Psikofakt

October 2, 2018 | 15:37

Nga Dorina Hoxha: Shansi i humbur i mediave apo… “ Ç’të mbjellësh, do të korrësh”!

Dhuna është fenomeni i pashmangshëm që do të ekzistojë për aq kohë sa edhe natyra njerëzore luhatet drejt kufijve të panjohur irracionalë, e për aq kohë sa brenda nesh do të flejë arsyeja dhe instinktet do të zgjohen. Dhuna, si një nga devijancat e sjelljes njerëzore, bëhet njëkohësisht shkak-pasoja e dëmit ndaj vetes.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Në kulturën shqiptare gjen vend shprehja popullore: “ Ç’të mbjellësh, do të korrësh”. Ne jemi shkaku dhe pasoja e qëndisjes së fatit tonë, e nëse fati do të ishte si një pëlhurë e mëndafshtë, ne jemi përgjegjësit e vetëm për t’i dhënë ngjyra pëlhurës sonë, ne jemi përgjegjës të zgjedhjes së ngjyrave të perit dhe figurës që duam të qëndisim. Në jetë ka një ndryshim, ‘peri’ që zgjedh, personifikon njerëzit që ti dëshiron t’i mbash në pëlhurën tënde, ndaj zgjedhja e ngjyrës së perit do të ndikojë në tablonë që dëshiron të lësh pas. Përgjatë përditshmërisë punët dhe veprimet e këqija na impresionojnë aq lehtë për t’i kryer, njësoj si ai topi i perit që përnjëherë shpërbëhet sapo ta hedhësh tutje, pasionet tona vërshojnë ashtu si peri kur një e keqe iu jep një aprovim të rremë. Ndërsa punët të quajtura të mira, të moralshme, e të vërteta, kërkojnë shumë mund dhe kohë për t’i kryer, njësoj si mundimi që të merr peri kur duam ta mbledhim në formë topi.

Nuk do doja që ky artikull të ishte sado pak shkak për të zhbërë mundin dhe jetën e dikujt, në përditshmërinë time dhuna është kryefjala e punës dhe e veprimtarisë. Kur përmendim këtë fjalë duhet të kemi parasysh 3 ‘armë’ që secili nga ne i posedon: Ligjin, racionalitetin si subjektivizëm dhe humanizmin si shpirtërore. Kufiri ndarës ndërmjet tyre është aq i hollë sa duke dashur të përcaktosh shkaqet dhe pasojat, kupton se pasoja dhe shkaku je po ti vetë, e kështu me radhë rinisesh përsëri nga pika a, dhuna!

Jetët tona ndërtohen dhe vijnë natyrshëm të pleksura me njerëzit e tjerë përreth, sepse njeriu jeton në komunitet. Aristoteli një filozof i hershëm pohoi se: njeriu është kafshë politike, që do të thotë se njeriu përgjatë gjithë jetës  është në krijim të politikave me të tjerët. Jo më kot e nisa kështu këtë artikull që mori shkas nga ngjarjet më të komentuara mediatike dhe politike së fundmi. Dy emisione ekskluzive dhe me shikueshmërinë të lartë në vend patën kinse në epiqendrën e tyre lajmin e radhës: “ Dhunën ndaj grave”. 

Konceptet më të përdorura përgjatë intervistave ishin: “dëshmi, komisariat policie, prokurori, histori dashurie” , çështja në fjalë nxori nga hiçi një vajzë të panjohur më pare, e cila u bë epiqendra e vërshimit të një morie pyetjesh dhe hamendësimesh gazetareske, që me ngulm kërkonin të vërtetën e tyre, që jo detyrimisht ishte e vërteta e saj, dhe e vërteta e saj mbase ishte edhe e pavërteta e tyre. Kjo intervistë ishte shansi i humbur i mediave që e dëshironte të kundërt të vërtetën e rrëfyer sipas saj.

Gazetar profesionist që kërkonin me ngulm ta vinin me shpatulla pas murit të panjohurën, mur së cilit ajo i frikësohej e që ishte në radhë të parë vetja e saj. Media që me dorën e një ‘viktime’ kërkon të vrasë ‘fajtorin’, po cili ishte fajtori: Karriera e politikës së një njeriu publik apo vetë fajtorët, ‘dy ish të dashuruarit’?!…  Atëherë logjika na shpie se në fakt media po ngre një çështje politike ‘karremi’ i të cilës mund të ishte çdo vajzë që dashuron e që në një moment dobësie dhe çmendurie kërkon hakmarrje ndaj të dashurit.  Këtë lajm e dëgjojë prej javësh edhe pse nuk kisha asnjë kuriozitet për ngjarjen vendosa të ndjek dy emisionet për të kuptuar se çfarë fshihej pas kësaj ‘buje mediatike’ të radhës.

Çuditërisht shoh një vajzë të zakonshme, si një milion vajza të tjera të këtij vendi, që kishte pasur një histori dashurie me një djalë prej disa vitesh e që fatkeqësisht ngjarja kish degjeneruar në një betejë mediatike, në një betejë të shoqërisë civile gjysmë opozitare kinse për të luftuar dhunën ndaj një gruaje, pavarësisht se gjysma tjetër e grave shqiptare e veçanërisht ato gjyqtare vriten në heshtje.

Ajo që më ra në sy nga këto dy intervista kishte të bënte me faktin tjetër që ballafaqimi në të dy studiot ishte shumë i njëanshëm, kur në të duhet të ishin përfshirë edhe palët e tjera. Media shqiptare është në fazën primitive të saj, pasi ‘karremi’ për të ngrehur këtë mesele është  dy herë viktimë, një herë nga shpirtërorja e vet e një herë nga të qenit ‘karrem’.  

Kur media bën ironi therëse do të thotë se niveli i mashtrimit mediatik ka arritur kulmin e kurbës, ndaj ju lutem mos shihni më televizor. Klodiana Lala, gazetarja e kërcënuar disa javë më parë i jepte kurajë mediatike personazhit në fjalë për t’u shprehur, ndërkohë që çështja e saj mbeti në heshtje dhe ende nuk u vu drejtësi.

Kjo ironi infantile të vë përpara një përgjegjësie të madhe për të hequr dorë përfundimisht nga gomarllëqet mediatike që e kërkojnë të vërtetën si nëpër gjyqet e Greqisë së lashtë por në versionin HD të saj. Nga këndvështrimi jonë human, e vërteta është relative, ndonëse brenda nesh ekziston një tjetër e vërtet e patjetërsueshme, DASHURIA, ngre brenda saj dëshmi sa tragjike po aq edhe të zakonshme për të thënë se e drejta e dëshmisë i takon veç asaj dhe çdo përpjekje tjetër është SAKRILEGJ!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top