FB

June 7, 2022 | 8:00

Nga Arsejda Gjyli / Të rinjtë mes profesionit dhe famës: fenomeni “Përputhen”

Nëse do të analizojmë realitetin socio-ekonomik në vend pa u bazuar tek aspekti moral, duhet thënë se shpeshherë, për të rinjtë të cilët janë edhe nismëtarët më të mëdhenj të ndryshimeve, kriticizmit si dhe revolucionarizimit në shoqëri, përmbysja e disa rendeve për të krijuar disa rende të reja, më produktive e të bazuar tek teknologjia apo inovacioni, do të ishte tërësisht e justifikuar.

Nga Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Shpesh dëgjojmë dhe shohim se rrjetet sociale po bëhen zhvlerësueset e profesionit dhe rritjes graduale në karrierë, sot të rinjtë dimensionin revolucionar që i karakterizon e kanë bazuar në faktin e të bërit famë me ritme të shpejta, katapultimin në karrierë me mënyra të shkurtra si dhe edukimin e bazojnë në thënie të shpërndara rëndom në rrjete sociale. Pasqyrimin e realitetit ku të rinjtë janë bazuar në koncepte tërësisht teknologjike, na e tregojnë edhe emisione televizive të cilat thelbin e kanë të bazuar tek eksperimenti social. Ndër to do të cilësoja fenomenin “Përputhen”, një “reality show” i cili bazohet tek njohja rastësore mes të rinjve, djem dhe vajza. Ky emision tregon më së miri disa aspekte të rëndësishme të mënyrës sesi të rinjtë komportohen në realitet, por edhe për rëndësinë që instagrami si një rrjet social i mbështetur tërësisht tek dukja dhe jo tek formimi profesional, u jep famë njerëzve thjesht për simpatinë që krijojnë në publik.

Në këtë pikë më kujtohet një serial me titull “Black mirror” i cili tregon sesi ekrani i zi i telefonit e ka reduktuar jetën dhe suksesin tek disa pëlqime dhe ndjekje në rrjete sociale. Në qasjen e “Përputhen” shumica e të rinjve glorifikojnë konceptin e dashurisë, pjesa tjetër e zhvlerësojnë dashurinë për rritjen personale në instagram me qëllim rritjen e ndjekësve, përthithjen e bizneseve dhe arritjen e një fame apo fuqizimin monetar personal. Në këtë koncept “reality show” më shumë sesa inskenim, siç e quajnë pjesa më e madhe, është pasqyrues i realitetit socio-ekonomik por edhe edukimit. Sa i takon të rinjve është më e vështirë për ta të lexojnë libra, sesa të përthithin thënie të shpejta e të shkurtra shpesh pa ua ditur autorin. Këtu shohim sesa i rëndësishëm është roli i itharëve të dijes si opinionisti Arjan Konomi, një influencer i përmasave moderne dhe klasike, sesa impakt kanë këto individë në shoqëri, ku pjesa më e madhe nuk mbështeten më tek Dostojevski.

Roli i ithtarëve të dijes është i patjetërsueshëm. Ata, me forcën e tyre të argumentit, fuqinë e dijes dhe mendimit për të zbërthyer relacionet njerëzore si dhe për ngritur çështje me rëndësi sociale, sjellin edukim dhe emancipim. Si përfundim, mund të themi se nevoja e padiskutueshme e pasjes së një profili në media sociale është e paevitueshme, biznesi po ridimensionohet nga nevoja e ekzistencës së tij në rrjete sociale, fushatat e marketimit të gjitha realizohen online, profesioni shpesh nuk jep përfitime aq sa një “influencer” i cili reklamon biznese dhe ka një numër të madh ndjekësish. Këto modele kanë ndryshuar edhe konceptin që të rinjtë kanë për famën dhe karrierën, por që me kohën duhet të mësojmë sesi të ruajmë edhe disa vlera të cilat nuk i zhvendosim dot në media sociale dhe të bashkëjetojmë me to.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Drejtor Marketingu - Geart Shehu: 0682097486
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top