Pika referimi

July 2, 2018 | 8:59

Nga Dorina Hoxha / Dashuri, kurrë nuk erdhe!

E vetmja mënyrë për ta vënë në siklet djallin është ta bësh të besojë se nuk e beson. “Lavjerrësi i Foucault”, Umberto Eco

Në mbrëmjen e 20 të janarit duket sikur mes nesh një grup demonësh po hedhin të lumtur valle. Sa trishtim të shohësh sy që shkëlqejnë nga gëzimi, ndërsa brenda teje luhet një dramë. Më kanë pëlqyer fundet me dhimbje në çdo teatër pasi kjo të bën të kuptosh se po jeton dhe jo shtirjet e mbushura me gota konjaku. Sonte duket se një jehonë bie mbi kokat tona të heshtura, duke shpresuar të bien ndjesitë mbi ne njësoj si flokët e dëborës mbi acarin e këtij mes-dimri. Koha duket sikur fluturon njëkohësisht me retë e nervozuara që nuk gjejnë paqe.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Gjithë rrebeshet ndodhin në shtresën e parë të qiellit, pas disa kilometrash lart nesh, një kaltërsi shtrihet e qetë. Durimi jonë është vënë në provë brenda shtresës së ozonit, ku për të arritur dashurinë, e vetmja mënyrë për ta vënë në siklet djallin sipas Umberto Eco-s në “Lavjerrësi i Foucault” është ta bësh të besojë se nuk e beson. Përgjigjja gjendet brenda vetes sonë, se sa ne jemi të aftë të aktrojmë në një realitet që ndonëse na dhemb duhet ta pranojmë ashtu siç vjen. Vetvetja, si një lavjerrës, duhet të gjejë ekuilibrin ndërmjet forcave ekstreme të zemrës që herë dominohen nga Apolloniani e herë nga Dionisiani.

Lavjerrësi sekret brenda nesh nuk është tjetër veç nga dashuria. Një dashuri që nuk preket as ndihet, një dashuri që pritet e që kurrë nuk vjen. Teatri ynë i jetës është dashuria si mall, nuk është ajo që sjell në jetë fëmijë, as ajo që qëndron me ne. Dashuria është lavjerrësi vetë, që nuk pushon së ndaluari deri në momentin kur ende ne kultivojmë durimin për të parë atë copëz kaltërsi në vetminë tonë të thellë. Shoqëruese të ditëve tona skajshmërisht të largëta bëhet përditshmëria, larja e fytyrës në mëngjes, kafeja, dreka dhe një postim në Twitter. 

Mendimet si demonë vrasin logjikën tonë, duke na bërë të harrojmë se dashurinë na e sjellin engjëjt, tingujt e të cilëve janë si pena e një shpendi që përkunden në ajrin e ndotur të zhurmave që njerëzit-djaj na lenë pas tyre. Do ta quaj ‘engjëll’ çdo mendim inspirues, që pavarësisht çdo konspiracioni për veten dhe jetën, na ushqejnë me dashuri logjikën. Do ketë prej të cilëve do të pyesin: A ushqehet logjika me dashuri?! Dy kontraverse që dominojnë jetën e secilit, të përfolura ndarazi e që ushqehen me njëra-tjetrën.

Logjika ushqehet me dashuri atëherë kur nuk gjen vend në irracionalen, ndërsa dashuria fatkeqësisht nuk ushqehet me logjikën, e nëse e bën atëherë pushon së qeni. Mbrëmja vjen shpejt çdo natë, ndonëse vetmia jonë rritet nga çdo pakënaqësi që ndjejmë kur pritshmëritë tona nuk kuptohen dhe nuk dashurohen nga askush. Të dashurosh pritshmëritë që ka tjetri do të thotë të gënjesh veten se ke harruar të tuat. Në fakt, shoqëria krijohet duke përputhur pritshmëritë e njëri-tjetrit, çuditërisht dashuria lind nga mospërputhja e tyre.

Vallë, sa hapa e ndan shoqërinë nga dashuria apo dashurinë nga shoqërimi?! Edhe dashuria një lloj shoqërimi i të kundërtave është, mbase kjo është pika e përbashkët e lavjerrësit të mendimeve tona. Kush priti dashurinë fitoi shoqërimin, e kush priti shoqërimin, fitoi dashurinë, ndërsa kush i priti të dyja fitoi mos ardhjen e asnjërës. Ti, ‘fitues i mosardhjes së asnjërës’ nervozizmi yt i shpirtit fluturon si retë, ende ka engjëj në kokën tënde se në asgjë ka ende gjithçka. Bëji ciklonet e djajve që të thonë ‘dashuri, kurrë nuk erdhe’ të besojnë se nuk i beson brenda teje.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top