FB

September 7, 2023 | 7:54

Nga Arsejda Gjyli / Në jetë ia vlen të ringrihesh për të arritur qëllimin vetjak

Përgjatë gjithë jetës, secili prej nesh ka përjetuar qoftë edhe një herë të vetme ndjesinë e dorëzimit. Ku ndihesh i pamundur për të bërë diçka për vetë veten tënde dhe nuk ke më fuqi të frymëzosh apo të frymëzohesh për të bërë gjëra të reja, për të ndërmarrë iniciativa të reja. Situata e pandemisë përpos dëmeve të mëdha në aspektin ekonomik dhe shoqëror solli pasoja të jashtëzakonshme në anën psikologjike të shoqërisë.

Nga Arsejda Gjyli 

Të gjithë kishin kohë për të menduar për të ardhmen dhe për të thurur plane të reja, por gjithashtu të gjithë u vendosën në një pasiguri thelbësore, sigurinë për jetën e tyre dhe të familjes. Këto mësime ekzistenciale tregojnë se në momente të caktuara mund të përballemi edhe me sfida jetike por ajo që duhet të na karakterizojë është forca për t’u ringritur dhe për të triumfuar në misionin tonë. Shoqëritë e sotme kapitaliste me bazë konkurrencën e lirë, kanë parimin se ai që ia del i merr të gjitha si dhe ai që humbet nuk merr asgjë. Në këto rrethana individi shpesh vihet në presionin për të kapur mundësitë, për t’u rritur në detyrë, për të fituar më shumë para, për një standard jetese më të mirë, e ndoshta në shumë raste edhe thjesht për të mbijetuar.

Ekspozimi ndaj një peshe kaq të rëndë ku shteti shpeshherë ka një rol minimalist në sigurimin e jetesës apo lehtësimin e situatës së secilit, njerëzit përballen me stres, ankth apo depresion, ndonjëherë edhe duke u mbyllur në vetvete ose edhe duke hequr dorë nga ambiciet vetjake. Ajo që duhet mbajtur në konsideratë në një realitet të tillë shumë të ashpër është se, përgjatë rrugëtimit tonë secili nga ne duhet të jetë i pajisur me shumë durim dhe një predispozitë për të bërë kompromise dhe për të kapur momentin. Të gjithë ne shpesh mendojmë se është fati ai që na i hap dyert, por mbi të gjitha është puna e madhe dhe mprehtësia e secilit për të kapur mundësitë që i ofrohen, aseti kryesor ndaj suksesit dhe arritjes vetjake.

Një shprehje e njohur thotë se: “Rrugët janë të shumta, por qëllimi është vetëm një”. Ndaj të gjithë ne duhet të qëndrojmë të fortë ndaj atij qëllimi sepse gjithçka me të cilën në përballemi, sfidat apo dështimet, na forcojnë dhe na çojnë një hap më afër qëllimit final. Të gjithë duhet të ecim sepse vetëm duke udhëtuar në rrugë të ndryshme, arrin të njohësh më mirë veten por edhe të mbërrish destinacionin tek i cili je nisur.

 

 

Botuar tek Revista Psikologji, Nr.183, muaji Shtator 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top