FB

October 25, 2022 | 10:10

Nga Arsejda GJYLI / Meritokracia, një nga parimet bazë të një qeverisjeje demokratike

Në një sistem të drejtë qeverisës, ku reflektohen parimet bazë të demokracisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të secilit individ në plan shoqëror, gjithmonë perceptimi publik është i tillë që ky sistem qeverisës duhet të bazohet në një parim edhe më madhor, atë të meritokracisë.

Meritokracia konsiderohet si një parim moral por edhe legjitim e strukturor, kur flasim për mënyrën e organizimit dhe funksionimit institucional, politik apo shoqëror. Në këto terma, meritokracia si një parim sa moral aq edhe sistemor, duhet të jetë themeli i funksionimit të një shteti të së drejtës i cili thelbin e tij e ka demokratik. Nëse do t’i referohemi konceptit moral të meritokracisë në jetën shoqërore, ajo që vëmë re është fakti se në një shoqëri konsumi, kapitalizmi vendos në thelb të çdo arritje konkurrencën. Duke marrë si shembull fushën e karrierës, rikthehemi tek shprehja e famshme se: “Suksesi nuk i jepet atyre që e meritojnë, por atyre që kanë ambicie.” Në këtë kontekst duhet thënë se ndryshe nga një sistem komunist qeverisës, sistemi kapitalist i ekonomisë së tregut bëhet shpeshherë përjashtues i “meritës”, kjo me apo pa të drejtë.

Si rrjedhojë e këtij rregulli jo të shkruar, shkelja e parimit të meritokracisë nuk është diçka e cila shihet jashtë moralit por legjitimohet nga sistemi konkurencial i tregut. Nga ana tjetër në plan politik, institucional dhe ligjor, mungesa e sistemit meritokratik, derivon detyrimisht tek mungesa e demokracisë dhe prezenca e korrupsionit. Në këtë qasje, mungesa e meritokracisë nuk lidhet me moralin apo sistemin konkurencial por me korrupsionin, mungesën e transparencës institucionale si dhe shkeljet ligjore, të cilat nuk janë në proporcion të drejtë me demokracinë dhe qeverisjen e ndershme. Kjo sjell një regres në plan shoqëror, ku njerëzit e aftë dhe të dobishëm përjashtohen qëllimisht nga vetë sistemi. E gjitha kjo kryhet në funksion të një sistemi qeverisës i cili thelbin e tij e ka të vendosur tek parime jo demokratike. Këto dy qasje të perceptimit të meritokracisë, na shpjegojnë fare mirë se në plan strukturor/institucional, meritokracia si një parim themelor i një qeverisjeje të drejtë në shërbim të qytetarëve, lidhet drejtpërsëdrejti me nivelin e demokratizimit të një vendi dhe mirë funksionimin e shtetit ligjor. Ndërsa nga ana tjetër moralizimi i konceptit të meritokracisë është në dëm të konkurrencës së lirë. Në këto terma, meritokracia duhet të vendoset në themel të çdo aspekti të jetës së përditshme, me qëllim sigurimin e parimeve bazë të demokracisë, por nuk duhet të prodhojë paragjykime moraliste në termat e konkurrencës së lirë dhe përzgjedhjes në bazë të meritës dhe zotësisë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 173

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top