Psikofakt

July 21, 2017 | 15:12

Nga Dr.Bledar Kurti: Hemingway dhe brezi i humbur shqiptar!

21 Korriku është ditëlindja e shkrimtarit të madh amerikan Ernest Hemingway! Një komunitet i caktuar intelektualësh e dinë fare mirë, por sa për informacion të gjerë, duhet përmendur që Papa Hemingway ka edhe një klub në Tiranë, “Hemingway Club Tirana.” Një klub jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror dhe kulturor, i cili ka mbledhur shpirtrat më artistikë të Tiranës dhe më gjerë. 

bledar-kurti

Dr. Bledar Kurti

Për cilindo që ka pirë një gotë në këtë klub të vogël, por të arreduar në mënyrë brilante, apo ka marrë pjesë në festivalet e Jazz-it të organizuar nga ky klub, është mëse e qartë se vetë Hemigway e ka një vend të tijin në Tiranë, dhe nëse do e kishte mësuar këtë gjatë jetës, do lumturohej shumë që edhe në një vend si Shqipëria, ku sundon më së shumti orientalizmi dhe provincializmi ballkanik, ka një grumbull zemrash dhe ëndrrash që refuzojnë të jenë etiketë e një brezi të humbur allà shqiptar, por zgjedhin të jenë qytetarë të botës, ashtu siç ishte edhe vetë Hemingway!

Nëse do e nisja me biografinë e tij, për shembull Ernest Hemigway lindi në bla bla bla … shkruajti bla bla bla … vdiq më bla bla bla … do ishte ulje për mua dhe ofendim për këdo lexues që e njeh këtë emër të madh. Nëse ti që po e lexon këtë shkrim nuk e di se për kë bëhet fjalë, ndrysho faqen, vazhdo me jetën tënde të privuar dhe merru me gjërat e zakonshme, dhe lëri ata që e njohin dhe që e ndjejnë në çdo rresht që ato që ai ka shkruar, të kujtojnë atë shkrimtar dhe njeri të jashtëzakonshëm, dhe të pluskojnë me të përtej kohërave dhe hapësirës në frymën e artit, aventurës, kulturës, fjalës, sfidës, jetës, luftës, vdekjes dhe humbjes.

hemingueiNuk është e rastësishme që një grup të rinjsh, por edhe intelektualësh janë anëtarë të “Hemigway Tirana”, madje mund të jenë anëtarë edhe pa e vizituar kurrë këtë klub, pasi ata identifikohen shpirtërisht me këtë emër. Nuk ka të bëjë as me Lamtumirë Armë, as me Kopshti i Edenit, apo vepra të tjera, ka të bëjë me shpirtin e Hemigway-it, ka të bëjë me rrugëtimin e tij për të gjetur lumturinë dhe prehjen. Ka të bëjë me aventurat e tij të jetës; përpjekjet për të parë dritën përtej ferrit të dy luftërave botërore; me ngjyrat e mrekullueshme të peizazheve të ndryshme ku ai jetoi; me shijet e ëmbla, ithta e tharta, të alkoolit që pinte në rrugëtimet e tij në mbarë botën; me ajrin e lirisë afrikane, parisiene, spanjolle apo kubane me të cilin ai mbushte mushkëritë dhe zemrën e trishtuar nga makthet botërore të shekullit të njëzetë, i cili, për ironi, ishte shekulli më modern dhe i emancipuar i mbarë historisë së njerëzimit, por që prodhoi luftërat më të mëdha të të gjitha kohëve dhe mori më shumë jetë sa të gjitha luftërat e mëparshme të njerëzimit.

