i nevojshëm për fëmijën, pasi nxit zhvillimin e aftësive të reja për t’u përshtatur dhe për të përballuar më lehtë situata të ngjashme, të konsideruara të vështira. Stresi gjatë fëmijërisë mund të shkaktohet nga faktorë të jashtëm, por mund të nxitet shpesh edhe se brendshmi.

Në ditët e sotme kërkesat dhe pritshmëritë e prindërve për fëmijët janë rritur dukshëm. Mjafton t’i hedhim një vështrim orarit javor dhe do të gjenim: lëndë/detyra/projekte për t’u përgatitur çdo ditë, kursin e anglishtes, të matematikës, fizikës, aktivitete artistike, kurs piano, kitare, kërcimi ose aktivitete sportive si noti, futbolli, tenis, volejboll etj.

A mund të mbajë fëmija kaq mbi shpatulla?

Kjo rutinë kaq e ngjeshur, mund të nxisë te fëmija shqetësimin se a po i realizon të gjitha në mënyrën e duhur, ashtu siç ne të rriturit dhe ai vet pret. Dhe si pasojë ka shumë pak kohë në dispozicion për të luajtur, për t’u qetësuar, për t’u përfshirë në aktivitete që i japin kënaqësi, të cilat janë po kaq të nevojshme për mirëqenien e shëndoshë të fëmijës.

Kur fëmija ankohet vazhdimisht se ndjehet i lodhur, refuzon t’i ndjekë këto “detyrime” është koha që të flasim dhe të ndërtojmë një hierarki të nevojave, dëshirave dhe mundësive që fëmija ka, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të lehtësojmë mirëqenien e tij.

Të biseduarit me fëmijën, nuk do thotë të zgjedhim midis këtyre aktiviteteve, por të gjejmë strategji për të menaxhuar kohën dhe përgjegjësitë e fëmijës, në mënyrë që ai të ndjej më pak ankth dhe stres.

kids-stress

Cilët janë faktorët e jashtëm që shkaktojnë stres gjatë fëmijërisë?

Prania e fëmijës në situatë konfliktuale në familje, diskutime mbi vështirësitë ekonomike, shqetësimet që prindërit sjellin me vete nga puna, shqetësimet për një të afërm të sëmurë, konsiderohen si faktorë të rëndësishëm që nxisin stres, ankth dhe pasiguri, mungesë stabiliteti emocional te fëmija. Ndaj sugjerohet që prindërit duhet të jenë të vëmendshëm për mënyrën sesi i zgjedhin ta ndajnë shqetësimin e tyre kur kanë pranë fëmijët. Shpesh fëmijët jetojnë me ankthin e prindërve, por pa pasur mundësinë për ta menaxhuar.

Media dhe interneti mund të shkaktojnë stres te fëmijët. Lajmet e ndryshme mbi fatkeqësitë natyrore, luftërat, sulmet terroriste nxisin te fëmijët ndjenjën e pasigurisë dhe frikës për veten dhe për familjarët. Monitoroni materialet që fëmija përzgjedh të shohë në TV ose internet dhe diskutoni me fëmijën për mendimet dhe përjetimet e tij në lidhje me atë që ka parë ose dëgjuar. Disa ngjarje familjare si: humbja e një personi të dashur ose divorci duhet të jemi të vetëdijshëm që kanë një ndikim të madh psikologjik te fëmija, i cili nëse nuk trajtohet me vëmendjen e duhur, mund të shënojë gjurmë  në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës, duke u transformuar në çrregullime emocionale, sjellore dhe relacionale.

Fëmijët kanë nevojë të dëgjohen, të ndjehen të kuptuar, të pranishëm në jetën e familjarëve si dhe të ndjejnë se kanë ku të mbështeten. Nuk mund të evitojmë stresorët në jetën e fëmijës, por mund t’i monitorojmë dhe së bashku me fëmijën të mësojmë t’i menaxhojmë. Nuk ka asgjë më të shëndetshme, sesa momentet cilësore të kaluara në familje. Familja është vendi ku rrisim fëmijë të shëndetshëm, po nga ku mund të lindin edhe shumë çrregullime psikologjike!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top