Këshilla & Arsye

February 5, 2018 | 10:15

Nga Blerina Dhamo / Artriti Reumatoid, sëmundja që ul ndjeshëm cilësinë e jetës


Çfarë duhet të dimë mbi Artritin Reumatoid?
Artriti Reumatoid është një sëmundje inflamatore kronike që prek kyçet dhe jo vetëm. Është një nga tre sëmundjet më të shpeshta në Reumatologji dhe prek afërsisht 1% të popullatës. Për Europën Jugore vuajnë me artrit 3 njerëz për çdo 1000 persona. Te 40% e personave me artrit kjo sëmundje ka prekur mushkëritë, lëkurën, zemrën, enët e gjakut dhe syve. Ai mund të fillojë në çdo moshë por ka një preferencë për femrat 50- 60 vjeç (2-3 herë më shumë se meshkujt).

Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?
Shkaktarët ende janë të panjohur, por mendohet se shkaku është një përgjigje jo normale e sistemit imunitar ndaj një faktori të jashtëm. Ky reagim jo normal i trupit ndodh në persona me një predispozitë gjenetike që favorizon shfaqjen e artritit.

Dr. Blerina Dhamo, Mjeke Reumatologe

Cilët janë faktorët e riskut për këtë sëmundje?
Femrat e moshës 50-60 vjeç janë 2-3 herë më të rrezikuara se meshkujt. Po kështu, faktorë rreziku për këto sëmundje janë duhani dhe Obeziteti. Personat që kanë histori familjare (pra familjarë të ngushtë) me artrit kanë rrezik më të lartë se pjesa tjetër e popullatës për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Cilat janë simptomat apo ankesat që shoqërojnë këtë sëmundje?
Pacientët me Artrit Reumatoid ankohen për dhimbje, skuqje dhe enjtje të artikulacioneve, vështirësi në lëvizje sidomos pas një periudhe qetësie, temperature subfebrile 37-37.5, dhimbje muskujsh dhe dobësi trupore. Fillimisht ankesat janë në artikualcionet e duarve dhe këmbëve, por me avancimin e sëmundjes shtohet edhe numri i artikulacioneve të prekura.

Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Diagnostikimi i Artritit Reumatoid realizohet nga mjeku reumatolog, fillimisht nëpërmjet marrjes në mënyrë të detajuar të historisë së sëmundjes nga pacienti, kryerjes së ekzaminimit objektiv si edhe të disa analizave të thjeshta gjaku dhe një radiografi ose echo të artikulacioneve, të cilat orientojnë mjekun në vënien e një diagnoze sa më të saktë.

Cilat janë alternativat e trajtimit të kësaj sëmundje?
Artriti Reumatoid është një sëmundje e cila në rast se diagnostikohet në fazat e hershme rrit shumë shanset që pacienti në të ardhmen të ketë një jetë pa dhimbje dhe të evitohet deformomimi i kyçeve. Diagnostikimi i hershëm dhe fillimi i mjekimit në kohë janë çelësi që na siguron suksesin e trajtimit dhe shmang deformimet artikulare që shkakton artriti. Në sajë të trajtimit me mjekime klasike dhe me barna biologjike, pacientët do të arrijnë të kenë një jetë normale dhe më cilësore, pra pa dhimbje dhe pa deformime të kyçeve.

Burimi / http://shqiptarja.com

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top