Në fokus

April 2, 2018 | 10:00

Nga Besmir Guri / Çfarë është toleranca dhe vlera e saj?

Toleranca si një vlerë e mirëkuptimit, mos gjykimit, pranueshmërisë, e ndjenjës për të qenë i drejtë dhe parimor në raport me tjetrin, e bën atë një nga karakteristikat më të veçanta të vlerave kulturore dhe individuale të çdo shoqërie.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Megjithatë, duhet të guxojmë të pranojmë, që në shoqërinë tonë kjo vlerë mungon dhe nuk është e pranishme aq sa duhet, duke filluar që nga marrëdhëniet e ngushta individuale e familjare, deri tek ato më të zgjeruara shoqërore.

Po të tregohemi të vetëdijshëm dhe të vërtetë, do të shohim që të gjithë individët në vendin tonë kanë nevojë për më tepër tolerancë ndaj gjithçkaje. Kjo për vetë faktin se mundësitë që japim dhe marrim nga njëri-tjetri, karakterizohen kryesisht si marrëdhënie egoizmi, detyrimi apo interesi. Kjo është akoma më e theksuar në rastet kur ndërveprimi nuk tejçon nga një individ tek tjetri energji pozitive, apo kur nuk ka një marrëdhënie afërsie dhe njohjeje mes palëve.

Toleranca është një vlerë shumë e lirë hyjnore, që nuk njeh kushtëzime të lartpërmendura, dhe që ndikon pozitivisht në stabilitetin emocional, tek vetë personi që e posedon, po ashtu dhe tek personi që e merr atë.  Vlera e tolerancës formohet si një model i mësuar, ku si çdo vlerë e ngjashme me të, tipari kryesor e saj është të qenit i edukuar.

toleranca-2-660x330

Toleranca të rrit vlerësimin për veten, për jetën dhe për njeriun në përgjithësi. Individi duhet të jetë i vetëdijshëm dhe i përmbajtur në veprimet që ndërmerr, në mënyrë që të mos kalojë tek kundërshtarja e saj: Intoleranca. Kjo e fundit, ka të bëjë me faktin e të qenit i mbyllur, arrogant, kokëfortë, gjykues, krenar i sëmurë, brutal, mos pranues, konfliktuoz ndaj mendimeve, ndjenjave apo sjelljeve të tjetrit.

Një individ me tiparet e mësipërme reflekton probleme në modelin e sjelljes, mungesë etike, sjellje imponuese, ku të gjitha këto, përmblidhen në një fjalë të vetme: MUNGESË TOLERANCE.

featured-image-index

Për të qenë më tolerant, duhet të kuptojmë së pari se kjo vlerë mund të mësohet dhe punohet me të, për të përmirësuar nivelin e saj, sidomos tek fëmijët dhe moshat e reja. Si rrjedhojë, për të pasur në të ardhmen një të rritur tolerant, duhet ta konceptojmë tolerancën si një proces, i cili fillon njëkohësisht me lindjen e foshnjës dhe jeton edhe pas jetës fizike të personit nën emrin e tij, sigurisht pasi e ka merituar atë më parë. Kjo rrugë e gjatë, e bukur dhe jetike, për të bërë tolerancën të ekzistojë mes nesh, është domosdoshmëri që të mësohet, po aq sa dhe hallkat e tjera të edukimit, pa të cilën një person dhe shoqëri nuk mund të konsiderohet I mirëedukuar.

Sigurisht që toleranca ka disa elemente për t’u konsideruar e tillë, por unë kam vendosur të kërkoj vetëm njërën prej tyre. Atë më të rëndësishmen, atë pa të cilën kurrë nuk do të gjejmë paqe, atë të cilën çdokush duhet ta zbatojë edhe jashtë dëshirës së tij: MËSOHU TË PRANOSH TË NDRYSHMEN NGA TI. Ti dhe unë, detyrohemi të pranojmë, respektojmë tjetrin në te gjitha dallimet që ka me ty si: mënyra si mendon, vishet, shprehet, beson etj, etj, etj.

Gjithçka që ka të bëjë me të ndryshmen nga ne, minimalisht i detyrohemi ta respektojmë dhe pranojmë. Nëse arrimë ta bëjmë këtë, mund të themi se kemi fituar elementin më thelbësorë të tolerancës, dhe se njëkohësisht bashkë me të, kemi në duar një armë shumë të fortë të edukatës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top