Pika referimi

May 7, 2017 | 7:05

Nga Dorina Hoxha: Axhenda pa kufilat…

“O Mall prej nga më vjen? A je prodhim i qenies sime, apo vjen prej diku tjetër?

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

Thua “mall” dhe detyrohesh të bësh në shpjegim se në zhargonin e të folurës së sotme, fjala “mall”, me sinonim bar, ka një kuptim të keq, toksik. Unë këtu e kam fjalën për mallin si ndjenjë.
E ndjej se më shpëton diçka, dhe kjo më shqetëson. Më krijohet një vakum bezdisës për shkak se ka një distancë në ndjenja ndërmjet asaj që unë jam me ty dhe asaj që ti je me mua, kur ndonjëri nga ne mungon aty. Është si ajo që ndodh me dy brigjet e lumit, kur rryma e ujit mes tyre zhduket papritur. Me këtë vakum uji ngjan vakumi i ndjenjave. Çfarë janë dy brigje nëse uji mes tyre zhduket papritur? Një shkretëtirë.
Pse befas shndërrohemi në dy njerëz që i ulërijnë njëri-tjetrit nga dy brigjet e një lumi të gjerë, ku është zhdukur rryma e ujit. Ajo që ka mbetur është një greminë që i ndan dy brigjet. Përse nuk po kuptojmë boshllëkun që krijojmë ndërmjet asaj që unë jam me ty dhe asaj që ti je me mua kur ndonjëri nga ne mungon aty…”


Ashtu si qytetet kanë landfillet e tyre, ku hedhin mbeturinat e padobishme, edhe ne kemi në studion tonë, ndoshta në një cep të rafteve të bibliotekës, ndoshta në një cep të skrivanisë, faqe të shkruara, të cilat janë aq të dhimbshme, sa duam ta bindim veten se janë të padobishme, për të mos u ballafaquar përsëri me to. Por ashtu si qytetet e mëdha ballafaqohen me mbeturinat, duke i ricikluar në sende të dobishme, edhe unë duke anashkaluar lodhjen për të shkruar ato që ti ke lënë në kujtesën time, atëherë kur koha ishte bujare me mua, jo si tani kur ajo fluturon përpara meje.
“Shënime të kohës së vetmisë” do t’i quaja këto faqe që kam nisur t’i shfletoj njëra pas tjetrës dhe që shpejt u bënë një grumbull që përplasen mes tyre, kur duart e mia i shtynë si fshesa gjethet e thata të vjeshtës. Sa shumë ngjajnë këto fletë të shënimeve të vetmisë me gjethet e thata vjeshtore. Prej disa minutash po shfletoja ditarin tim ose atë që në huazim e quajmë ‘axhendë pune’. Që në kopertinë të demostron që i përket vitit 2016 sepse ka një shenjë shumë të qartë kalendarike, i tëri blu e errët, brenda ka një hartë gjeografike të Gjermanisë…“Gjermania përrallë dimri” është një poemë e famshme e Hajnrih Hajne.
Në këtë axhendë zbuloj një anë robotike të qenies sime, ose më saktë, të njeriut të sotëm dhe kjo më tmerron. Më duket vetja si ai që njihet befas me veprimtarinë e vet në një jetë tjetër, pasi ka kaluar një eksperiencë inkarnacioni. Shikoj sesi që një vit më parë, kam renditur kronologjinë e rutinës sime, duke shënuar aktivitetet e ditës-punës, si dhe shënime të tjera që unë i quaja të domosdoshme për të mos u humbur nga kujtesa afatshkurtër. Tashmë ky ritual ishte një rutinë e përditshme, e përvitshme, që më bënte të kaloja në numeracion veprimtarish për të përshkruar me hollësi detaje, numra telefonash, adresa e-maili, takime… Dhe kjo rutinë krijon detyrimisht një energji negative, të cilën ne duhet ta shkarkojmë në kohën pas punës. Mund ta quajmë kështu, mund ta quajmë edhe dashuri.

