Psikofakt

April 13, 2018 | 13:05

Nga Dorina Hoxha / Mos mbetsh ulok!

Shtrati është i ftohtë, ndonëse temperaturat jashtë dritares i kalojnë 40 gradët. Kateteri qelb këtë dhomë, disa pika kafe bien mbi bluzë dhe dorën e majtë e kam të ngrirë. Kjo dhomë është kaq bosh. Përkarshi meje një tjetër pacient. Në pamje duket më i moshuar se unë, por ndjej se brenda meje ndihem unë më i plakur. Ai përreth ka njerëz që e vizitojnë çdo ditë, ka vajzën, ah vajzën! Një vajzë, që unë s’e pata kurrë fatin të ndjej të tillë përkujdesje.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Çdo ditë rreth shtratit të tij qëndrojnë familjarët, fëmijët… Kurse unë bir, mezi pres një telefonatë nga ti. Qesja që mban urinën time më duket një serum që helmon të tjerët, por për mua ajo qese mban tërë mllefin tim, tërë kafenetë që nuk m’i shërbeve tani që mund të përdor vetëm një dorë dhe këmbë. Ah bir, sa fjalë më kanë ngecur në grykë dhe nga frika për t’jua thënë se, gjithnjë të kam dashur afër, tani nuk jam në gjendje as të bisedoj. Belbëzoj rrokje e tinguj që të tjerët m’i kuptojnë sapo i hedh në ajër, po ti o bir a do mundesh të ma largosh këtë vapë si dimër?!…

Një jetë që të rrita me sakrifica, për kohën e viteve që të rrita universiteti im më ofronte status në shoqërinë sipas së cilës, u gdhend edhe e ardhmja jote bir. Kjo mesditë më është dukur më e gjatë se gjitha pritjet që më është dashur të kaloj përgjatë jetës. Edhe në ditën e lindjes tënde, pritja ia linte vendin dashurisë, ankthit, entuziazmit që do më bëje prind për të parën herë. T’i shihja ato gjymtyrë kur të mbaja në krah dhe qysh atëherë i premtova vetes që nuk do të të mbaja peng të karakterit tim autoritar. Si duket, kisha bërë premtimin tim më të gabuar në jetë.

Mbase liria që të ofrova gjatë rrugës së gjatë të prindërimit sigurisht pa i anashkaluar detyrimet morale dhe financiare të shpurën aq larg sa sot që dergjem i sëmurë në këtë shtrat të spitalit edhe një fjalë e jotja qoftë edhe përbuzëse do të ma lehtësonte dhimbjen.

Eja, o bir! Një det larg më ke. Qeskat e mia të kateterit mi ndërron një mjek në moshën tënde, që nuk më njeh e pavarësisht kësaj, më trajton më dhembshurinë e një biri. Teksa më ndërron navigonin që më ushqen, shkëmbejmë biseda sa për të ushtruar të folurën time, tanimë çalamane. Më është dashur t’ia fsheh se kam një djalë, sepse sa herë ai më buzëqesh, unë të përfytyroj ty tek ai dhe nuk dua që dikush të të përçmojë për dhembshurinë që ti nuk ma afron dot tani që kam aq shumë nevojë.

Jeta perëndon bir, ashtu siç me net kam parë muzgun të bjerë në bregdet, e teksa dielli zbret në shtratin e ujit, vetmia ime bëhet një më të, e më duket se jemi një breg më larg njëri-tjetrit.

Një ditë, agonia e këtij muzgu do të të flasë për mua, për shishet e panumërta të pijeve që i konsumoja për të shuar fajësisë që ndjeja brenda vetes për atë që ti je shndërruar sot, një njëri individualist, deri diku i akullt në perceptim. Në një botë individualistësh, unë ndihem pjesë e një azili të mosdijes. Kapitalizmi na ka bërë të jetojmë prej interesi dhe të vdesim prej mospërkujdesit, kështu unë vetmohem i shumëzuar me mijëra prindër që fëmijët e tyre i kanë larg.

Në prag pleqërie, vite të tëra pune nuk më shërbyen të shkruaj në letër veç kaq: “Eja, o bir!”

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top