Pika referimi

September 11, 2018 | 8:20

Nga Dorina Hoxha / Katastrofat e mendjes sonë

Dita duket sikur po përparon me marshin e një përditshmërie që nuk flet, por thjesht vepron për të sunduar çdo çast të saj. Jetojmë në kohët e vështira shpirtërore, dilemat e të cilave na vrasin e na ringjallin çdo mëngjes. Bëhemi paranojakë të ndjenjave tona e nuk ngopemi me asnjë moment që na është dhuruar. Njerëzit përfshihen emocionalisht në gjithçka që bëjnë në përditshmërinë e tyre, por edhe në çështjet profesionale.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Dashje pa dashje, duke u përballur me një rutinë që i zbeh ato shpirtërisht, krijohet një individualizëm, kinse shpirtërorja në proceset e jetës që ato dëshirojnë, shndërrohet në tipar recesiv. Unë do ta përcaktoja këtë sipas sociologut Gëzim Tushi: Njeriu, aktor dhe autor i “dramës” së vet. Raporti i subjektivizmit me identitetin social është një çështje shqetësuese jo vetëm për sociologët shqiptarë, por edhe për mbarë qytetarët shqiptarë, mbi shpinën e të cilëve rëndojnë brengat dhe fajet. Sociologët dhe filozofët e kanë konstatuar fazën e transformimeve të gjithanshme në shoqërinë tonë të kushtëzuar edhe prej natyrës subjektive të njeriut, por edhe prej rrethanave historiko-sociale të pashmangshme.

Progresi që vjen si pasojë e transformimeve të gjithanshme sociale, lë gjithashtu pas mendësi dhe ideologji të vjetra sociale. Njeriu i sotëm shfaqet me një personalitet social tepër subjektivist. Të jesh subjektivist nuk do të thotë të përjashtohesh nga një identitet social as edhe të jesh egoist, por në shoqërinë moderne do të thotë të jesh aktori dhe “autori” i dramës tënde. 

Brenda një bote ku fjalët kanë një dimension të gjerë kuptimesh, ku ndonjëherë përpiqesh t’i kuptosh e pastaj ke ndjesinë që asnjë nuk mendon si ti, e shikon subjektivizmin si një piedestal të pakapërcyeshëm dhe se në mijëra e miliona njerëz në shoqëri nuk do të mundin të ishin të krahasueshëm me ty. Të pakrahasueshëm jo për nga aspekti fizik sesa për atë që ne e përcaktojmë si “shpirtërore”. A është subjektivizmi shpirtëror?

Nëse ne përpiqemi të themi: individët janë të ndryshëm për nga perceptimi dhe arsyeja, a nuk do të thotë kjo se njëkohësisht shpirtërorja është subjektive?! Natyra e njeriut si subjekt është në një proces ndryshimi të vazhdueshëm. Gjatë ndryshimit radikal që pëson natyra subjektive e njeriut, ndryshon edhe identiteti social. Gjatë dhjetëvjeçarit 2007-2017 shoqëria shqiptare është përballur me problematika të tilla si: krim në familje, dhunë psikologjike dhe fizike fëmijëve, rritja e numrit të divorceve, rritja e fenomenit të emigrimit.

Të gjitha këto brenda një dekade kanë sjellë edhe një bilanc ndryshimesh në identitetin social shqiptar. Mendja jonë prodhon katastrofa subjektive çdo ditë për veten dhe për raportin e saj me të tjerët. Një nga ato katastrofa është paaftësia për ta pranuar mendimin dhe shpirtëroren të lirë. Të shohësh lirinë në sytë e një të dëmtuari, është njësoj si të dënosh subjektivizmin tënd për të ruajtur raportet me të tjerët. Pra, katastrofa jemi vet ne, është mendimi ynë.

Jetojmë në kohë të materializmit praktik, ku shpirtërores i mohohet autoriteti në mënyrë që të integrohen dhe përfshihen më lehtë në jetën sociale. Një sferë sociale që vë kushte për të zhveshur autoritetin shpirtëror nga çdolloj ndikimi është trampolina drejt humnerave të thella të mendjes. Le të bëhet mendimi-vetvetja për një ditë në jetën tuaj, do të shihni se subjektivizmi që posedoni do t’ju mbajë rob të shpirtërores, përndryshe, mund të jetë, por nuk do të jetë as e mirë, as njerëzore.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top