Pika referimi

March 16, 2018 | 8:00

Nga Dorina Hoxha: Në dy vendet jam i huaj!

 

Si një thes të shtypur i mbaj kujtimet, që herë më risjellin Tiranën, e herë më përhumbin në tjetër qytet. Nuk i përkasim as unë atij e as ai mua. Tranzicioni i viteve ‘90 ashtu si mijëra shqiptarë që u larguan me eksodin e atyre viteve, e shpuri edhe atë larg, si e vetmja mënyrë shpëtimi nga tranzirat, edhe pse pa kuptuar do ta shoqëronin në nënvetëdije përgjatë gjithë jetës.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Kishte mbetur tek Shqipëria e vitit 1998, prej shumë vitesh i larguar, rikthimi në atdhe ia mëshironte perceptimin se i përkiste realitetit të 20 viteve më parë të vendlindjes.

Emigrimi njihet edhe si plaga më e madhe sociale e Shqipërisë. Njerëz që si individualistë në kërkim të së mirës europiane, u përparuan dhe iu përshtatën kulturës së huaj për të kontribuar më pas edhe te familjet e tyre të mbetura në atdheun mëmë. ‘Izolimi social’ për ata kishte nisur që ditën e largimit nga vendi, kish vijuar me shokun kulturor e përfundonte me vetmimin rrëfyes si një i huaj në të dy vendet.

Nuk mund të flasësh drejt, pa i përjetuar vetë më parë situatat e jetës. Vetëm kur në kurrizin tënd koha vulos pesha që nuk mund t’i mbash, kupton ç’do të thotë të jetosh i lirë dhe njëkohësisht i robëruar brenda vetes.

Njeriu mund të përjetojë realitete që dëshiron, por në të shumtën e rasteve, jeta zgjedh për atë. Atij i është lejuar një kufi minimal zgjedhjesh e brenda këtij kufizimi, liria, që është gjithçka për disa,  për të tjerë është asgjë. Liria është ndjesia që na robëron në kërkim të saj përgjatë gjithë jetës.

Liria, kjo fjalë që vjen si era në behar, ku aroma e barit të njomë miksohet me erën e dheut dhe pjalmeve të luleve pranverore. Liria, vjen edhe në dimër bashkë me tymin e oxhaqeve. Rrymat e ftohta të shpirtit ngrihen në skajet e largëta të lutjeve për rënien e lirë mbi shpatullat e një mërgimtari si floknajë.

Lirinë e shoh edhe nga dritarja e zyrës sime, përtej kangjellave të hekurta si shtiza duket natyra dhe dëshira ime për të mos e parë realitetin bardh e zi.

Kur njeriu ndihet i lirë, ndjen se era ia dërgon mesazhet që priste prej vitesh, ndjen edhe se pushteti i mendjes është pushtet i patjetërsueshëm njerëzor.

Kur njeriu ndihet i lirë nuk ka rëndësi nëse ndodhesh në Gjermani, apo në provincën e Tiranës, nuk ka rëndësi nëse je veshur sipas trendeve të fundit të kohës apo koha të ka veshur sipas trendit të saj të para disa vitesh.

Kur ndihesh i lirë, pavarësisht se mund të kesh lexuar plejadën filozofike botërore, nuk të bezdis kakarisja e një pule karshi teje, pallonjtë apo një fshatar që kutërbon raki rrushi.

Kur ndihesh i lirë, Niçja, Sarti, Russo faniten, shfaqet Sinani, Halimi e Hasimi, të cilët të duken filozofët e vërtetë të jetës.

Kur ndihesh i lirë, nuk shqetësohesh nëse të krahasojnë më një koleg tjetër, nuk ndihesh inferior nëse të duhet t’i përshtatesh një rrethi të caktuar social.

Kur ndihesh i lirë, të vanitet dëshira për pushtet, thjesht percepton se secili në këtë botë ka një vend të tijin të pakrahasueshëm.

Kur ndihesh i lirë, të duket qesharake dashuria që le pas dhe zënkat për hiç gjë.

Si vallë pas një kohe të caktuar njeriu arrin të kuptojë paaftësinë e tij për të logjikuar. Vetëm kur ne gjykojmë me gjakftohtësi arrijmë ta zëmë mat paaftësinë që na shpie në qorrsokakun e një komunikimi që na largon.

Vetëm kur ndihemi të lirë, çlirohemi nga ndjenja për të marrë hak ndaj ndonjë padrejtësie që na është bërë.

Kur ndihemi të lirë ne nxitojmë me ngadalë, festina lente!

Sa herë që ndihemi të lirë, nuk na kaplon paniku i afateve kohore. Kur ndihemi të lirë nuk na intereson çfarë mendojnë të tjerët për ne, sepse në atë çast jetojmë për veten.

Kur ndihemi të lirë, nuk ndihemi fajtorë për fëmijët, prindërit apo gjyshërit nëse i lënduam me ndonjë fjalë a gjest.

Ah, ne femrat, kur ndihemi të lira, nuk duam të na dashurojnë për sytë, buzët apo flokët, duam të jemi mendimi planetar pa forma tek një mendje e vetme. Sa herë ndihemi të lira, zemra na ka kapur mat brenda një tjetër zemre. Aty ku fle mendja, fle edhe ti dashuri. Sa herë zgjohet liria brenda meje, ti më zhdukesh si kuptim dhe më shfaqet një besim. Arrij t’i besoj asaj që nuk shihet, sepse edhe atë që ndjej nuk mund ta shoh, por e përjetoj çdo ditë. Sa herë ndihem e lirë, mendja si një zog shtegtar përshkon mijëra kilometra për të pushuar në fole me pranverën e përhershme në anën e majtë të kraharorit tënd.

Lutem! E vetmja rrugë për ta mbajtur mend trajektoren e kthimit  në stinorin tim.

Gjithçka materiale që na rrethon në realitet nuk na e jep atë fuqinë dhe pushtetin e vërtetë të lirisë. Amartya Sen shkruan te libri “Zhvillimi si Liri” se: “…zotërimi i mallrave realisht flet pak për natyrën e jetës që bëjnë njerëzit”. Brenda këtij realiteti materialist dhe teknologjik ne kemi një tjetër realitet të pashmangshëm që është realiteti brenda nesh, ai që na diferencon nga natyra e jetës që bëjmë, në dy vendet të ndihemi të huaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top