harmony
Ne dashur pa dashur jemi dy qenie të ndryshme, një është roboti punonjës, një tjetër është njeriu pas punës. Bashkëjetesa mes këtyre dy qënieve të kundërta, dy “unë”-ve nuk bëhet pa trauma. Nëse nuk arrijmë t’ i harmonizojmë këto dy qenie, duke krijuar një feedback mes tyre, ne stresojmë vetveten. Në kohën pas punës ne tentojmë të prodhojmë energji pozitive për vetveten. Qenia jonë, duke punuar si një gjenerator i energjisë pozitive, merr nga kjo kohë e dytë e jona mendimet, por mbi të gjitha dashurinë, atë që priremi ta manifestojmë, në një kafene, në një klub sporti, në një studio televizive, në një libër, pse jo edhe në ‘axhendën e punës’.
Puna jonë e përditshme rrezikon të na robotizojë nëse nuk e bëjmë shpirtin tonë pjesë të saj, duke e ushqyer qenien tonë punuese me energji pozitive, nëse nuk i japim frymën tonë kësaj qenieje që zgjohet në mëngjes, e ndryshme nga qenia njerëzore që ka rënë në gjumë natën e kaluar dhe që niset për një ditë të re pune. Puna pa dashuri, pra kur shkojmë në punë me depozitën bosh të energjisë pozitive, është një lloj skllavërie shpirtërore që të vret ngadalë, kurse energjia pozitive pa punë (dashuria pa punë nëse doni) është e ngjashme me një axhendë që mban edhe punë edhe dashuri brenda një kohe bosh.
1

Përditshmëria ndonjëherë na rrëmben emocionet e ndonjëherë e lëmë veten të rrembehemi nga harresat, por mjafton vetëm një frazë për të na rënduar gravitacionin shpirtëror:
“20 Shkurt 2016 E shtuna- pushim, u takova me nonën”. Ishin dy fjalë që të marrë veçmas kanë kuptime të qenësishme për jetën e secilit nga ne kur bashkohen. Kur ndahen, je gjithnjë në pritje të takimit me të… dy fjalë depërtojnë lehtësisht atje ku mburoja nuk ka zënë kore. E kujt i duhet një zemër tërë kore dhimbjesh?! Kush ka nevojë për një shpirt të arnuar nga kore dhimbjesh?…Kur viziton varrezat publike kupton sa ‘kore’ kanë zënë njerëzit që frymojnë ende!
Nuk ka axhendë më me peshë sesa fraza që rigjen të humbur pas disa kohësh brenda shënimeve, nëse ‘axhenda’ do të ishte bosh do përfaqësonte një hiç, por ‘axhenda’ nuk ishte bosh, aty ishte fraza që peshonte më shumë në bllok, ishte e shkurtër dhe e qartë. Një ‘axhendë’ tjetër nuk do të ketë të njëjtën peshë të kësaj fraze, sepse unë do të jem gjithnjë në pritje të takimit me të. Më duaj aq sa ‘ajo’, mbase pak më pak, por është e mjaftueshme për të ndjerë që edhe ajo “pak më pak” ishte shumë. Njerëzit që na duan vërtet na dhurojnë dashuri intensive sa të mund të kemi rezerva edhe pas ndarjes së tyre nga kjo jetë. Më duaj pa intensitet, nuk ka rezerva malli për abuzuesit ! …

Nuk mjafton sot një mbishkrim në ‘axhendë’, pafuqia ime për të të ribërë të tërën, me po atë fizik, me po ato rrudha, me po ato duar, me po atë përkujdesje që më frynte në shpirt si fllad pranvere. Ndonëse në ditët e luleve këtij maji i mungojnë Kufila, Kaça, Drandofile,Viola, Vjollca, Lule Vath, Lule Zjerm, Lule bli, Lule Trumëz, Luleshërbel, Lulebor’, Lule Zambak, Karajfil, Tulipan. Luleverdh’, Luledele, Lule Yjet e nat’s, Manushaqe, Lule Badra… kurora dimri bien mbi bllok!

harmony-with-nature

Sfida jonë është të harmonizojmë të dy anët e qenies sonë, të dy “unë”-t tanë. Kjo do të thotë që të jetosh dyfish! Por koha nuk na favorizon në këtë sfidë, sepse ajo është xheloze për njerëzit të cilët duan ta jetojnë dyfish atë.
Koha është shpesh një perëndeshë e keqe, e cila zbavitet duke bërë që dy unët e qenies sonë të jetojnë të ndarë si dy qenie që jetojnë në dy universe paralele, si në filmat fantastiko-shkencorë.
Koha na luan shakara të çuditshme. Vetmia më e madhe që mund të pësojë njeriu është mes dy unë-ve të ndarë të qenies së tij, që jetojnë në dy kohë të ndryshme. E nëse arrin që t’i harmonizosh dy unë-t e qenies tënde, shpesh koha të pret atje, në pritë të të takojë me njeriun që e ke pritur gjithë jetën, por që për fatalitet nuk mund të të përkasë, si të ishit në dy universe paralele.
Në faqen e fundit të axhendës koha ka shkruar hakmarrjen e vet, për sfidën ndaj saj. Disa mund ta mposhtin edhe kohën dhe të nisin një axhendë të re me… kufilat.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top