Përse e pëlqejnë Hemigway-in intelektualët dhe rinia shqiptare? A jemi edhe ne brez i humbur sikurse ai? Absolutisht po! Ata që kanë lindur në komunizëm e dinë fare mirë që ai regjim na injektoi vaksinën kundër shpresës! Sot, është bërë e modës të pimë ndonjë kokteijl gjatë darkave, por ne që lindëm gjatë atij terri na u injektua në gjak një kokteil vaksinash dhe virusesh, për të pasur frikë, për të mos guxuar, për ta kthyer gjithmonë kokën pas, sepse gjithmonë është dikush që të ndjek, dikush që të përgjon, është vdekja që të pret dhe jo jeta që nuk ekziston. Frika ishte qumështi i gjirit dhe makthi ishte abetarja jonë.  

Të rinjtë shqiptarë që lindën pas ferrit komunist, nuk arritën të shpëtojnë, sepse post-komunizmi shqiptar nuk solli liri, por vetëm purgator. Në vend të ninullave, të rinjtë dëgjuan fjalimet e komunistëve me maska demokratësh, të cilët vazhdojnë edhe sot në qeveri dhe opozitë, në çdo hapësirë të jetës njerëzore. Duke depërtuar deri në kthinat më të thella të shpirtit.  

Kësisoj, të rinjtë e dinë se jetojnë në një vend të humbur, që janë një brez i humbur, ndaj edhe përdorin veprat e Hemigway-it të fluturojnë përtej kontinenteve, të ulen në një bar në Venecia, Paris, Barcelonë, apo të pinë një Papa Doble në Havana, të brohorasin Ole në një ndeshje demash në Piazza del Toro, të zgjohen më pamjen madhështore të Kilimanxharos, apo të gjuajnë me peshk në ujërat e kristalta të Karaibeve.

Të rinjtë shqiptarë janë të rinj në moshë, por pleq në mendje, shpresa e shpirt. Ashtu si Santiago, edhe ata luftojnë me peshkaqenët për të siguruar bukën e gojës dhe për të ruajtur krenarinë. Peshkaqenët shqiptarë, ata që e kanë qeverisur vendin prej dy dekadash, e do vazhdojnë ta qeverisin derisa ne dhe të rinjtë tanë do vdesin, janë edhe më të egër sesa ata të veprës Plaku dhe Deti, sepse këta janë kanibalë ndjenjash dhe varrmihës ëndrrash. 

“Jeta e çdo njeriu mbaron njëlloj për të gjithë,” ka thënë Hemingway, “Janë vetëm detajet e jetës së tij, se si jetoi dhe se si vdiq, ato që e dallojnë njërin nga tjetri.” Shqiptarët e dinë që kanë lindur në një oturak, dhe drejtohen nga ata që notojnë në oturak,  ndaj edhe shumë intelektualë dhe të rinj refuzojnë të lindin dhe vdesin në këtë qoshe të pashpresë të globit. Ata e pranojnë të jenë nënshtetas shqiptarë, por zgjedhin të jenë qytetarë të botës. Ata refuzojnë retorikën dhe mentalitetin arkaik të atyre që mbajnë çelësat e këtij oturaku ballkanik, por zgjedhin të udhëtojnë në kohë, hapësirë dhe imagjinatë, përmes jetës tejet aventureske dhe veprave të jashtëzakonshme të Hemingway-t.

“Njeriu nuk është bërë për t’u mposhtur” shkruan ai tek Plaku dhe Deti, “Njeriu mund të shkatërrohet, por jo të mposhtet.” Edhe brezi i humbur shqiptar, të lindur gjatë ferrit apo purgatorit komunist, e di që mund të shkatërrohet nga këta bastardët e historisë, por nuk mund të mposhtet kurrë nga ata, sepse ndonëse e gjithë Shqipëria mbetet e pushtuar nga varfëria, konsumohet nga babëzia e pushtetarëve, ku në vend të reve të shpresës pikon dhimbje ndër shekullore, në një rresht apo fletë të Hemingway-t mund ta mundësh barbarinë shqiptare dhe si me magji të transportohesh diku me atë, atje ku ajri është art dhe jo një erë e ndyrë e një oturaku 28,000 km katror!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top