FB

December 14, 2021 | 8:20

Nga Arsejda Gjyli / Nevoja psiko-sociale për festat e fundvitit në kohë pandemie

Ndryshe nga vitet e tjera, periudha më e bukur e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, këtë vit vjen e mbushur me pasiguri dhe dilema, një frikë e brendshme për të ardhmen dhe vazhdimësinë. Ndaj edhe festat e fundvitit nuk lidhen me një traditë rutinë festimesh, por një nevojë gati-gati patologjike të shoqërisë për të nxitur gëzimin, për të jetuar një atmosferë ndryshe, jo të zymtë dhe të errët por me shkëlqim dhe dritë, për të mbyllur një moment sytë dhe për të besuar se jemi të lirë të mblidhemi dhe të jetojmë të bashkuar.

Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Nga Arsejda GJYLI, Lektore në Shkencat
Politike, Analiste

Natyra e vetë shoqërisë është ngushtësisht e lidhur me lirinë për të jetuar, për të marrë pjesë në aktivitete publike, për t’u shkolluar si dhe për të punuar. Padyshim se kjo logjikë e lidh vetë psikologjinë e shoqërisë me një nevojë direkte për të ndryshuar, me frikën e vazhdueshme ndaj sëmundjes dhe pasojat që ajo sjell të tilla si mbyllja dhe izolimi. Në këto rrethana bëhet më e vështirë që të menaxhohet situata e një pandemie qoftë kjo në aspektin socio-ekonomik por edhe atë psikologjik.

Duhet që nëpërmjet disa politikave si dhe strategjive efikase, me një bashkëpunim të vazhdueshëm të institucioneve të tilla si shkolla, ambientet e punës, spitalet, por edhe institucionet politike dhe mediat, të veprojnë për të lehtësuar sado pak ngarkesën e madhe psikologjike që rëndon shoqërinë. Padyshim se kur flasim për festat, tubimet dhe mbledhjet publike në rastin e një pandemie, bëhet e vështirë të menaxhohet situata, duke qenë se fillimisht duhet të shmangen tubimet masive, por mundet që të gjenden mënyra alternative për të nxitur optimizmin social.

Formatet e organizimeve publike duhet të kryhen duke respektuar distancat sociale, marrjen pjesë në ambiente të mbyllura, si dhe mbajtjen e maskës. Përshtatja sociale dhe psikologjike me këto rrethana të reja të të jetuarit, punuarit por edhe të festuarit bëhet një nevojë për të gjithë ne, nga ku të festosh dhe të ndjesh qoftë edhe festat e fundvitit kërkon një përgjegjshmëri të lartë sociale.

Festimet e fundvitit si dhe gjithë format e tjera të festimeve nuk duhet kurrsesi të shihen me skepticizëm duke qenë se ato përfaqësojnë një nga metodat më të mira për të zgjuar ndjenjat e normalitetit dhe rritjen e qasjes pozitive shoqërore për të ardhmen.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top