Pika referimi

April 28, 2020 | 8:05

Nga Arsejda Gjyli / Arsimimi me bazë edukimin

Shumica i referohen edukimit si një rend i caktuar normash e sjelljesh, të cilat i atribuohen familjes, shoqërisë, institucioneve arsimore apo edhe mjedisit adekuat ku rritemi dhe krijojmë lidhjet shoqërore.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Për disa kohë kam studiuar personalitete të shquara, të cilët me vullnet dhe dëshirë kanë arritur majat e suksesit. Ajo çfarë është emëruesi i përbashkët në rrugën e tyre të suksesit përpos përkushtimit, fokusit të jashtëzakonshëm në qëllimin e tyre, e po ashtu elementit inteligjencë, është edukimi përmes institucionit arsimor. Në shumë raste vëmë re një ndarje midis qasjeve, nëse mund të vendosim ose jo një emërues të përbashkët midis arsimimit dhe edukimit, ku arsimimi konsiderohet procesi i të nxënit që në sistemin fillor, parauniversitar dhe universitar, përgatitja e gjatë për formimin profesional për të ardhmen.

Ndërsa nga ana tjetër, edukimi nuk lidhet detyrimisht me arsimimin e një personi, por me vlerat e tij. Pra e thënë ndryshe, ka një ndarje konceptuale midis arsimimit dhe edukimit. Por a mund ta legjitimojmë faktin se këto dy koncepte janë diametrikisht të ndarë nga njëri-tjetri?

Nëse i referohemi një individi në shoqëri, në familje dhe në vendin e punës shohim shumë-dimensionalitetin e roleve të tij. Padyshim se edukimi dhe arsimimi kanë veçoritë e tyre tek individi, por nuk janë kurrsesi procese të ndara. Në mënyrë homogjene, një njeri i arsimuar duhet të jetë edhe një individ i edukuar, duke qenë se arsimimi duhet ta përmbajë dimensionin e edukimit.

Në këtë kuadër i rikthehemi faktit se, shumica e studiuesve theksojnë rëndësinë e investimit në arsimim si element thelbësor i edukimit. Kjo sepse institucioni arsimor realizon kanalizmin dhe thellimin e inteligjencës në fushën e interesit, me qëllim orientimin e duhur në tregun e punës. E kësisoj, institucionet arsimore jo vetëm që orientojnë dijen, por edhe bëjnë të mundur krijimin e një mentaliteti të caktuar, një mënyre sjelljeje, etike profesionale dhe personale me qëllim arritjen e suksesit.

Si rrjedhojë, theksojmë se institucionet arsimore përbëjnë një aset kryesor të investimit në dije, orientimit të karrierës dhe udhërrëfyesit drejt suksesit e në të njëjtën kohë shërbejnë edhe si agora e formimit të individëve si qytetarë me parime dhe norma të sjelljes njerëzore, emancipuese dhe tolerante në shoqëri.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top